Një sasi tritoli ka shpërthyer dje në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lushnjës. Sipas Policisë, ndërtesa ku ishte vendosur lënda plasëse është në pronësi të shtetasit Arjan Aliço, i dënuar për tentative vrasjeje, së bashku me të birin, Xhino Aliço. Sasia e eksplozivit që shpërtheu në mëngjes ishte vendosur në derën e jashtëm të një ambienti që më parë ka shërbyer si dyqan. Për fat të mirë, nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
“Rreth orës 03:25, në lagjen ‘Skënder Libohova’, Lushnjë, në derën e jashtme të një ambienti që ka shërbyer më parë si dyqan, në pronësi të shtetasit A. A., ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse. Për pasojë është dëmtuar vetëm dera (qepeni) i këtij ambienti. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi Policia.
Pronari
Arjan Aliço ishte arrestuar në Tiranë në shkurt të vitit 2009, gjatë operacionit të koduar “I fundit”, që mori këtë emër për shkak se Aliço ishte anëtari i fundit i bandës së Lushnjës. I njohur si “Polici” i Aldo Bares, Arjan Aliço u arrestua në mesnatë, në shtëpinë e tij në kryeqytet, ku jetonte me qira. Ka qenë e dashura e Aliços ajo që ka çuar Policinë në gjurmët e tij, edhe pse kishte gati 3 vite në survejim, shkruan panorama.
Vajza, e cila ka qenë duke u kthyer nga Lushnja për në Tiranë, është ndjekur deri në shtëpinë ku ajo jetonte me Aliçon. Policia bëri të ditur se arrestimi i Aliços u bë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda më datë 21 prill 2006 kishte nxjerrë ndaj tij masën e sigurimit “Arrest me burg”, për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Dhunimi i varreve”. Ndërkohë ende nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për vrasje të kryera nga Aliço, edhe pse ka dyshime për ngjarje të tilla të kryera si “porosi” të lëna nga shefi i tij Aldo Bare. Operacioni i koduar “I fundit” ishte pjesë e operacionit “Laguna” për arrestimin e anëtarëve të bandës kriminale të Lushnjës, i cili është zhvilluar në vitin 2007 në Karavasta.
Djali i Aliços
Arjan Aliço është i dënuar për tentativë vrasjeje, së bashku me të birin, Xhino Aliço. Në vitin 2016 Arjan Aliço, në bashkëpunim me djalin e tij, Xhino Aliço, kanë plagosur me thikë dhe sende të forta shtetasin Julian Sula, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në trup dhe në kokë. Arjan Aliço u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa i biri, Xhino Aliço, u shpall në kërkim. Ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta në një pikë bastesh. Xhino Aliço, djali i tij 28 vjeç, u ekstradua nga Kroacia pak ditë më parë, pasi rezultonte i dënuar me 13.6 vite burg për tentativë vrasjeje, një ngjarje e ndodhur në vitin 2016.