BallinaKryesoreKeqmenaxhimi – Gropat financiare të buxhetit të vitit 2021

Keqmenaxhimi – Gropat financiare të buxhetit të vitit 2021

Procesi i përgatitjes, rishikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të Buxhetit të të gjithë shqiptarëve ka lejuar shkelje të rënda të disiplinës fiskale nga entet publike, sidomos gjatë viteve 2014-2020, në kundërshtim flagrant me kërkesat e Ligjit nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.

Nga Bujar Leskaj

Edhe pse Buxheti i Shtetit për këtë vit është glorifikuar në ekstrem nga qeveria, shqetësimet e shprehura nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe kohët e fundit edhe nga misioni online i Fondit Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se realizimi i parametrave kryesorë të këtij buxheti lë shumë për të dëshiruar. Institucionet ndërkombëtare i konsiderojnë objektivat e realizimit të të ardhurave buxhetore, të deficitit buxhetor, investimeve kapitale dhe borxhit publik si vështirësisht të realizueshme për këtë vit.

Dhe në të vërtetë, procesi i përgatitjes, rishikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të Buxhetit të të gjithë shqiptarëve ka lejuar shkelje të rënda të disiplinës fiskale nga entet publike, sidomos gjatë viteve 2014-2020, në kundërshtim flagrant me kërkesat e Ligjit nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Një papërgjegjshmëri e tillë, e ngritur në sistem, ka ulur ndjeshëm kredibilitetin e Buxhetit të Shtetit. Ky proces ka mundësuar marrjen e angazhimeve financiare (projekte të mëdha e të vogla, koncesione, PPP etj.), jo në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi dhe krijimin e detyrimeve të mëdha të prapambetura, të cilat janë kthyer në mina lundruese me risk të jashtëzakonshëm mbi financat publike gjatë këtij viti 2021 dhe në vijimësi.

Dobësitë dhe thyerjet e sistemeve të kontrollit përgjatë të gjithë ciklit buxhetor, programimi i dobët, çeljet buxhetore, alokimet dhe rialokimet e fondeve jo gjithmonë të dokumentuara, pasuar me mos regjistrim të qëllimshëm të shpenzimeve, për të qëndruar në vlerën e buxhetit të miratuar, me marrjen e angazhimeve buxhetore nëpërmjet hapjes së tenderave ose nënshkrimit të kontratave, pa pasur në dispozicion fondet e miratuara në buxhet (rasti më i fundit flagrant, ai i Tunelit të Llogarasë), mos regjistrimi, regjistrimi pjesor apo regjistrimi jo në periudhën e duhur buxhetore të kontratave publike, si dhe raste të realizimit formal të shpenzimeve, kryesisht për investime, në fund të vitit, përbëjnë devijime të rënda të disiplinës së Buxhetit të Shtetit për vitet 2017-2020.

Një zotim absurd që ka goditur rëndë kredibilitetin e Buxhetit të Shtetit për këtë vit e përbën angazhimi qeveritar për realizimin me 10.6 për qind tejkalim, të të ardhurave buxhetore. Një tejkalim i tillë nuk është vërejtur deri tani në asnjë nga të gjitha 30 vitet fiskale ushtrimore 1991-2020. Mesatarja e tejkalimit të të ardhurave të Buxhetit (flasim për shifra absolute të ardhurash buxhetore në nivele 2.8-3.6 miliardë euro) ka qëndruar në 3-4 për qind më shumë, edhe në vitet më të mira të rritjes ekonomike (2002, 2008, 2018). Tejkalimi i të ardhurave me 10.6 për qind, si parashikim për këtë vit, është përcaktuar qëllimisht kaq i lartë nga qeveria (pa asnjë studim shkencor mbështetës për këtë nivel), në mënyrë që të deklarojë shpenzime të fryra në kohë pandemie dhe investime të larta publike, për të fituar pikë zgjedhore, përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021.

Mosrealizimi i këtij treguesi gjatë këtij viti do të përbëjë një gropë të madhe financiare, ku do të gremisen treguesit kryesorë makroekonomikë të vendit, si Borxhi Publik, Deficiti Buxhetor, si dhe investimet publike të reklamuara me butafori të madhe si më të mëdhatë e dhjetë viteve të fundit. Kultura më e thjeshtë dhe standard ekonomike dhe financiare ta do që në periudha krizash, gjëja më e paktë që mund të bësh, është të përmbash investimesh, për të korrigjuar raportin shpenzime-të ardhura, në favor të këtyre të fundit.

I pari që do ta ndiejë mosrealizimin dramatik të të ardhurave buxhetore për këtë vit, do të jetë treguesi i borxhit tonë publik, i cili do të katapultohet në pothuajse 100 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (ose mbi 12.7 miliardë euro), së bashku me borxhin e padeklaruar të detyrimeve të prapambetura dhe pagesave nga zbatimi i kontratave të partneriteteve publik-privat. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (https://www.financa.gov.al/wp-content/uploads/2020/11/Detyrimet-e-Prapambetura-Shtator-2020.pdf), që nga viti 2014 deri në vitin 2020, borxhet jashtë llogarive fiskale, zëri që përfaqëson detyrimet e prapambetura, arritën në 70 miliardë lekë në shtator 2020, ose 570 milionë euro. Një audit i brendshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë gjeti se në vitin 2019, mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk ishte kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e Thesarit (SIFQ). Krijimi i detyrimeve erdhi nga keqfunksionimi i të gjithë zinxhirit, që nga procesi i planifikimit e deri te përdorimi i fondeve. Akumulimi i detyrimeve të prapambetura ka dalë jashtë kontrollit, kryesisht prej kapaciteteve të mangëta menaxhuese.

Detyrimet e prapambetura për periudhën 2014-2020 janë krijuar për disa arsye kryesore. Së pari, në shumë raste, kontratat për investime realizohen përtej parashikimeve buxhetore. Kjo po ndodh tani edhe me projektin e Tunelit të Llogarasë. Së dyti, autoritetet kontraktuese ndryshojnë destinacionin e fondeve nga një projekt në një tjetër. Skandali i mirëfilltë i fundit në këtë drejtim është ai i projektit të Rrugës Vlorë-Orikum, i denoncuar edhe nga Presidenti i Republikës. Shpesh, projekti i ri ka nevoja më të mëdha për financime dhe bëhet shkak për akumulim detyrimesh, duke anashkaluar rregullat e Buxhetit të Shtetit.

Ligji për Menaxhimin Buxhetor në Republikën e Shqipërisë është shumë i rreptë për marrjen e angazhimeve (firmosje kontratash) nga institucionet publike pa pasur fondet në dispozicion. Kur nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme merr përsipër angazhime jashtë fondeve të parashikuara në buxhet ose në kundërshtim me këtë akt apo akte të tjera ligjore, ai/ajo është përgjegjës për shlyerjen e detyrimit. Po ky ligj nuk është zbatuar asnjëherë dhe shumë persona duhet të hetoheshin, ndërkohë që deri më tani nuk është marrë as edhe një masë e vetme administrative.

Një gropë tjetër e madhe e hapur në menaxhimin e Buxhetit të Shtetit për këtë vit e përbëjnë pagesat për të 14 koncesionet dhe PPP-të ekzistuese, të cilat kapin shifrën tejet të lartë prej 118 milionë eurosh. Financat tona publike kanë vepruar deri tani me papërgjegjshmëri të skajshme dhe nivel të ulët profesionalizmi, jo vetëm në nënshkrimin e kontratave respektive, duke ia lënë pothuajse të plotë riskun Buxhetit të Shtetit, por edhe në administrimin e tyre. Kontratat koncesionare nuk regjistrohen brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i tyre dhe nuk regjistrohen për vlerën e plotë të angazhuar. Konkretisht, sipas gjetjeve të auditimeve të KLSH-së, të zhvilluara gjatë vitit 2019, kontrata e koncesionit të rrugës së Arbrit është regjistruar 9 muaj me vonesë, kontrata e koncesionit për subvencionimin e mirëmbajtjes të autostradës Milot–Morinë është regjistruar rreth 3 vite me vonesë, kontratat e koncesioneve të incineratorëve regjistrohen të copëzuara vit pas viti dhe një kontratë e lidhur nga Bashkia Tiranë për ndërtimin e shkollave nuk rezulton të jetë regjistruar fare! Audituesit e KLSH-së kanë konstatuar se çeljet buxhetore të financimit të kërkuar për këto kontrata nuk përputhen me vlerat e kontraktuara, sipas viteve respektive.

Duke marrë në konsideratë që përgjatë këtij viti dhe në 4 vitet e ardhshme do të vihen në funksionim një numër i madh projektesh të reja koncesionare dhe PPP, në veçanti në fushën e infrastrukturës publike, pagesat për këto detyrime të krijuara rishtazi do të rriten me shifra shqetësuese, duke e rrezikuar seriozisht Buxhetin e Shtetit.
Pritshmëritë për uljen e të ardhurave tatimore edhe gjatë këtij viti, si pasojë e efekteve negative ende mbizotëruese mbi ekonominë tonë nga pandemia e Koronavirusit, sjellin një risk të shtuar për respektimin e kufirit të pagesave për koncesionet/PPP në nivelin e 5% të të ardhurave tatimore të vitit ushtrimor të mëparshëm, në kushtet kur pagesat faktike rezultojnë në tejkalim të planit të miratuar dhe në mos regjistrim të angazhimeve të ndërmarra në Sistemin e Informacionit Financiar Qeveritar (SIFQ) për kontratat e nënshkruara.

Duhet theksuar se gropat e mësipërme financiare të Buxhetit janë krijuar me vetëdije të plotë nga strukturat përgjegjëse të qeverisë së sotme, duke parashikuar një sërë aktesh normative korrigjuese, për të mbushur gropat kryesore, si mosrealizimi i pritshëm i të ardhurave buxhetore dhe i treguesit të investimeve publike. Për qeverinë e përfshirë nga ethet e garës zgjedhore, rëndësi ka nisja e shpenzimeve marramendëse elektorale, pa respektuar madje as edhe kufirin kohor buxhetor të datës 20 janar 2021 për të bërë çelje fondesh për projekte të reja. Shkelja e qëllimshme me të dyja këmbët nga ana e qeverisë, e kërkesave të Ligjit nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, do t’i sjellë financat publike të vendit në një rrezik real dhe të lartë të falimentimit dhe mospërmbushjes së detyrimeve të shërbimit të borxhit publik, kryerjes së investimeve të domosdoshme për rimëkëmbjen e ekonomisë, shmangies së risqeve të borxhit të stërmadh të pushtetit vendor, të borxhit të akumuluar tatimor dhe shpëtimit të skemës së sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.

Vetëm fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit do të mund të rikthejë kredibilitetin e humbur në realizimin e Buxhetit të Shtetit për këtë vit dhe vitet në vijim. Programi ekonomik i kësaj partie, i prezantuar nga Kryetari Basha është realist, me shpirt patriotik, i mbështetur në burimet reale të zhvillimit të vendit dhe në avantazhet krahasuese të tij në rajon e më gjerë.

Programi do të sjellë ringritjen e familjes shqiptare dhe rikthimin e shpresës dhe perspektivës për rininë tonë. Ai mundëson, nëpërmjet subvencionimit të karburantit për operatorët turistikë, sprovën e parë për mbështetje direkte nga Buxheti i Shtetit për këtë sektor, i cili ka përbërë lokomotivën e eksporteve shqiptare të shërbimeve gjatë dekadës së fundit.

Programi ofron zgjidhjen e vetme dhe efektive të daljes nga rrënimi i afërt dhe i pashmangshëm i financave publike, ku ka çuar qeverisja e papërgjegjshme dhe e korruptuar e sektit Rama. Programi bazohet në rritjen e konsiderueshme të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për vitet 2021-2024, nga miradministrimi fiskal, disiplinimi i financave publike dhe luftës totale kundër korrupsionit dhe dukurive të kapjes së Shtetit, të denoncuara nga të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular