Udhëtimet individuale në Kinë arritën në 230 milionë gjatë pushimeve 5-ditore të Festës së Punëtorëve nga e shtuna deri të mërkurën, 119.7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme, tha Ministria e Kulturës dhe e Turizmit të mërkurën.
Gjatë pushimeve të Festës së 1 Majit, të ardhurat nga turizmi i brendshëm në Kinë u shtuan me 138.1 % në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s, duke arritur në 113.23 miliardë juanë (17.49 miliardë dollarë) dhe duke u rikthyer në masën 77 % të së njëjtës periudhë para epidemisë, njoftoi ministria.
Sipas të dhënave nga kompania e udhëtimeve në internet e Kinës, “Trip. com”, e njohur më parë si “Ctrip”, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, gjatë festës së sivjetshme rezervimet e biletave të avionit u rritën me rreth 180 %, të hoteleve afro 40 %, kurse rezervimet për pikat turistike shënuan një rritje trefish.
Ndërsa sipas të dhënave për sektorin e restoranteve nga “Ele. me”, numri i porosive në tre ditët e para të pushimeve të festës ishte më i larti në më shumë se gjysmë dekada. Në fushën e blerjeve, afro 500 milionë pako u dërguan në dy ditët e para të festës, me një rritje 26 %, sipas të dhënave nga Zyra Shtetërore e Postave.
Liu Zhiqin, studiues i lartë për kërkimet financiare në Universitetin Renmin të Kinës, tha për rrjetin televiziv kinez CGTN se ekonomia e festës së 1 Majit i kushtoi rëndësi të madhe rimëkëmbjes ekonomike të Kinës pas COVID-19, veçanërisht në drejtim të ofertës e kërkesës, dhe ishte një provë e suksesshme për qarkullimin e konsumit të brendshëm, që është shtylla kryesore modelit të zhvillimit me “dy qarkullime” të Kinës. Struktura e konsumit dhe suksesi i ekonomisë së festës në Kinë patën një ndikim pozitiv edhe për botën.
“Kina po përgatitet për të mbështetur dhe forcuar rimëkëmbjen ekonomike globale,” shtoi Liu.