BallinaOP ED‘Pacta sunt servanda’ ose një guidë për pas 25 prillit

‘Pacta sunt servanda’ ose një guidë për pas 25 prillit

spot_img
spot_img

NGA GENC POLLO

1- SHENJTËRIA E MARRËVESHJES

Respektimi i fjalës së dhënë (marrëveshjes) nga palët ka qenë një nga parimet e hershme të qytetërimit njerëzor. Që ky parim të brendësohej e rrënjosej në shoqëri kaldeasit, egjiptianët e kinezët e lashtë e konsideronin të shenjtë marrëveshjen dhe besonin se perënditë e tyre ishin një “palë e tretë hyjnore”, e cila vigjëlonte e gatshme për të ndëshkuar “palën zuzare” në rast shkelje të marrëveshjes.

Më vonë ky parim del si thelbësor në fetë abrahamite po të shikosh urdhëresat e Dhiatës së Vjetër e të Re si edhe të Kuranit. Spikat në këtë traditë Shën Augustini, teologu e filozofi i shek. 5 m.Kr. i cili porosit se fjala duhet mbajtur edhe kundrejt armikut. Në shekujt e mëvonshëm e sidomos në Iluminizmin europian e deri në kohët moderne ky parim, i njohur me thënien latinisht pacta sunt servanda (marrëveshjet duhen respektuar), u bë qendror dhe universal në të drejtën kombëtare e ndërkombëtare.

Marrëveshjet e Tiranës; 2013 e 2020

Në fillim të nëntorit 2013, katër muaj pas humbjes në zgjedhjet parlamentare e shtatë javë pas formimit të qeverisë Rama, Partia Demokratike paraqiti në Kuvendin e Republikës projekt-rezolutën “Për proçesin e integrimit Europian të Shqipërisë”. Ishte një gjest vullnetmirë, konstruktiv e jo fort i shpeshtë në parlamentin tonë. Teksti i saj ishte i përgjithshëm e në pikën 6 i kërkonte qeverisë të përmbushte pesë kushtet e Brukselit (po, vetëm pesë ishin atëhere! Madje formalisht nuk quheshin as kushte por prioritete!) E veçantë ishte pika 9 ku Kuvendi (e qeveria) angazhohej të mos cënonte integritetin e institucioneve të pavarura si Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Inspektoriati i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive të ofiqarëve (ILDKPKI), Instituti i Statistikave (INSTAT), e të tjera, përfshi edhe organet e drejtësisë. Një ndër rregullat e  qeverisjes së mirë është që drejtuesit titullarë të këtyre institucioneve të emëruar sipas ligjit nga një mazhorancë parlamentare mbeten në detyrë deri në fund të mandatit të tyre; dhe kjo respektohet nga një mazhorancë parlamentare e re. Mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e v. 2005 e respektoi këtë rregull edhe pse më herët i kishte kritikuar për abuzim e korrupsion disa nga drejtuesit titullarë të këtyre institucioneve.

Në nëntor 2013, mazhoranca ra dakord me propozimin e opozitës dhe projekt rezoluta u votua unanimisht në Kuvend në 27 nëntor. Të nesërmen Shqipëria festoi Ditën e Flamurit në harmoni e paqe sociale. Shtatë javë më pas, në janar 2014, qeveria e mazhoranca e saj në Kuvend filluan të shkarkonin një nga një drejtuesit titullarë të institucioneve të pavarura e t’i zëvendësonin me njerëzit e tyre; për këtë përdornin edhe ligje speciale, por më së shumti shkelnin ligjin në fuqi.

Le të shohim çfarë i parapriu miratimit të rezolutës në planin ndërkombëtar:  më 29 tetor 2013 u mblodh në Tiranë Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit, forumi që dy herë në vit bën bashkë deputetët tanë dhe eurodeputët. Kryetari i porsacaktuar i komisionit, një eurodeputet sllovak, arriti diçka që nuk arrihej prej vitesh: miratimin me konsensus të një deklarate në fund të mbledhjes (sipas rregullores për miratimin duhen edhe votat e opozitës dhe deputetët socialistë para 2013 nuk kishin votuar pro për arsyet e tyre). Pika 6 e deklaratës, njëlloj si më vonë pika 9 e rezolutës kërkonte ruajtjen e respektimin e institucionve të pavaruara duke i pëmendur ato një e nga një me emër. Në 14 mars 2014 në Strasburg gjatë mbledhjes vijuese të komisionit, drejtuesi i deputetëve të opozitës, ngulmonte herë me zë të ulët e herë me të lartë se në deklaratën e rradhës duhej të përmendej dhunimi nga mazhoranca i pikës 6 të deklaratës së tetorit. “Lëre këtë tashti !”- i thoshte kryetari- “Po sikur të fusim një rekomandim për reformën territoriale?” Si përfundim deklarata nuk u miratua.

Në 14 janar 2020 mazhoranca nënshkroi një marrëveshje me opozitën, sipas të cilës çdo amendim  i legjislacionit zgjedhor do të bëhej me konsensus; më  5 qershor 2020 palët, po me shkrim, ranë dakord për amendimet konkrete. Një muaj më vonë shefi i mazhorancës deklaroi se do e ndryshonte sërish legjislacionin zgjedhor: pa konsensus me opozitën, ndryshe nga çfarë kishte dhënë fjalën e firmën në 14 janar dhe duke zhbërë disa nga amendimet për të cilat kishte dhënë fjalën e firmën në 5 qershor. Në fillim të tetorit mazhoranca i miratoi ndryshimet që donte shefi i saj.

Dialogu e marrëveshja e 14janarit/5qershorit u shoqërua e ndërmjetësua nga diplomatët kryesorë në Tiranë. Nuk munguan edhe episode bizare, si negociata deri në mesnatë në rezidenca ambasadorësh, siç nuk mungoi edhe përshtypja se diplomatët (dhe logjikisht Fuqitë e Mëdha që ata përfaqësonin) ishin garantorë të zbatimit të marrëveshjes. Ndaj dhunimit të marrëveshjes ata reaguan me trishtim e qortim në Twitter; ndonjë syresh bëri edhe hajgare se vërtet u prish konsensusi i janarit por nuk u cënua teksti i qershorit. Në fund të ditës të tërë “garantorët” e Tiranës  vazhduan business as usual.

Mirëbesimi mes palëve kundrejt polarizimit politik.

Polarizmi politik i  skajshëm në vendin tonë shihet si një problem jo i vogël që duhet kapërcyer. Në një shoqëri plurale e demokratike, polarizimi politik ndodh vetvetiu e herë pas here sipas dinamikës së jetës politike. Ai mund të jetë edhe i shëndetshëm, mbasi e ndihmon edhe pjesën e painteresuar të publikut  të kuptojë dallimet midis forcave politike e drejtuesve të tyre. Qofshin këto dallime programore, apo karakteriale. Por kur polarizimi është i vazhdueshëm dhe ekstrem, ai paralizon veprimtarinë politike normale dhe delegjitimon institucionet kushtetuese. Ky ka qenë shpesh rasti në politikën shqiptare pas v.1991. Jo rrallë për këtë është kritikuar opozita. Por më së shumti rrënjët e problemit kanë qenë tek qeveria. Përdorimi abuziv i pushtetit për të dobësuar, përçarë, margjinalizuar e poshtëruar opozitën, do të sillte me doemos pasojë reagime drastike nga kjo e fundit.

Sensi i vetëpërmbajtjes politike do të thotë të evitosh veprime e politika që mund të jenë ligjore, po janë tejet provokuese për publikun e për  opozitën dhe dukshëm nuk i shërbejnë interesit të përbashkët. Sidomos kur janë surpriza të pa prezantuara në fushatë e për pasojë të pamandatuara demokratikisht. Por ky është një “lluks” që e kanë demokracitë e konsoliduara në vende të kamura.

Në fund të fundit, aty raportet mes qeverisë e opozitës rregullohen nga ligji; në një rast të lumtur mund të shtojmë edhe nga tradita pozitive e nga mirëbesimi. Edhe tek ne mund të mjaftonte një zbatim e respektim korrekt e i arsyeshëm i Kushtetutës së Republikës e i Rregullores së Kuvendit, që marrëdhëniet qeveri/opozitë të mbeteshin në shinat e normalitetit. Por, si në demokraci të reja e të pastabilizuara, zhvillimet janë shpesh të papritura e plot kriza e dallgë dhe nevoja e sjell që duhen bërë edhe marrëveshje mes këtyre dy palëve; marrëveshje të cilat kthehen në vijim në akte zyrtare e ligjore dhe zbatohen nga palët. Dy shembujt e sjellë më lart përkatësisht nga vitet 2013-2014 e 2020 janë dy marrëveshje, ndër më shumë se një dyzinë, që janë arritur në këto tre dekada. Shumë syresh janë respektuar nga palët. Një pjesë e mirë e tyre janë “mundësuar” nga ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve.

Dy marrëveshjet e përkatësisht e fillimit dhe e fundit të qeverisë Rama dallohen nga të tjerat, se në rastin e tyre qeveria doli palë zuzare dhe i shkeli ato (mund të shtohej si e tretë edhe marrëveshja për ligjet e reformës në drejtësi). Shkelja e tyre është edhe receta perfekte për të helmatisur paqen sociale, për të asgjësuar atë pak mirëbesim që ekziston dhe për të provokuar polarizim të skajshëm.

Këto dy marrëveshje me ndëmjetës (e informalisht garantorë) ndërkombëtarë dallohen edhe nga qëndrimi i këtyre të fundit: ata kishin qenë një palë e tretë e besuar dhe dashamirëse, prania e së cilës ndihte që të kapërcehej mosbesimi reciprok dhe pengonte zuzarizmin e besëshkeljen. Megjithëse vdekatarë të zakonshëm si ne, ndërkombëtarët luanin rolin e palës hyjnore si dikur tek kaldeasit, egjiptianët e kinezët e lashtë. Deri kur, në rastet më lart, ata nuk mundën, apo nuk deshën të jenë garantorë. Dhe druaj se në një planet ku demokracia liberale po sfidohet hapur, ndëkombëtarët do të jenë përherë e më pak të gatshëm e të aftë të luajnë këtë rol. Të shtojmë këtu që ky rol nuk është pjesë e detyrës funksionale të tyre, por një improvizim jashtë menyje.

Udha e vetme, pas rotacionit të pritshëm pas 25 prillit, është brendësimi në ndërgjegjen politike i porosisë së Shën Augustinit dhe i normës etike europiane “pacta sunt servanda”. Duke preferuar përfitimet afatgjata për të tërë kundrejt nepsit egoist afatshkurtër.

Ish-ministër e deputet

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular