Publikimi i disa pamjeve në rrjet ku Ermal Mamaqi kishte mbledhur dhjetëra persona në një trajnim “sesi të bëhesh i suksesshëm”, shkaktoi zemërim të madh në vend.
Reagimi i ashpër erdhi nga studentët, të cilët nuk mblidhen në auditore, madje edhe provimet i japin online.
Po a ka marrë masë qeveria ndaj Mamaqit?
Kryeministri Edi Rama tha se veprimi i tij nuk është toleruar dhe për këtë policia ka vendosur një gjobë. Kreu i qeverisë tha se nuk do të tolerohen as partitë politike.
“Kam shumë respekt për Ermal Mamaqin, se e kam mik, por nuk mundet të japë këtë shembull. Mori gjobën siç e meritoi. Pa llogaritur partitë politike dhe PS. Është harrëse dhe moskujdesje, por nuk do ketë tolerim. I kuptoj shumë mirë studentët që duan të kthehen në auditore, por nuk janë kthyer në vende të tjera. Po shikohet një kërkesë e ministrisë për provimet që nuk mund të bëhen online. E di që në kafe nuk respektohen masat. Nuk janë masat që e kanë fajin, janë këta që i shkelin. Nëse do flasim për shtrëgim masash, vendos komiteti teknik.”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se rritja e rasteve të numrit të vdekjeve dhe infeksioneve që prej fillimit të këtij viti ishte e pritshme për autoritetet.