Eksperti i ekipit të OBSh-së, Peter Ben Embarek në konferencën e shtypit në Wuhan

Virusi ka të ngjarë të kërcejë nga një kafshë në një bartës ndërmjetës e më pas te njerëzit

Një nga ekspertët e ekipit të OBSh-së, Peter Ben Embarek, tha se ekipi erdhi në Wuhan me dy objektiva, njëri është që të kuptojë më mirë fillimin e shpërthimit të koronavirusit në Wuhan në dhjetorin e 2019-s dhe tjetri është të studiojë se si ndodhi, përkatësisht se si u shfaq virusi dhe si u infektuan njerëzit. Ai tha se tani ekspertët kanë më shumë hollësira mbi gjendjen e hershme.

Embarak nënvizoi se ekipi i përbashkët Kinë-OBSh zhvilloi një vlerësim shkencor të katër rrugëve të mundshme se si virusi arriti tek njerëzit: virusi kërceu drejtpërdrejt nga kafsha tek njeriu, virusi u transmetua nga një kafshë tek një bartës ndërmjetës dhe pastaj te njerëzit, virusi u transportua përmes zinxhirit të ftohtë dhe virusi doli nga një laborator.

Hulumtimi i tyre në Wuhan arriti në përfundimin se virusi ka shumë të ngjarë të ketë kapërcyer nga një kafshë në një “mikpritës” ndërmjetës dhe më pas tek njerëzit.

Po ashtu, ai tha se ka gjasa transmetimi i drejtpërdrejt nga kafsha tek njeriu ose zinxhiri i ftohtë.

Sidoqoftë, eksperti i OBSh-së përjashtoi mundësinë që koronavirusi i ri të kishte dalë nga laboratorët, duke thënë se nuk ka shumë gjasa dhe se ata nuk do të punojnë për këtë hipotezë në lidhje me gjurmimin e virusit në të ardhmen.

Embarek u bëri thirrje vendeve të zgjerojnë bazën e të dhënave globale të viruseve, duke përfshirë të dhënat e sekuencës gjenetike të viruseve të lidhura dhe të gjejnë raste më të hershme të infektimit si dhe të kontrollojnë mostrat e hershme të gjakut në të gjithë botën. Për më tepër, shkencëtarët duhet të mbledhin më shumë mostra jo vetëm nga Kina, por edhe nga vendet e tjera. (Wang Lei/Albana)