Një 34-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga forcat e Policisë të Fierit në bashkëpunim me ato të Divjakës, pasi u kap me 210 fara kanabis në makinë gati për t’i shitur.
Policia lokale bën me dije se farat e lëndës narkotike do t’u shiteshin dy personave nga Tirana, të cilët u proceduan penalisht.
“Gjatë ditës së djeshme, në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Plugut, 34-vjeçari T. C., banues në Dushk, duke drejtuar automjetin tip “Opel” është kapur nga shërbimet e Policisë me 210 fara kanabisi me vete të cilat i kishte bërë gati dhe dyshohet se do t’ua shiste shtetasve E. C., 33 vjeç dhe E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë”.
Gjithashtu sipas policisë u proceduan penalisht edhe shtetasit me inicialet E. C., dhe E. B., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme.