Nga Ilir Nikolla
Në emigracion po shfaqet pezmi “E kam mallkuar Shqipërinë”…
Kush voton për diskontinuitetin në pushtet, edhe në votoftë për dreqin e birin, e ka kryer detyrën e vet 25 prillin e ardhshëm
Këto ditë në Firenze kam matur pulsin e komunitetit shqiptar lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. Në vend të problematikave zgjedhore, alternativave dhe vlerësimit të kandidimit të të rinjve në listat e partive kryesore, kryet e muhabetit e zë gjithmonë shprehja “E kam mallkuar Shqipërinë” ose “e mallkova atë vend”.
Dëshpërimi ka lidhje kryesisht me pamundësinë e fëmijëve për t’u përkujdesur për prindërit që kanë lënë në mëshirën e sekserëve të spitaleve në Tiranë, ka lidhje me një pushtet që sillet si grabitqar ndaj pronave që kanë ende në shtetin-amë dhe mbi të gjitha ka lidhje me humbjen e shpresës se do të bëhet më mirë.
“E kam mallkuar Shqipërinë” është në fakt trashëgimia që po lë qeverisja 8-vjeçare e Edi Ramës. Kjo zezonë s’mund të mbulohet as me shprehjet kozmopolite të tipit “shqiptarët gjithmonë kanë lëvizur e gjithmonë janë kthyer” e as me – mosoZot – klishe të tipit “jemi dembelë ne shqiptarët, prandaj do të sjellim punëtorë nga jashtë”. Në ndihmë të kësaj fushate antishqiptarie thërrasin shkrimtarë, udhëtarë, bile huazojnë edhe zëra aktorësh, mjaft që të mbahet gjallë ideja se në Shqipëri s’ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme në 8 vitet e qeverisjes së Edi Ramës e se prandaj duhet votuar vazhdimësia.
Në fakt, në një vend të zhytur në depresion ekonomik e shoqëror, s’ka gjë më të mirë se dis-kontinuiteti. Nuk ka pse të ndalemi e të peshojmë hiç. Si kurrë në 200 vjet jetë të diasporës shqiptare në Evropë e SHBA nuk është mbërritur në nivelin “E kam mallkuar Shqipërinë”, siç briste me gjithë shpirt një bashkëqytetari ynë që për një muaj rresht kishte parë t’i zbrazeshin xhepat në oborrin e një spitali në Tiranë, në përpjekje për të shpëtuar jetën e të atit, por që askush s’jepte kurat e nevojshme. “Atje s’kishte as korrupsion të ligjëruar por të linin të vdisje, në rast se s’kuptoje se ku duheshin dhënë lekët, sa dhe si duhej” briste gjithë pezm punëtori lushnjar që kish lënë punën në Itali (duhet imagjinuar sa e vështirë është të lësh punën në këto momente papunësie) për t’u sorollatur dyerve të Tiranës, mes shantazhit të pashpirt, se po të mos paguante, vate jeta e të atit.
Shifrat e emigracionit shqiptar të këtyre 8 viteve janë më të lartat, që nga fillimvitet ’90, bile më të larta edhe se ’97 e pambarimisht më të larta sesa shifrat fillestare, kur u ligjërua lëvizja e lirë më 2010-n. Por as në emigracionin e vjetër antikomunist të pas 1945-s nuk u mbërrit që të mallkohej vendi amë, edhe pse ai qeverisej nga dikatura më e egër e Evropës.
Por këtë nivel e kemi arritur tani, pikërisht se pushteti është i pashpirt ndaj nënshtetasve që ka në hyqëm, dhe që me arrogancën karakteristike të të pashpirtit kërkon një mandat të tretë, pasi nuk kupton se si mund t’i mohohet qeverimi, meqë qeverisjen e konsideron si një të drejtë natyrore. Tek kjo e drejta natyrore ngërthehen edhe krejt metastazat e restaurimit të ish-diktaturës, përmes ikonave pensioniste të regjimit të vjetër dhe bijve e nipave dandy të brezit të dytë e të tretë.
Prandaj, edhe përballë këtij rreziku, thirrja për diskontinuitet duhet të jetë në rendin e ditës të këtij muaji elektoral. Le të votohet për dreqin e të birin, mjaft që të regjistrohet diskontinuiteti, të kryhet një restart në pushtet e të ndalin edhe mallkimet në diasporë. Nëse ndryshimi tremb ndonjërin, le të qetësohet, e kryen detyrën ndaj vetes e të ardhmes nëse gjen një mënyrë për të votuar për diskontinuitetin.