Në Hekal të Mallakastrës banorët shprehën mbështetjen për PD dhe zhgënjimin nga qeverisja 8-vjeçare e Edi Ramës. Në një takim me kandidatët Enkelejd Alibeaj dhe Agron Kapllanaj një banor i Hekalit grisi në mënyrë demonstrative teserën e PS duke shprehur zhgënjim dhe indinjatë për mosmbajtjen e premtimeve nga Edi Rama.
“U bëra anëtar i PS se besoja se Edi Rama do të bënte punë të mira. Unë merrem me ndërtim, nga koha e Sali Berishës, kur kisha edhe 200 mijë lekë në xhep në ditë, tani jetoj me pension, fëmijët më kanë ikur, se nuk ia dilnin. Gëzimi ka një teserë këtu që do ta grisë përpara jush se nuk e dua”, tha Gëzim Hoxha duke nxjerrë nga portofoli teserën e PS dhe duke e prerë me gërshërët që i kishte marrë me vete. Ai u bëri thirrje socialistëve të bëjnë të njëjtën gjë dhe të votojnë PD-në.
Kandidati Agron Kapllanaj tha se bashkimi i socialistëve si Gëzimi me PD dhe ndryshimin është vendimi i duhur për t’i mbyllur derën dështimi që po troket për herë të tretë në derën e çdo familje. Mesazh bashkimi dha edhe drejtuesi i qarkut të Fierit, Enkelejd Alibeaj.
“Përkundër ndasive që Edi Rama ka bërë që të përçajë shqiptarët, besoj se të bashkuar me dhimbsurinë për njëri-tjetrin me dashurinë për të vegjlit, me dëshirën për të rikthyer dhe rimbledhur familjen shqiptare të shpërndarë nëpër botë, kjo është sfida që kemi të gjithë dhe do ta bëjmë të gjithë bashkë në 25 prill, të votojmë për familjen tonë për të ardhmen”, tha Enkelejd Alibeaj.