BallinaKryesore22 vjet nga nga bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe

22 vjet nga nga bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe

Sot bëhen 22 vjet nga dita kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë, njofton RTK.

I dërguari amerikan atëbotë Richard Holebrooke, kishte bërë përpjekje deri në çastet e fundit, para se t’i raportonte sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se misioni i tij kishte dështuar.
“Procesi tash u kthehet simbolikisht dhe formalisht juve. Tash është çështje e NATO-s. Dua të them se kanalet diplomatike do të mbeten të hapura. Por, misioni ynë, ai që e përmbyllëm disa orë më parë, nuk duket të prodhojë ndonjë lëvizje, prandaj presidenti Bill Clinton dhe sekretarja Albright na kërkuan të kthehemi”, theksonte  Holebrooke.

Presidenti amerikan, Bill Clinton, tha në atë kohë se misioni i NATO-s synon të parandalojë sulmet e përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë.

“Forcat serbe po shkojnë nga fshati në fshat duke bombarduar civilët dhe duke djegur shtëpitë e tyre. Kemi parë njerëz të pafajshëm që janë nxjerrë nga shtëpitë, janë detyruar të ulen në gjunjë dhe janë qëlluar me breshëri plumbash. Burrat ne Kosovë janë ndarë nga familjet, etër dhe bij janë vënë në radhë dhe janë vrarë me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin tradicional. Ky është një sulm me tanke e artileri mbi njerëzit e pambrojtur udhëheqësit e të cilëve tashmë janë pajtuar për paqen”, tha presidenti Clinton.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Paqeruajtësit e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara u përballën me pasojat e rënda të luftës, varrezat masive dhe shkatërrimet në shkallë të gjerë.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tani është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular