BallinaBotaDrejtuesit e rrjeteve sociale përballje 6 orëshe mbi lajmet e rreme dhe...

Drejtuesit e rrjeteve sociale përballje 6 orëshe mbi lajmet e rreme dhe ndikimin e sulmeve ndaj Capitol

spot_img
spot_img

Shefat ekzekutivë të kompanive Facebook, Google dhe Twitter u përballën me pyetje të vështira nga ligjvënësit amerikanë, për rolin e këtyre firmave në trazirat në Kongres, më 6 janar, dhe dështimin për të kontrolluar përhapjen e dezinformatave.

Shefat ekzekutivë u përballën me akuza se platformat e tyre të mediave sociale nuk arrijnë të kontrollojnë në mënyrë efektive përmbajtjen.

Seanca virtuale dëgjimore në një komitet të Dhomës së Përfaqësuesve zgjati gjashtë orë. Ligjvënësit thanë se platformat në fjalë promovojnë gjithçka, nga ekstremizmi politik deri te dezinformatat për vaksina.

Shefi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, tha se nuk është e mundur që të kontrollohet e gjithë përmbajtja e dëmshme, pa cenuar liritë. Por, ligjvënësit u shprehën të zhgënjyer me hezitimin e Zuckerbergut, si dhe të kreut të Twitter-it, Jack Dorsey, dhe të Google-it, Sundar Pichai, për të pranuar përgjegjësinë për rolin që platformat e tyre kanë luajtur në sulmin në Kongres.

Më 6 janar, mbështetës të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, u futën dhunshëm në ndërtesën e Kongresit amerikan, derisa ky i fundit po certifikonte fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.

Pesë vetë, përfshirë një zyrtar policor, mbetën të vrarë në trazira. “Si është e mundur që ju të mos pranoni se Facebook ka luajtur një rol qendror në lehtësimin e planifikimit dhe ekzekutimit të sulmit në Kongres”, pyeti ligjvënësi demokrat, Mike Doyle, Zuckerbergun.

“Zgjedhjet tuaja kanë vënë jetën dhe demokracinë tonë në rrezik”, tha ai. Shefat e rrjeteve sociale dhanë detaje për ndryshimet që kanë bërë në platformat e tyre. Ata kujtuan se kanë bllokuar llogaritë e Trumpit, pas pretendimeve të tij të rreme për mashtrime në zgjedhje. Po ashtu thanë se kanë bllokuar qindra mijëra postime që përhapnin dezinformata për sëmundjen COVID-19.

Shefi i Twitter-it, Jack Dorsey, tha se nëse Qeveria amerikane dikton atë që mund dhe nuk mund të thuhet në platforma, një gjë e tillë mund t’i kthejë ato në shërbime, ku njerëzit nuk mund t’i vënë në dyshim qeveritë.

“Ky është realiteti në shumë vende sot”, tha Dorsey. Seanca u zhvillua me mbështetje të plotë dypartiake. Edhe demokratët, edhe republikanët në Kongres duan ndryshimin e rregullave. Ata kanë vënë në shënjestër Nenin 230 të Aktit të Komunikimeve të Dinjitetshme – një rregull ky që i mbron firmat nga paditja për përmbajtjen që postojnë përdoruesit në faqet e tyre.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje më herët që ky rregull të rishikohet.

Ai sugjeroi krijimin e protokolleve të hapura, që do të shërbenin si udhëzime të përbashkëta për platformat e mediave sociale, kur bëhet fjalë për moderimin e përmbajtjes.

Por, anëtarët e komitetit nuk e mbështetën. Disa, madje, i akuzuan firmat për përdorimin e disa algoritmeve që i çojnë përdoruesit në përmbajtje më përçarëse dhe më ekstreme. Në këtë mënyrë, thanë ata, firmat i mbajnë njerëzit të angazhuar më gjatë dhe i rrisin fitimet.

Shefat e rrjeteve sociale i mohuan pretendimet e tilla dhe thanë se ato pasqyrojnë keqkuptimet rreth funksionimit të algoritmeve.

Të tre ata janë përballur me një sërë dëgjimesh në Kongres, këtë vit. Kjo ishte paraqitja e katërt për Zuckerbergun dhe e treta për Dorseyn dhe Pichain.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular