Pamjet e një videoje të rëndë bënë xhiron e rrjetit ditën e djeshme në Tiranë. Pas një sherri banal mes dy personash, njëri prej tyre mori makinën e tij dhe tentoi të vrasë personin me të cilin u konfliktua dhe bashkëshorten e tij. Për fat, ndërhyrja e një polici civil në vendin e ngjarjes bëri që të mos kishte pasoja. Ditën e sotme u mësua se policia e ka arrestuar në flagrancë autorin e kësaj ngjarje që tronditi Tiranën. Ai quhet Taulant Mekollari. Partnerja e tij dëgjohet duke thënë në video se ai sapo ka dalë nga burgu. Mekollari mendohet se është dënuar pasi është kapur me armë dhe drogë. NJOFTIMI ZYRTAR Tiranë Parandalohet nga shërbimet e Policisë, përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti që mund të përfundonte në vrasje të dyfishtë. Tentoi të godiste me mjet, një shtetas dhe bashkëshorten e tij, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në bulevardin “Migjeni” po konfliktoheshin dy shtetas, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje. Rastësisht në vendngjarje është ndodhur një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, i cili ka ndërhyrë menjëherë. Falë ndërhyrjes së tij në kohë është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit që mund të përfundonte në një vrasje të dyfishtë, pasi shtetasi T. M. po tentonte të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij. Në ndihmë të punonjësit të “Shqiponjave” kanë mbërritur më pas edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët kanë bërë të mundur prangosjen e shtetasit T. M. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit T. M dhe G. M. fillimisht kishin debatuar për motive të dobëta në rrugën “Besim Alla” dhe pas disa minutash, tek bulevardi “Migjeni” ishin konfliktuar përsëri me grushte me njëri-tjetrin. Pas konfliktit, shtetasi T. M. ka marrë mjetin e tij dhe ka tentuar dy herë të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij, por pasi nuk ia ka arritur qëllimit, ka dëmtuar më pas mjetin e shtetasit G. M. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. M., 39 vjeç, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje‘’dhe’’Plagosja e lehtë me dashje’’. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje’’. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.