BallinaAktualitetMe oksigjen në shtëpi, ikja e dritave i merr jetën pacientit/Zbardhet dëshmia...

Me oksigjen në shtëpi, ikja e dritave i merr jetën pacientit/Zbardhet dëshmia e të afërmit…

Ndërprerja e energjisë elektrike ka rezultuar fatale për jetën e një të sëmuri me COVID-19 në zonën e Kamzës. Ngjarja nuk ka ndodhur sot, por mesnatën e 19 shkurtit, teksa i sëmuri po trajtohej në kushte shtëpie dhe mungesa e energjisë elektrike ka nxjerrë jashtë funksioni aparaturën e oksigjenit.

“Bëhet fjalë për një rast në Kamzë. Ka qenë një person i sëmure me Covid-19, i cili po trajtohej në kushte shtëpie. Me rëndimin e gjendjes shëndetësore, ai e kishte të domosdoshme që të trajtohej dhe me oksigjen dhe familjarët bënë të pamundurën dhe ia siguruan aparaturën. Po teksa gjendja e tij ishte mjaft e rënduar, mesnatën e 19 shkurtit u ndërpre energjia elektrike për rreth 2 orë në zonën e Kamzës dhe i sëmuri brenda pak minutash ndërroi jetë, pasi aparatura e oksigjenit funksionon përmes energjisë elektrike”, thotë Dhimitër Koleci, i afërm i personit që ndërroi jetë.

Por ky nuk është rasti i parë që Covid, direkt ose indirekt, u ka marrë jetën të afërmeve të tij. Koleci tregon se dhjetëra të sëmurë me koronavirus po trajtohen me aparatura oksigjeni në banesat e tyre dhe ndërprerja e energjisë elektrike është kthyer në rrezik serioz për jetën e tyre.

“Siç e dini, COVID-19 ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë për familjen Cara në Rubik. Brenda një jave, virusi u ka marrë jetën çiftit të bashkëshorteve, përkatësisht 83 dhe 72 vjeç, dhe djalit të tyre të vetëm, 42 vjeç. U infektuan dhe fillimisht u trajtuan në shtëpi të tre pjesëtarët e familjes. Më pas, djali dhe e ëma u transferuan në spital ku dhe gjetën vdekjen, ndërsa i zoti i shtëpisë ka vdekur në shtëpi.

Kanë blerë aparaturën e oksigjenit, e cila funksionon me energji elektrike. Dua të them se po përdoret oksigjeni në shtëpi përmes disa aparaturave që nuk janë të përshtatshme, nuk kanë oksigjenin e duhur për të furnizuar këta njerëz. Një katastrofë tjetër është ndërprerja e energjisë elektrike dhe këto aparatura punojnë me energji elektrike dhe menjëherë i ndërpritet oksigjeni. Kjo situatë po sjell fatalitet për shumë të sëmure që e kanë të domosdoshëm oksigjenin”, tregon Koleci.

Rastet e të sëmurëve me COVID-19 që trajtohen me oksigjen në banesat e tyre janë të shumta. Bektash Keta tregon se babai i tij 76 vjeç u prek nga virusi dhe është trajtuar me aparaturë oksigjeni në kushte shtëpie.

“Babai im është 76 vjeç dhe u prek nga COVID-19 në fillim të muajit shkurt. Duke qenë se ka punuar shumë në minierë, gjendja e tij nisi duke u rënduar. Nga pasiguria që kishim për ta dërguar në spitalet COVID në Tiranë, vendosëm që ta trajtojmë në kushte shtëpie. Duke parë gjendjen e rënduar shëndetësore, mjekët na rekomanduan që të vendoset në oksigjen. Në këto kushte, u vumë në lëvizje dhe arritëm ta gjejmë aparaturën e oksigjenit në Maqedoni, e cila na kushtoi 1 mijë euro”, thotë Keta teksa shton se duke qenë se babai jetonte në fshat, ndërprerjet e energjisë elektrike ishin të shpeshta.

Kjo bënte që jo pak herë aparatura dilte jashtë funksioni, ndërsa jeta e pacientit të varur nga ajo aparaturë, mund të bënte rolin e kundërt.

“Aparatura e oksigjenit funksionin me energji elektrike, por duke qenë se babai jeton në fshat, ndërprerjet e energjisë ishin të shpeshta. Një natë u ndërprenë dritat e në të njëjtën kohë dhe oksigjeni. Gjendja e babait u rëndua shumë dhe iu rrezikua jeta. Në këtë situatë arritëm të gjejmë një gjenerator dhe e vumë në punë shpejt, duke i rikthyer oksigjenin. Që prej asaj nate e kemi mbajtur gjeneratorin në gatishmëri derisa sa babai e kaloi virusin dhe gjendja e tij u përmirësua”, tregon Keta.

Mjeket në Lezhë që po trajtojnë të sëmurët me COVID-19 nuk pranojnë të flasin zyrtarisht në lidhje me këtë problematikë, nga frika e largimit nga puna.

Në kushtet e anonimatit, një nga mjeket e spitalit u shpreh se që nga nisja e pandemisë janë një numër jo i ulët pacientësh të infektuar me COVID-19, të cilët janë trajtuar në kushte shtëpie me aparatura oksigjeni.

“Që nga muaji tetor e në vazhdim është një numër i konsiderueshëm personash, të cilët janë detyruar të blejnë apo marrë me qira aparatura oksigjeni për t’u trajtuar në kushte shtëpie. Ato aparatura funksionojnë me energji elektrike dhe normalisht që ndërprerjet e energjisë janë një rrezik për jetën e pacienteve që trajtohen me oksigjen”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular