Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur hapjen e konkursit për 32 vendet vakante për hetuesit.
Në një njoftim, BKH thekson se kandidatët duhet të kenë eksperiencë në fushat e përcaktuara në ligj, ndërsa thekson se nëse zgjidhen hetues të kësaj strukture, ata kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore.
PËR SHPALLJE KONKURSI PËR HETUES NË BYRONË KOMBËTARE TË HETIMIT
Byroja Kombëtare e Hetimit, shpall konkursin për 32 (tridhjet e dy) vende vakante për hetues. Kandidatët duhet të kenë eksperiencë në fushat e përcaktuara në Ligjin nr.95/2016“Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në fushat që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së është një proçes sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe me integritet. Ata që janë të suksesshëm në proçesin e përzgjedhjes do t’i bashkohen një skuadre elitë që mbështet Prokurorët e Prokurorisë së Posaçëm të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, objekt i Ligjit nr 95/2016.
Kandidatët për Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të nenit 6 e nenit 38 të Ligjit nr. 95/2016. Një kandidat nuk mund të caktohet në detyrë si Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit pa përmbushur kushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësive profesionale.
Kandidati për Hetues, do të plotësoj dhe dorëzoj, sa më poshtë:
Kritere :
Plotësimi i aplikimit online në web i BKH-së, përfshirë një curriculum vitae elektronike dhe dokumentet mbështetëse. Për të plotësuar Formularin e Aplikimit, shkarkojeni, së bashku me shtojcën B, që gjendet në LINK 1;
Deklaratë me shkrim mbi motivimin për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Të jetë shtetas shqiptar;
Të gëzoj cilësi të larta profesionale dhe morale;
Të ketë arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet/(Ekonomik, Teknologji e Informacionit, etj), ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj;
Të ketë një përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, e vërtetuar me vërtetime nga organi prokurorisë dhe gjykata;
Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit dhe përpara momentit të aplikimit;
Vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet për aftësitë e tij /saj profesionale, etike dhe integritetin moral;
Të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
Në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
Një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të pohojë se kandidati nuk është palë ose përfaqësues ligjor në çështje që janë objekt hetimi nga BKH dhe Prokuroria e Posaçme.
Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës dhe e listës së notave;
Fotokopje e letërnjoftimit elektronik (kartës së identitetit);
Fotografi dokumentesh 6×4, copë 2;
Letër reference nga punëdhënsi i mëparshëm ose aktual.
Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes plotësojnë dhe nënshkruajnë vetëdeklarimin, sipas shtojcës B, (deklarata 2 e deklarata 3), të ligjit 95/2016, sipas së cilës, nëse caktohet në detyrë apo punësohet, telekomunikimet e tyre, si dhe llogaritë bankare do të jenë objekt vëzhgimi, si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime, dhe i dorëzojnë ato tek struktura e përcaktuar .
Pasi të jeni siguruar që keni plotësuar si duhet të gjitha fushat e informacionit të Formularit të Aplikimit, nënshkruajeni dhe skanojeni atë.
Formulari i Aplikimit dhe dokumentet e skanuara, që kërkohen, dërgojini në adresën e e – mailit: [email protected].
III. Testimet e përzgjedhjes.
Nëse vlerësohen si kandidatë të mundshëm, aplikantët do t’i nënshtrohen procesit të mëposhtëm të përzgjedhjes ( Testimet e përzgjedhjes, LINK 2, LINK3):
Një provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik;
Një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit;
Një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë;
Një testim të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike;
Dhënia e pëlqimit për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit.
Kontrolli i verifikimit të pasurisëdhe figurës;
Kandidati i pranuar do ti nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të çertifikohet. Pasi është çertifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.
Byroja Kombëtare e Hetimit zbaton politikën e barazisë në të gjitha praktikat e punësimit. Barazia e mundësive është prioritet i lartë i Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk diskriminon asnjë kandidat në mënyrë të paligjshme, të padrejtë apo të paarsyeshme në bazë të gjinisë, statusit martesor, orientimit seksual, fesë apo besimit, racës, kombësisë apo origjinës etnike.
Aplikimet duhet të dërgohen me email në adresën [email protected], jo më vonë se të marten, 20. 04. 2021.