BallinaAktualitetGjykata dënon me 2 vite burg Adriatik Lallën, ja pasuritë e ish-kryeprokurorit...

Gjykata dënon me 2 vite burg Adriatik Lallën, ja pasuritë e ish-kryeprokurorit që i kalojnë shtetit

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar sot me 2 vjet burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke e përjashtuar gjithashtu këtë të fundit për 5 vjet nga postet publike

Vendimi u mor nga Daniela Shirka, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Ish-kryeprokurori u shpall fajtor për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë.

Kujtojmë që SPAK kishte kërkuar dy vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksioni publik për Adriatik Llallën. Pasuritë e ish-kreut të organit të akuzës, gati 22 mijë metra katror truall dhe një apartament në Durrës, i kalojnë shtetit.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Megjithatë, akuzat u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

Pasuritë e konfiskuara të ish-kryeprokurorit

Në 21 shkurt 2021 Gjykata e Lartë kishte vendosur sekuestrimin e pasurive të Adriatik Llallës.

Në vendimi thuhet se “pasuria objekt sekuestroje, zotërohet nga shtetasi Adriatik Llalla, si subjekt i Ligjit Parandalues dhe ekzistojnë prova konkrete se është pasuri e pajustifikuar, pasi duke e krahasuar vlera e saj me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se kjo vlerë nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme nga ana e shtetasit Adriatik Llalla dhe bashkëshortja e tij”.

Ja pasuritë e sekuestruara:

Përveç dënimit me 2 vite burg, Gjykata e Posaçme i konfiskoi ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla edhe pasuritë, 22 gati 22 mijë metra katror truall dhe një apartament në qytetin e Durrës.

Pasuria e paluajtshme nr.39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr.8518, e llojit apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr.432 Rep dhe nr.221 Kol, datë 19.03.2012;

Pasuria e paluajtshme nr.64/40, zona kadastrale nr.3091, volume 3, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², blerë me kontratën nr.972 Rep dhe nr.546 Kol, datë 05.12.2016;

Pasuria e paluajtshme nr.64/61, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 198, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.316 Rep dhe nr.187 Kol, datë 15.03.2017;

Pasuria e paluajtshme nr.64/62, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 199, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.315 Rep dhe nr.186 Kol, datë 15.03.2017;

Pasuria e paluajtshme nr.64/58, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.573 Rep dhe nr.376 Kol, datë 15.05.2017.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular