Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi, gjatë një takimi me gratë në Cërrik, kërkoi angazhimin e tyre për të sjellë ndryshimin që do të ndalojë ikjen e fëmijëve dhe të rinjve jashtë e do të krijojë shanse për të gjithë të ndërtojnë jetën e të ardhmen këtu. Bardhi u shpreh se gratë dhe nënat janë ato që e kanë vuajtur më shumë keqqeverisjen 8-vjeçare.
“Këto zgjedhje i kemi të rëndësishme në radhë të parë për veten, familjet tona, dhe fëmijët tuaj. Nuk ka gjë më të rëndësishme, jam i bindur për zonjat, sesa fëmijët. Dhe në ka bërë një gjë, që është e papranueshme veçanërisht për zonjat, është fakti që po detyrojnë të rinjtë, brezin e ri, fëmijët, të humbin shpresën, me idenë që në Shqipëri nuk mund të jetohet dhe të marrin valixhet e të ikin jashtë vendit. Nëse unë do të pyes gocat që janë në rreshtin e dytë dhe të tretë, nëse duan të jetojnë në Shqipëri apo jo, unë jam i sigurt që do më thonë këtu nuk ka shpresë, ne nuk besojmë më, duam të ikim jashtë. Prandaj këto zgjedhje ne duhet t’i shikojmë të gjithë si mundësi, së pari për t’i dhënë fund sakrificës 8 vjeçare që ka bërë secila prej jush, dhe së dyti për t’u siguruar fëmijëve tuaj, por edhe vetes, për ato që janë më të reja, një mundësi, këtu në vendin tonë. Kudo që kemi shkuar, besoj që dhe me kontaktet që ju keni pasur, keni dëgjuar vetëm një shprehje: më keq se kaq nuk ka qenë kurrë. Dhe në fakt më keq se kaq nuk ka qenë kurrë. Erdhi me premtime bombastike, çfarë nuk do të na ofronte, një pjesë e konsiderueshme e besuan, i dhanë edhe besim në 2013-ën. Pa kaluar tre muaj nga ardhja në pushtet, pa u mbyllur 2013-ta, ai filloi të bënte të kundërtën e atyre që kishte premtuar, u shpreh Bardhi.
Gazment Bardhi theksoi se nuk është e rëndësishme vetëm të ndodhë rotacioni, por duhet ndryshim I modelit të të bërit politikë. Kush merr besim nga njerëzit, tha ai, duhet të justifikojë këtë besim me realizimin e angazhimeve.
“Këtij modeli do ti japim fund në 25 prill. Modelit që vjen merr besim dhe pastaj bën të kundërtën e atyre që ka marrë si angazhime. Prandaj dhe ne kemi një plan të thjesht pune. Nuk kemi marrë përsipër t’iu ofrojmë njerëzve mrekulli, se nuk bëjmë dot mrekulli, por kemi bërë një plan të thjeshtë pune. Do të mbështesim familjen, do të mbështesim të rinjtë, se jam i sigurt që, duke mbështetur të rinjtë, kemi mbështetur dhe prindërit e tyre, se jam i sigurt që po të pyesja tani zonjat këtu se për kë jetojnë, do më thonë për fëmijët e tyre. Duke iu vrarë shpresën fëmijëve tuaj, ju kanë vrarë shpresën dhe ju. Prandaj kemi vënë në fokus familjen dhe mbështetjen ndaj të rinjve”, tha Bardhi.
Ai i ftoi gratë e Cërrikut të angazhohen në ditët e mbetura deri me 25 prill për të bërë të mundur ndryshimin, por u kërkoi të qëndrojnë të angazhuara edhe më pas, për të monitoruar dhe marrë pjesë në zbatimin e planit që PD ka marrë përsipër.
“Roli juaj në zgjedhje është i pazëvendësueshëm. Ju bëni disa punë që ne burrat nuk i bëjmë dot, dhe nuk na ngjit fjala aq shumë sa ju ngjit juve. Kështu që na duhet shumë ndihma juaj gjatë këtyre 20 ditëve, kanë ngelur shumë pak, prandaj na duhet shumë punë, por jemi drejt atij objektivi që kemi të gjithë bashkë. Dhe kur unë them drejt atij objektivi, nuk flas për objektivin kombëtar, se mjafton të shohësh Edi Ramën në televizor që ta kuptosh se kush do t’i fitojë zgjedhjet. Ai ka humbur qetësinë nuk e di se çfarë flet, herë pas herë është edhe i zverdhur në fytyrë, se nuk ka hallin e thjesht që po humb karrigen, por po humb edhe disa garancitë që i siguronte ajo karrigia, se ai e di se çfarë e pret pas 25 prillit. Ne do të duhet të dalim fitimtar edhe këtu në Cërrik edhe në të gjithë qarkun e Elbasanit. Këtë e kemi në dorë të gjithë ne bashkë. Nëse këto ditë flasim me këdo, pa i paragjykuar dhe i tregojmë me zemër dhe me mendje atë që realisht ndjejmë, nuk ka nevojë për të bërë politikë, mjafton të rrëfejmë atë që ne ndjejmë. Ajo që ne ndjejmë është që ky është momenti për ndryshim, jo thjesht për të ndryshuar qeverinë, po për të ndryshuar model dhe për të sjellë një qeveri që është krah njerëzve dhe punon për njerëzit, na duhet të jeni të forta gjatë këtyre 23 ditëve, por na duheni edhe me të forta për të ngritur zërin të gjithë bashkë të bëjmë realitet atë plan pune që ne si parti kemi marr përsipër. Betejën reale e kemi pas 25 prillit, sepse të gjithë bashkë do të duhet të bëjmë realitet ndryshimin që i kemi premtuar njerëzve dhe që e kemi marrë si angazhim”, deklaroi Gazment Bardhi.