Punësimi do të vijojë të jetë përparësi gjatë hartimit të politikave makroekonomike të qeverisë, theksoi kryeministri kinez Li Keqiang në një konferencë shtypi të organizuar të enjten pas mbylljes së sesionit vjetor legjislativ të vendit.
Vitin e kaluar Kina krijoi 11.86 milionë vende pune në zonat urbane dhe objektivi i sivjetshëm është krijimi i mbi 11 milionë vendeve të reja të punës në qytete. Sipas kryeministrit, politikat qeveritare do të vazhdojnë të mbrojnë subjektet e tregut për të garantuar realizimin e këtij objektivi.
Parashikimi i rritjes ekonomike të sivjetshme u caktua mbi 6%. Lidhur me këtë objektiv, kreu i qeverisë kineze tha për mediet se objektivi synon ruajtjen e vazhdueshmërinë e zhvillimit dhe konsolidimin e rigjallërimit ekonomik të vendit. Sipas tij, Kina është një vend në zhvillim, ka edhe një rrugë të gjatë drejt modernizimit. Zhvillimi i Kinës do të jetë kontribut i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe begatinë botërore.
Për marrëdhëniet me ShBA-në, kryeministri kinez vuri në dukje se Kina dhe ShBA-ja ndajnë interesa të përbashkëta dhe mund të zhvillojnë bashkëpunim në shumë fusha. Vitin e kaluar ,pavarësisht vështirësive të shumta, vëllimi i përgjithshëm tregtar Kinë-ShBA arriti në 4.41 trilionë dollarë amerikanë, shifër kjo 8.8% më të lartë në krahasim me vitin 2019. Të dyja palët duhet të përqëndrohen tek këto interesa dhe duhet t’i nxisin marrëdhëniet kino-amerikane drejt stabilitetit të përgjithshëm.
Pala kineze dëshiron të ndjekë frymën e bisedës së fundit midis presidentëve të dy vendeve, duke respektuar interesat thelbësore dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.
Siç mësohet, diplomatët e lartë kinezë do të zhvillojnë dialog strategjik me homologët e tyre amerikanë, sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan në Alaskë më 18 dhe 19 mars me ftesën e palës amerikane.
Në konferencën e shtypit, kryeministri ritheksoi edhe zotimet për përmirësimin e mjedisit të biznesit ndaj investitorëve të huaj dhe nxitjen e hapjes së mëtejshme të tregut të brendshëm.