BallinaAktualitetLETRA/Greva e Albcontrol, zbardhet korrespondenca e Sindikatës së Kontrollit Ajror me Ramën

LETRA/Greva e Albcontrol, zbardhet korrespondenca e Sindikatës së Kontrollit Ajror me Ramën

spot_img
spot_img

Duket se situata e krijuar ditën e sotme, që çoi në pezullimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit, pas bojkotit të punës nga kontrollorët e Albcontrol, nuk ka qenë aspak surprizë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për ‘BalkanWeb’ se Sindikata e Pavarur e Kontrollit Ajror ka pasur korrespondencë thuajse me të gjithë institucionet.

Bezat bën me dije se konkretisht në datën 22 shkurt të këtij viti ka pasur një korrespondencë mes tyre dhe kryeministrit Edi Rama. Po ashtu mësohet se kjo sindikatë ka pasur komunikim 3 herë me Ramën. Ndër të tjera edhe Sindikata Europiane i është drejtuar kryeministrit me letra informuese ku shkruante se situata e uljes së pagave është e paprecedentë, pasi iu ka shtuar punonjësve stresin në punë.

Ndërkohë që thuhet se vendimi për uljen e pagave ishte marrë më 29 dhe efektet financiare të tij kanë nisur që në datën 1 prill. Vendimi në fjalë ishte marrë pa asnjë konsultim me sindikatën, ndërkohë që Alcontroll kishte marrë financim 50% nga EuroControl.

Me grevën e 65 kontrollorëve të Albcontrol është pezulluar puna në Rinas, duke ndërprerë kështu fluturimet hyrëse dhe dalëse nga i vetmi aeroport ndërkombëtar që ka vendi ynë.

 

 

LETRA
Një letër e shkruar më 22 shkurt për kryeministrit Edi Rama me objekt mbi gjendjen e trafikut ajror në Republikën e Shqipërisë.

I nderuar zoti Kryeministër,
Në vijim të letrave të 2 letrave drejtuar nga ATCEUC (Sindikata evropiane e trafikut ajror) dhe letrës informuese të datës 19 qershor të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Trafikut Ajror, kjo është letra e radhës drejtuar shkëlqesisë tuaj z.Kryeministër.
Zoti Kryeministër ende nuk e dimë nëse jeni në dijeni mbi problematikën dhe kronologjinë e ngjarjeve në Albcontrol SH.A.
Më datë 24.04.2020, Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë Albcontrol SH.A. ka marrë vendimin numër 1, me titull “Për uljen e pagave të punëmarrësve dhe pezullimin e të drejtave të fituara me kontratën kolektive të punëmarrësve të “AlbControl” SH.A. për një periudhë të pacaktuar, deri në kthimin në normalitet të situatës financiare të shoqërisë”.
Ky vendim i është njoftuar Kontrollorëve të Trafikut Ajror, individualisht, më datë 29.04.2020 ndërsa efektet financiare të vendimit kanë filluar që nga data 01.04.2020.

Kjo vendimmarrje është bërë pa asnjë konsultë me sindikatën e kontrollorëve duke i vënë para faktit të kryer që në muajin e parë të pandemisë. Menjëherë i kemi kërkuar takim Drejtorit të Përgjithshëm z. Mina Kusta. Në takim na është thënë që ky vendim është marrë se nuk kemi mundësi financiare.
Na duhet t’Ju informojmë se Eurocontrol ka financuar 50% të të ardhurave të shoqërisë AlbControl SH.A. financim që bën të mundur vazhdimësinë normale të pagesës së pozicioneve esenciale të punës, praktikë e zbatuar në të gjitha qendrat e trafikut ajror në Europë.

Nga të gjitha komunikimet që kemi me qendrat e trafikut ajror, jemi e vetmja qendër në gjithë Europën në të cilën aplikohet ulje page në masën 72%.
Në analizën dhe raportin e dalë nga Eurocontrol në vitin 2020 Shqipëria ka zënë vendin e 2-të në Europë për nivelin e lartë të trafikut pas Norvegjisë, si aeroporti më pak i prekur nga kriza, të dhëna që po i bashkëlidhim kësaj shkrese.

Zbatimi i vendimit të sipërcituar, për shkak të reduktimit të orëve të punës në kontrollin e trafikut ajror, gjatë periudhës Prill-Qershor ku me një urdhër të Këshillit Mbikëqyrës u vendos që gjysma e stafit të kontrollorëve të qëndronin në shtëpi ka shkelur një sërë rregulloresh dhe manualësh në lidhje me sigurinë e operimit të trafikut ajror duke vënë në rrezik, individualisht dhe kolektivisht të gjithë trupën e kontrollorëve të trafikut ajror, shoqërinë Albcontrol dhe sigurinë e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.

