BallinaRajoniDialogun me Serbinë do ta udhëheqë Albin Kurti në koordinim me Vjosa...

Dialogun me Serbinë do ta udhëheqë Albin Kurti në koordinim me Vjosa Osmanin

spot_img
spot_img

Dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u këshilluar me presidenten, Vjosa Osmanin, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka theksuar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2019, e ka bërë të qartë se kush udhëheq me këtë proces. “Natyrisht, kryeministri këtë do ta bëjë duke u këshilluar dhe koordinuar me presidenten dhe duke ndërtuar konsensus nacional e shtetëror në lidhje me dialogun. Kryeministri ka deklaruar disa herë tashmë se do të kërkojë konsensus dhe debat deri në shterim me opozitën për çështje kapitale për vendin dhe dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus”, u shpreh Kryeziu.

Sipas vendimit të vitit 2019, të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës është bartësja e procesit të dialogut me Serbinë.

Por, njohësit e zhvillimeve politike Rrahman Paçarizi dhe Dushan Janjiq, thonë se as Kurtit dhe as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pavarësisht qëndrimeve të shprehura në favor të dialogut ndërmjet dy vendeve, që të dy nuk janë të gatshëm që t’i qasen rinisjes së këtij procesi.

Pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit si dhe kompletimit të institucioneve të larta të vendit me përbërjen e re, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, partnerët perëndimorë të Kosovës janë duke insistuar për rinisjen e dialogut të saj me Serbinë në Bruksel.

Osmani dhe Kurti në bashkërendim për politikën e jashtme

Të mërkurën, më 7 prill, presidentja e Kosovës, Osmani ka pritur në takim kryeministrin Kurti dhe disa nga drejtuesit e dikastereve qeveritare, ku diskutuan për nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme.

“Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e nga Zyra e Osmanit.

Ndërkaq, në urimin që Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell i ka shkruar më 5 prill, Vjosa Osmanit, me rastin e zgjedhjes së saj presidente, ka thënë se “me institucionet e reja në vend, Kosova mund të përqendrohet vendosmërisht në reformat e nevojshme dhe në dialogun e lehtësuar nga BE-ja” .

Më 3 prill, kancelaria gjermane, Angela Merkel, e ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e tij si kryeministër dhe i ka përmendur atij detyrat e rëndësishme dhe të rënda që e presin qeverinë e re, sikurse sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, përmirësimi i situatës ekonomike dhe “veçanërisht, dialogu për normalizim me Serbinë”.

Presidentja Osmani ka deklaruar se dialogu është rruga që Kosova e ka përpara, por siç ka thënë ajo, “ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë”.

“Paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia, kur të kërkojë falje ajo dhe kur të vendoset drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, ka thënë Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për dialogun me Serbinë duhet të vendosen katër parime. Siç ka theksuar ai, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur, duhet të pranohet e vërteta nga Serbia për krimet që ka kryer në Kosovë, të dyja palët duhet të jenë të barabarta në diskutim dhe që nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët.

Presidenti serb, Vuçiq më herët ka theksuar se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesës së Brukselit për të vazhduar dialogun. Megjithatë, në shkurt të këtij viti, Vuçiq pati theksuar se mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Bashkimin Evropian, të bëjnë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën në periudhën e ardhshme.

‘Manovrat e Kurtit’

Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, konsideron se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke manovruar për të shmangur dialogun me Serbinë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Paçarizi shpreh mendimin se kryeministri Kurti synon ta zvarrisë dialogun deri pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, që priten të mbahen në vjeshtë të këtij viti, në mënyrë që ta konfirmojë fuqinë e tij politike dhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Paçarizi thekson se Kurti ka nisur një betejë inteligjente, në mënyrë që ta zbërthejë dialogun, duke e shndërruar atë nga temat politike në çështje më teknike të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, siç thotë ai, bashkësia ndërkombëtare duket se e ka lexuar këtë manovër të Kurtit dhe në qoftë se llogaritë që nuk ka kohë për të humbur më tutje, nuk do t’i marrë parasysh manovrimet.

“Zoti Kurti ka bërë një përparim, nëse mund ta quajmë kështu, duke i zbutur kushtet e tij për dialogun – nga kërkim-falja në pranim të krimeve të kryera në Kosovë e çështje të tjera – mirëpo këto janë manovrime, me të cilat zoti Kurti mundtë fitojë paksa kohë. Por, nuk mund të fitojë aq kohë sa ai llogarit se i duhet e që është të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve lokale”, theksoi Paçarizi.

Por, për Dushan Janjiqin nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, këmbëngulja e Brukselit zyrtar për vazhdimin e dialogut, është shqetësuese. Sipas tij, administrata në Bruksel fare nuk e kupton dhe respekton realitetin e krijuar dhe kërkon që dialogu të rikthehet në formatin e vjetër, ku gjithçka për të cilën pajtohen palët nuk vlen në rast se nuk arrihet marrëveshja përfundimtare. Siç thotë Janjiq, çështja kyçe në kontestin ndërmjet dy palëve është statusi dhe pranimi i Kosovës.

“Amerikanët do të thonë (njohje) e ndërsjellë. Kurti do të thotë në mënyrën e tij, pra realiteti prej 2008 e këndej. Kjo është çështja kyçe. Ndërmjetësuesi është ai që duhet të sigurojë parimin tjetër, për të cilin flet Kurti, pra, barazia. Ndërmjetësuesi është këtu për barazi. Vetë fakti që Kosova dhe Serbia bisedojnë, flet për dy gjëra, veçanërisht pas marrëveshjes së Uashingtonit, ku Vuçiqi dhe (ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah) Hoti, në letra të ndryshme kanë nënshkruar në bazë të funksioneve të tyre. Pra, i kemi funksionet në letra. Pra, ata e kanë pranuar realitetin e ekzistencës së Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht të Republikës së Kosovës dhe të Beogradit. Por, këtë duhet ta vazhdojë edhe Bashkimi Evropian”, tha Janjiq.

Profesor Paçarizi vlerëson se kryeministri i Kosovës, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, janë ndër liderët me përkrahjen më të madhe popullore në vendet e tyre përkatëse dhe ata nuk kanë më hapësirë për t’iu shmangur vazhdimit të dialogut.

Për sa i përket palës së Kosovës, sipas tij, pritet që të ketë një sinkronizim të veprimeve ndërmjet presidentes dhe kryeministrit lidhur me dialogun, gjë që sipas tij, më parë nuk ka ndodhur. Në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, qeveria është ajo e cila e bartë barrën e dialogut me Serbinë. Por, Paçarizi konsideron që duke parë disponimin e ambasadave të huaja në Kosovë, shpresa e tyre për ta çuar përpara dialogun është presidentja Osmani, për shkak se kryeministri Kurti disa herë ka deklaruar se dialogu është vetëm në mesin e gjashtë prioriteteve dhe jo prioriteti kryesor. Në këtë pikë, sipas tij, mund të komplikohet situata e ndërveprimit presidencë-qeveri.

“Fillimisht, nuk do të ketë fërkime, pasi që do të ketë një lloj sinkronizimi ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti. Mirëpo, fërkimet do të shfaqen pashmangshëm në momentet kur dialogu do të hyjë në fazat përfundimtare dhe në momentet kur palëve do t’u paraqiten dokumente konkrete, pasi që zoti Kurti në këtë fazë –pavarësisht nga mbështetja e madhe popullore që e ka – nuk është i gatshëm që të hyjë në marrëveshje të rënda, të cilat do të mund ta dëmtonin”, theksoi Paçarizi.

Vuçiq “nuk është në gjendje ta pranojë realitetin”

Ndërkaq, Dushan Janjiq, shpreh mendimin se tash për tash, presidenti serb Vuçiq nuk është në gjendje që të bëjë çfarëdo qoftë për të pranuar realitetin, për të cilin flet kryeministri i Kosovës, Kurti, e që është pavarësia e Kosovës. Sipas tij, ndërhyrjet e Rusisë në të gjithë rajonin e Ballkanit janë shumë të mëdha dhe konteksti politik është i tillë që për Vuçiqin, çfarëdo pranimi i realiteti do të nënkuptonte vetëvrasje politike.

Siç thotë Janjiq, elita politike në Serbia ka nxjerrë mësimin nga rëna e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, “që asnjëherë të mos u thuhet jo negociatave dhe asnjëherë të mos largohesh i pari nga bisedimet”.

“Natyrisht që thonë se janë të gatshëm për dialog, në kuptimin që do t’i përgjigjen çdo ftese. Por, a do të zhvillojnë dialog? Do ta zhvillojnë sikurse në periudhën e (ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica) Mogherinit, për 20 muaj një takim. Kjo nuk është ajo që i duhet Kosovës, Serbisë dhe BE-së. Në Serbi, politika e vetme, kundër së cilës Vuçiqi nuk do ta rrezikojë kokën dhe pozitën, është politika e status quo-së. Pra, për sa i përket Serbisë, nuk ka kushte për dialog të suksesshëm. Më mirë do të ishte që BE-ja të ‘ftohet’ pak dhe t’i lejojë kohë edhe Kosovës që të stabilizohet, sepse i ka edhe zgjedhjet lokale dhe me një metodologji të re të provojnë një pajtim me amerikanët që ta kapërcejnë këtë krizë”, theksoi Janjiq.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike, vlerësojnë se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, pavarësisht faktit që dinamikën e procesit të dialogut e përcakton ndërmjetësuesi, në këtë rast Bashkimi Evropian, do të manovrojnë në vazhdimësi për të zvarritur dialogun dhe çështjet eventuale që do të shtrohen aty.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më 25 mars, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati paralajmëruar se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike, vlerësojnë se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, pavarësisht faktit që dinamikën e procesit të dialogut e përcakton ndërmjetësuesi, në këtë rast Bashkimi Evropian, do të manovrojnë në vazhdimësi për të zvarritur dialogun dhe çështjet eventuale që do të shtrohen aty.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më 25 mars, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati paralajmëruar se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular