Një grua ka marrë plagë të shumta në trup si pasojë e një sherri të ndodhur në një qendër estetike në Tiranë. Ndërsa dy të tjera janë në kërkim nga policia.
Bëhet e ditur se sherri mes femrave, që ka degraduar edhe me përdorimin e sendeve të forta ka ndodhur në një qendër estetike në kryeqytet.
Burime nga policia bëjnë me dije se kanë marrë denoncimin e një 33 vjeçareje, e cila është dhunuar nga dy shtetase, në ambientet e një qendre estetike në bulevardin “Bajram Curri”.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, të premten, e arsyet e saj mbeten të panjohura, pasi policia nuk ka dhënë asnjë detaj më shumë në njoftimin e shkurtër shpërndarë për mediat.
“Më datë 11.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për shoqerimin e shtetasve I. Gj., 39 vjeçe dhe A. D., 35 vjeçe, pasi në bulevardin “Bajram Curri”, në ambientet e një qendre estetike kanë goditur me sende të forta shtetasen L. Rr., 33 vjeçe”, thuhet në njoftimin e policisë.