BallinaAktualitetPagat e reja, mësuesit: Qeveria është tallur me ne. Ja sa rezulton...

Pagat e reja, mësuesit: Qeveria është tallur me ne. Ja sa rezulton rritja sipas llogarive

Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve të Shqipërisë kundërshton mënyrën se si qeveria ka përllogaritur pagat e reja për mësuesit, e cila çon më pak lekë në xhepat e mësuesve, dhe jo nivelin e premtuar prej 15 për qind.

Të zhgënjyer nga rritja e papërfillshme, kryetari i sindikatës, Nevruz Kaptelli, nënvizon se ndryshimi në pagë është minimal, madje më i ulët se indeksi i çmimeve. “Nuk është rritur paga 15% sa thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave, por paga e mësuesve është rritur pak më tepër se 9%. Realiteti është që rritja e pagave nuk ka mbuluar dot as indeksimin e inflacionit”. Sipas llogaritjeve të bëra nga kjo sindikatë, rritja e pagës neto rezulton diku midis 9 dhe 10 për qind.

Në premtimet e qeverisë mjekët dhe mësuesit do të ishin prioritet në rritjen e pagave. Pas mësuesve, pritet zyrtarizimi i vendimit për bluzat e bardha. Rritja është e konsiderueshme, 40 për qind dhe nuk është zbardhur ende në Fletoren Zyrtare.

REAGIMI

“Mësuesit janë të zhgënjyer nga kjo rritje formale e pagave që po bëhet. Nga llogaritjet tona, nuk është rritur paga 15%, sipas VKM-së, por më pak. Mësuesit e edukimit parashkollor marrin 4200 lekë në muaj më shumë, sepse është rritur vetëm paga e pozicionit dhe për mësuesit e tjerë kjo shkon deri në shtatë mijë lekë në muaj. Pra, paga nuk është rritur aq sa u premtua, por pak më tepër se nëntë për qind”, sqaron përfaqësuesi i mësuesve në sindikatë,

Kaptelli, teksa flet për manovrën e bërë nga qeveria, e cila ka rritur vetëm pagën e pozicionit dhe asnjë tregues tjetër mbi të cilët përllogaritet paga neto. Premtimet e qeverisë për pagat, arsimtarët i konsiderojnë thjesht si mashtrime elektorale.

“Pagat e mësuesve janë rritur vetëm tri herë dhe të tria herët është një tallje me mësuesit, pasi pagat janë rritur gjithmonë përpara fushatës zgjedhore”.

Në dy mandatet e saj, qeveria e Edi Ramës ka rritur tri herë pagat e arsimtarëve. Praktikisht, çdo muaj parazgjedhor. Në 2017-ën, në 2019-ën e së fundmi vetëm pak muaj para zgjedhjeve qendrore. Përkatësisht me 10, 7 dhe 15 për qind. Ndonëse kjo është më e madhja rritje që iu është bërë mësuesve, këta të fundit janë të zhgënjyer pas pritshmërive të mëdha që kishin. Prej vitesh ata nuk marrin dëmshpërblim në fund të vitit, gjë për të cilën ndihen të diskriminuar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular