BallinaKryesoreBabai i arrestuar në 2016-ën, kush është kandidati për deputet që prezantoi...

Babai i arrestuar në 2016-ën, kush është kandidati për deputet që prezantoi Rama

Në kuadër të platformës “Deputeti që Duam” kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e sotme një takim me një pjesë të finalistëve të cilët pritet të jenë kandidatë për deputetë për të përfaqësuar PS-në në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Mes 10 finalistëve të përzgjedhur është edhe Kabir Fishta, i diplomuar në Zvicër.

Po kush është Kabir Fishta?

Kabir Fishta është djali i Seit Fishtës, biznesmen në fushën e ndërtimit dhe ish-kryetar i Komunës së Velipojës.

Seit Fishta, ish kandidat i PS për deputet, është arrestuar në vitin 2016 për zaptim pronash, mashtrim dhe ndërtim pa leje. Ndërsa në kohën e arrestimit ai hetohej në gjendje të lirë për 9 pallate që po ndërtoheshin në mënyrë të jashtëligjshme në Velipojë.

Historiku i hetimeve mbi Seit Fishtën

Prokuroria e Shkodrës, në vitin 2016, ka zhvilluar fillimisht hetime për ”shpërdorim detyre” ndaj anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të Komunës Velipojë, në bazë të të cilave u krijuan dyshime të arsyeshme se 9 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës Velipojë, kishin dhënë në kundërshtim me ligjin disa leje ndërtimi në favor të ”Fishta” shpk.

Në bazë të atij hetimi, KRRT-ja e Komunës Velipojë i kishte dhënë ’Fishta” shpk., leje ndërtimi për ngritjen e disa godinave, pjesë e një kompleks turistik. Por, në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se këto leje ndërtimi ishin dhënë në zonën bregdetare, të cilat duhet të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit (KKRRT).

Për këto shkelje, të gjithë ish-anëtarët e KRRT-së së Komunës Velipojë tashmë janë në proces gjyqësor, në të cilin akuzohen nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale të ”Shpërdorimit të detyrës”. Gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara ndaj ish-zyrtarëve të komunës, të cilët aktualisht janë të pandehur, Prokuroria e Shkodrës njoftoi zyrtarisht edhe administratorin e ”Fishta” shpk, shtetasin Seit Fishta, se leja që ai kishte marrë për ndërtimin e kompleksit turistik ishte e paligjshme dhe nuk mund të vijoheshin punimet e nisura për ngritjen e godinave.

Por, nga veprimet e kryera në terren, rezultoi se subjekti ”Fishta” shpk, pavarësisht se ishte në dijeni për parregullsitë në lejet e ndërtimit, ka vijuar punimet në këto godina.

Gjendur në këto kushte, si edhe për të ndërprerë vijimin e paligjshmërisë, Prokuroria e Shkodrës në kuadër të hetimeve që po zhvillon ndaj administratorit Seit Fishta për veprën penale të ”Ndërtimit të paligjshëm”, mori lejen nga gjykata për të vendosur sekuestron preventive për ndërtimet në zhvillim, si më poshtë:

– Dy pallate 6 kate mbi tokë

– Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e katërt

– Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e tretë

– Një pallat në ndërtim, aktualisht në katin e parë

Në bazë të lejeve të paligjshme të ndërtimit, godinat planifikoheshin që të ndërtoheshin deri në 6 kate.

Çfarë tha gjatë prezantimit Kabir Fishta

Gjatë prezantimit të tij ai u shpreh se prioritet i tij do jetë kërkesa ndaj qeverisë për të shtuar vëmendjen edhe më shumë ndaj qytetit të tij të lindjes.

Kam përfunduar studimet në Zvicër. Një nga prioritetet kryesore të miat është kërkesa ndaj qeverisë për të shtuar vëmendjen ndaj qytetit të Shkodrës sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm”, tha ndër Fishta.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular