Nga Bujar Leskaj
Zhvilluam sot në qytetin e Sarandës një Akademi përkujtimore për dy nga figurat e shquara të Sarandës, Çamërisë e Shqipërisë, rilindasin Hasan Tahsini, shkrimtarin Bilal Xhaferri dhe figura të tjera të shquara të historisë dhe të kulturës së Sarandës gjatë dy shekujve të fundit.
Morën pjesë intelektualë të qyteteve Sarandë, Konispol dhe Delvinë si dhe të afërm të disa figurave të shquara intelektuale.
Kumtesën kryesore në këtë aktivitet e mbajti studuesi dhe botuesi Ndriçim Kulla, i cili foli për jetën dhe aktivitetin e figurës më të shquar intelektuale me origjinë nga rrethi Sarandës në Perandorinë Osmane, zoti Hasan Tahsini, njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19, astronom, matematikan e filozof, rektori i parë i Universitetit të Stambollit në vitin 1870 dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Kumtesa e zotit Kulla u prit me interes per shume nga faktet dhe interpretimet e dhena ne te per figuren e zotit Hasan Tahsimi.
Mbajta një kumtesë në lidhje me jetën, aktivitetin dhe personalitetin e shkrimtarit të shquar me origjinë çame nga rrethi i Sarandës, Bilal Xhaferri. U ndala në të gjitha etapat kryesore të jetës dhe aktivitetit të Bilali Xhaferrit, si një nga shkrimtarët, jo vetëm disidentë, por edhe më cilësorë të letërsisë shqipe të shekullit XX, si dhe njërës prej figurave të para intelektuale shqiptare, që ngriti çështjen e Çamërisë në median e shkruar shqipe nëpër botë.
Zoti Dorian Nepravishta foli për disa intelektualë me ndikim mbarëkombëtar shqiptar me origjinë nga rrethi i Sarandës, që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës.
Aktiviteti që zgjati rreth një orë u prit me shumë interes nga të pranishmit. Në fund të aktivitet shpërndava disa botime të studuesit Ndriçim Kulla për të pranishmit.
Motra e shkrimtarit Bilal Xhaferri më dhuroi një botim të fundit kushtuar vëllait të saj.