Që prej orës 16:40 të datës 23 mars, një zjarr i madh ka rënë në një magazinë pranë mbikalimit të Kasharit pranë qendrës tregtare “Casa Italia”. Edhe pse kanë kaluar shumë orë, zjarri ende nuk është fikur plotësisht si dhe nuk është gjetur trupi i Arjan Salës, roja i sigurisë, i cili ka mbetur brenda.
Ai ka shkuar që të shpëtojë kolegët e tij, e fatkeqësisht ka mbetur vetë në magazinë dhe ende nuk ka asnjë informacion për të. Magazina ka qenë me veshje tekstile, vatrat e mëdha të zjarrin kanë arritur të shuhen.
Sot është bërë e mundur prishja e murit anësor të magazinës me qëllim që kërkimet të jenë më të shpejta. Kjo ngjarje e rëndë u diskutua sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku i ftuar në studio ishte ish-drejtori i emergjencave civile, Shemsi Prençi, i cili tha se ka qenë pranë zjarrit.
Fillimisht Shemsi u shpreh se institucionet përkatëse duhej ta kishin shpallur hero 33-vjeçarin që shpëtoi 25 persona, por vetë ngeli brenda në magazinë.
“Edhe pse në detyrë civile, ka arritur që të shpëtojë kolegët e tij, por institucionet nuk kanë bërë asnjë operacion shpëtim-kërkimi”, tha Prençi. Ky i fundit shtoi se “niveli i drejtimit dhe kërkimit në zjarr, të shkaktuar aty, është për të ardhur keq”.
“Atje është vetëm përgjegjësi i zjarrfikësit të Tiranës, aty nuk ishte shteti. 24 orë me vonesë kanë shkuar shërbimet e ushtrisë. Zjarrfikësi i Tiranës ka 6 stacione. I Vorës, Kamzës, Institutit, kanë shkuar të gjithë, por janë të pamjaftueshme. Në pikëpamje të kapaciteteve për të fikur zjarrin nuk duhet vetëm ujë, por edhe shkumë për të ulur zjarrin. Aty duhej të ishte edhe ministri i Brendshëm dhe i Mbrojtjes”, tha ai.
Preni u shpreh se edhe vetë magazina duhej të kishte shumë mjete mbrojtëse aty për të fikur zjarrin, që i riu të mos shkonte të ndihmonte punëtorët.
“Plani i emergjencës civile që duhet të ndërmarrë një biznes para se të hapet. Nëse nuk i ka, qeveria nuk duhet ta lërë ta hapë këtë biznes. Me keqardhje nuk i ka asnjë biznes këtë plan emergjence”, tha Shemsi.
Sipas tij, mund të ketë rrezik të shembjes së ndërtesës, e duhet të ketë kujdes që të mos ngelin viktima zjarrfikësit.