Nga Josif Doja, poet dhe publicist
Pas përmbysjes se regjimit komunist më 22 mars 1992 publicistit Xhevat Mustafa, të mirënjohur gjatë 21 viteve punë si redaktor në redaksinë e kulturës në Radio Tirana e si drejtues dhe analist politik në disa gazeta të përditshme, iu dha mundësia të futej edhe në fushën e lëvrimit të zhanrit të gjinisë sës romanit. Dhe konkretisht:
Në vitin 1993 ai u prezantua me romanin e tij të parë “Zë i prerë”(mbi çensurimin e gazetarëve në institucionin e Radio-Televizionit Shqiptar për ta paraqitur realitetin nga “ferr”,ashtu siç ishte në të vërtetë, në “parajsë”, siç nuk ishte në jetën e përditshme dhe në mbarë vendin).
Në vitin 2008 sheh dritën e botimit romani i tij i dytë “Mëkatet e vetmisë”(ku paraqitet drama e emigrantëve shqiptarë të shtrënguar që të mërgojnë jashtë vendit të tyre në kërkim të një jete më të mirë, po edhe ku largimi i gjatë kohor dhe gjeografik nga familjet i shtyn edhe në lidhje jashtëmartesore dhe në veprime të dënueshme jo vetëm moralisht)
Duke qenë autor i rreth 1500 shkrimeve në lëmin e gazetarisë,ai i kthehet atyre duke botuar vetëm një pjese të vogël të analizave,komenteve dhe opinioneve,me botimin e librit “Duke kërkuar Europën”,në vitin 2012.
Për të arritur më pas në vitin 2015, me botimin e romanit “Polakja” i vlerësuar nga opinioni ynë letrar si më i miri deri tani ndër veprat e tij(ku paraqitet në mënyrë vërtet mbresëlënëse fati tragjik i martesave të disa djemve shqiptarë-studentë-me vajza të disa vendeve te ish- Demokracive Popullore, siç qenë më së shumti nga Polonia dhe Bashkimi Sovjetik.
Por Xhevat Mustafa nuk resht…
Ai vazhdon të mos e konsiderojë veten të shkëputur nga dashuria e pare, siç janë shkrimet e herëpashershme publiçistike të botuara në organe të ndryshme të shtypit tonë.
Ashtu si në rininë e tij… Natyrisht pa harruar dhe dashurinë e tij të re.
Ja pra dhe një roman tjetër i tij i ri:”Dashuri diktatori”.
Figura kryesore e romanit është Enver Hoxha, pothuajse në tërë linjën e jetës së tij.
Duke filluar pra, nga mosha e re,kur ose ishte akoma nxënës i gjimnazit frances të Korçës,ose kur e kishte mbaruar atë.
Si çdo i ri në atë moshë ai na jepet i prirur vecanarisht për pasionin ndaj femrave, më të bukura, kudo ku t’i ndeshte.
Aurelia ishte vajzë e një familje italiane e vendosur herët me banim në qytetin e Gjirokastrës, ku babai i saj punonte si ndertues dhe rikontruktues banesash. Ata kishin dëshirë të jetonin përgjithmonë aty. Enver Hoxha, i joshur nga bukuria, inteligjenca dhe sinqeriteti i saj dhe duke përfituar nga fakti se familjet e tyre ishin fqinjë me njera-tjetrën bie në dashuri me Aurelian…Ai i përbetohet disa herë se e dashuron sinqerisht, por Aurelia,në të kundërt nuk ndjen asgjë për të.Atëhere Enver Hoxha tërbohet nga refuzimi prej saj… Kur nuk ka marrë përgjigjen që dëshironte nga Aurelia, pas pak ditësh Enveri i afrohet në Liceun e Korçës, një tjetër vajze po aq e bukur sa italiania. Këtë herë një vajze shqiptare, Sabiha Kasimatit. Nuk vonohet shumë ditë dhe i shpreh dashurinë edhe asaj…Pas përfundimit Liceut të Korçës, të studimeve universitare në Torino dhe të marrjes së doktoraturës po në këtë qytet, Sabiha do të bëhej njera prej biologeve më të shquara të kohës e për shumë vite më pas.
Por përsëri edhe nga Sabihaja – përgjigje negative për Enverin.
Përsëri tërbim. Përsëri urrejtje. Urrejtje deri në dëshirë për t’u hakmarrë kur të vinte koha… Fataliteti i Sabihasë erdhi nga disa faktorë! Ishte e bukur dhe shoqe klase në Liceun e Korçës me Enverin! Nuk iu përgjigj dashurisë së tij. Pas 1941 Sabihaja nuk e mbështeti komunizmin, por as iu kundërvu hapur. Iu përkushtu shkencës së Ihtiologjisë, pasurisë me peshq të nëndetrave të Shqipërisë. Për këtë mbaroi universitetin në Torino dhe po këtu mori edhe doktoraturën në fushën e pasurive me peshq në detrat, liqenjt dhe lumenjt e Shqpërsë. Kjo epërsi e saj intelektuale ndaj Enver Hoxhës vetëm me Liceun e Korçës, u bë një arësye më shumë që të urrehej dhe sulmohej, deri në pushkatim nga monstra Enver Hoxha…Raportet Sabiha- Enver zënë një linjë, gati gjysmën e romanit…
Edhe pse utori i këtij romani të veçantë në llojin e tij,Xhevat Mustafa, në pjesët e mëpastajme, nga viti 1944-1951, nuk na e bën prezent personazhin e Enver Hoxhes, prania, ligësia, fryma e tij ndihen përsëri si një hije e frikshme e si nje rrezik që priste vetëm çastin kur do të shprazej me të gjithë urrejtjen e tij ndaj atyre që nuk ishin përputhur me të as në afinitet ndjenjash dhe as në ide.
Do të fillonte kështu seria e veprave të tij kriminale, kur Shqipëria të binte totalisht nën sundimin e tij:pushkatimi i Bahri Omarit-bashkëshortit të motrës së tij, i Abaz Omarit, djalit të vajzës së xhaxhait të tj, qe Enver e theriste baba Çemi…Ne vijim: burgosja dhe vdekja në burg e Xhuzepe Terrusit, riatdhesimi i bashkëshortes se tij Aurelia dhe njerezve te tjere te familjes; burgosja e Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit,Qemal Kasaruhos, Manush Peshkëpisë dhe i plot të tjerëve… Me pas ata do te pushkatoheshin, më së shumti, pa gjykime, edhe formale ose me proçese thjeshtë sa për proçedurë, pas ekzekutimit të viktimave.
Faqe të ethëshme romani…Faqe drithëruese, shkruar me stil dhe norracion të rrjedhshëm e me nëntekst intrigues, që të shton joshjen dhe interesimin për të mos e larguar lehtë romanin nga duart…Shumica e personazheve spikasin për karakterizimin mjeshtror, me detaje apo penelata shprehëse dhe individualizuese… Në këtë roman historia, nëpërmjet disa fakteve reale, shërben si bazë për të bërë art, me prirje drejt psikoanalizës. Qëllimi është të gjendet një përgjigje për disa pyetje. Përse nuk e dashuruan Enver Hoxhen vajzat e bukura Aurelia Pozelli-Terrusi, dhe Sabiha Kasimati? Çfarë panë ato tek ai, përtej bukurisë së jashtme, sidomos të fytyrës, që i trembi apo ndaloi? Përse Enver Hoxha i ndëshkoi tepër egërsisht shumicën e intelektualëve të diplomuar në Francë, Itali, Austri, Gjermani, e tj, të cilët i kishte pasur komshinj në fëmijëri, adoleshencë dhe rini dhe shokë universiteti? Vetëm sepse dinin shumë të vërteta jo të këndshme lidhur me shkollimin dhe sjelljet e tij të turpshme në vitet e studimeve në Paris dhe Monpelje dhe të punës në Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel? Në përfundim unë do ta vlerësoja “Dashuri diktatori” si romanin më të ri të letërsisë moderne të Shqipërisë, që trajton me një vërtetësi të veçantë dhe nivel të spikatur artistik realitetin me se 80 vjeçar të atyre personazheve e jo vetëm, por edhe të Shqipërisë në vitet 1926-1951. Leximin e tij jua kam këshilluar të gjithë miqve të mij! Ua kam rekomanduar, sepse jam i bindur se do të përjetojnë befasi për nivelin e lavdërueshëm artistik, emocione të forta për dramat dhe tragjeditë e personazheve kryesore pozitive. Gjithashtu, sepse do të ndjejnë kënaqësi të madhe estetike, që kanë lexuar një roman të bukur dhe i kanë shtuar bibliotekave të tyre familjare një libër, që meriton të zërë vend të dukshëm e të rilexohet!
Gazeta NACIONAL, 17.04.2021
P.S: Josif Doja dhe regjisori e skenaristi, Esat Teliti, Mjeshtër i Madh, janë redaktorë letrarë të këtij romani. Ju rikujtoj se tani për tani, në Tiranë, romanin mund ta gjeni në Librari “ALBANIA”, pas ish Bllokut, nga ana e Durrësit, në rr. Sami Frashëri, gati përballë shkollës “Edith Durham”(ish “11 Janari”) dhe Bar-Restorant “JUVENILJA” si dhe në Librarinë në rr.“Hoxha Tahsim”, menjëherë pas pikës së karburantit, në krahun e majtë në drejtimin nga mali i Dajtit, rreth 30-40 metra më tutje “Qendrës Stefan”, tek Pazari i Ri! Nga dita e shtunë, dt. 17 prill, të afërm dhe miq të mi në qytetin e Kavajës, romanin “Dashuri diktatori” mund ta gjejnë në Librarinë e z. Xhevdet Gjeçi!