Ne jemi shumë të shqetësuar nëse stafi ju ka informuar mbi gjendjen në Albcontrol Sh.a sepse unioni i kontrollorëve të trafikut ajror shqiptar dhe unioni europian kanë nisur disa letra në drejtimin tuaj ku shprehen se ajo që po ndodh në Shqipëri është unikale dhe e paprecedentë.
Sindikata e Kontrollorëve, nisur nga analiza e cenimit të kërkesave për operimin e sigurt të hapësirës ajrore i është drejtuar shkresërisht shoqërisë Albcontrol Sh.A. duke kërkuar një analizë më të thellë dhe një korrigjim të gjendjes aktuale, kërkesa që janë refuzuar me argumentimin se nuk kemi cenim të kushteve dhe kërkesave të sigurisë. prej muajit qershor e në vazhdim Drejtori i Përgjithshëm z. Mina Kusta refuzon të na informojë dhe injoron çdo e-mail apo letër në drejtim të tij.
Gjatë gjithë kësaj periudhe nëpërmjet e-maileve dhe letrave drejtuar z.Kusta, jemi munduar të ofrojmë mundësi për marrëveshje dhe zgjidhje, por në asnjë rast nuk kemi marrë përgjigje.

Me anë të shkresave u jemi drejtuar Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por sot e kësaj dite nuk kemi asnjë përgjigje për to.
Zoti Kryeministër na duhet t’ju informojmë se gjendja mendore dhe stresi në radhët e kontrollorëve të trafikut ajror ka arritur kulmin duke vënë në rrezik tepër të lartë garantimin e sigurisë për të gjithë linjat ajrore.
Përpos uljes së paimagjinueshme të pagës që vazhdon që prej 1 prill 2020, stresin dhe ankthin po e shton së tepërmi refuzimi i çdo letre dhe kërkese duke na futur në një rreth vicioz ku nuk shohim zgjidhje.
Është e paimagjinueshme se si mund të injorohet zëri dhe shqetësimet i vetëm 65 profesionistëve me licencë europiane dhe të vetmit që e ushtrojnë këtë detyrë në gjithë territorin e vendit, të cilët në 30 vitet e fundit i kanë ofruar kësaj kompanie siguri absolute për pasagjerët dhe kompanitë ajrore.
Zoti Kryeministër marrëdhëniet në Albcontrol midis kontrollorëve dhe drejtorisë janë në pikën ku është ndërprerë çdo lloj komunikimi dhe informimi në mënyrë të njëanshme dhe të pashpjegueshme nga drejtuesi i shoqërisë.
I nderuar zoti kryeministër,
Në kushtet e një page kaq të papërfillshme, krahasimisht me llojin e punës së kryer nga Kontrollorët e Trafikut Ajror, e gjejmë të vështirë të vijojmë të kemi interes ekonomik për të vijuar këtë marrëdhënie punësimi. Në rast, sikurse shpresojmë se vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nuk do të shfuqizohet dhe pasojat e tij do të revokohen, do të ndihemi të shtrënguar të procedojmë me mjete dhe forma që zëri ynë të dëgjohet.
Prej disa muajve një pjesë e madhe kontrollorësh po shqyrtojnë mundësi të tjera për punësim brenda dhe jashtë vendit.

Sjellim në vëmendjen tuaj se në rast të largimit qoftë edhe një pjese të vogël të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, për më tepër që një nga prioritetet e qeverisë shqiptare janë hapja e aeroportit të Kukësit dhe atij të Vlorës, Shoqëria Albcontrol Sh.A. nuk do të jetë në gjendje të përmbushë misionin e saj në anën sasiore, (mungesë e burimeve të mjaftueshme njerëzore për administrimin e hapësirës ajrore) ashtu edhe në anën cilësore (pamundësi për të respektuar kërkesat në lidhje me sigurinë e fluturimeve në hapësirën ajrore). Në një hipotezë të tillë hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë do të konsiderohej jo e sigurt dhe për pasojë i gjithë trafiku ajror mbi hapësirën ajrore do të ndalohej plotësisht me pasojë pezullimin e të gjitha fluturimeve me destinacion aeroportin e Rinasit dhe shmangien e të gjitha fluturimeve ajrore nga korridoret ajrore të kalimit. Argumenti dhe gjendja e përshkruar më sipër do të ishte e vlefshme dhe për trafikun ajror ushtarak, pasi edhe ky i fundit administrohet nga Kontrollorët e Trafikut Ajror të Albcontrol Sh.A. Sikurse është lehtësisht e kuptueshme pasojat e një kolapsi të tillë të trafikut ajror do të ishin të pallogaritshme për një vend anëtar të NATO-s dhe që pret çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjejmë rastin për të kërkuar urgjentisht një takim me Ju zoti Kryeministër, pasi kemi konsumuar të gjitha shkallët informuese lidhur me shqetësimet e parashtruara më lartë.
Zoti Kryeministër jemi besimplotë që me autoritetin tuaj do të bëheni garant për të parandaluar një përshkallëzim të situatës.
Duke Ju falënderuar paraprakisht për kohën dhe vëmendjen tuaj.
Për Sindikatën e Kontrollit të Trafikut Ajror.
Armando Fezga.

foto galeri

foto galeri

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular