Viti pandemik ka trazuar jo pak bizneset. Por krahas sfidave që shtroi pandemia, duket se shqetësim madhor për bizneset vijon të mbetet korrupsioni.
Ndërsa e cilësoi si kërcënimin më të madh për të ardhmen e ekonomisë shqiptare, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, tha se nëse nuk e adresojmë nuk do të arrijmë dot të bëjmë progres. Jaço vuri theksin te krijimi i një programi me mekanizma konkretë që lufton korrupsionin, garancitë për respektimin e ligjit për Konsultimin Publik dhe rëndësia e modernizimit të sistemit të taksave, fuqizimi i eksporteve, ekonomisë dixhitale dhe orientimi i fuqisë punëtore.
PANDEMIA
Gjatë konferencës vjetore, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, u ndal edhe te sfidat e pandemisë, duke veçuar tri çështje kryesore që kërkojnë adresim.
Së pari, aksesin në financim dhe mundësia e të pasurit kapital të mjaftueshëm për operacionet e bizneseve si dhe rëndësinë e krijimit të fondeve dhe instrumenteve alternative për financim.
Së dyti, ai theksoi rëndësinë e ngritjes së infrastrukturës mbështetëse, ligjore apo ekosistemi i duhur për të mbështetur trendët, ku ekonomia shqiptare është e papërgatitur. Së treti, Jaço theksoi se është e rëndësishme që sektori shtetëror të adaptohet dhe të vendosë në shërbim të bizneseve mjetet e duhura për këtë normalitet të ri.
Më tej, Jaço vlerësoi rezistencën dhe kontributin e anëtarëve të “AmCham” në aspektin social dhe ekonomik të vendit, ndërsa solli vëmendjen e autoriteteve për mekanizma të reja mbështetëse ndaj komunitetit të biznesit. “Por pavarësisht rezistencës dhe përballjes, efekti ka qenë shumë i madh dhe e ka thelluar brishtësinë e ekonomisë. Si rrjedhojë, anëtarët e Dhomës Amerikane po përballen dhe do vijojnë të përballen me sfida që kërkojnë vëmendje”, u shpreh Presidenti i Dhomës Amerikane.