PËLLUMB NAKO
Disa dekada më parë, në kuadrin e një diskutimi publik lidhur me “politikat qeveritare për qytetin”, një politolog perëndimor u shpreh: “Shenja e parë e mungesës së civilizimit në një vend, është uzurpimi i hapësirave publike për qëllime private”. Pra, respekti maksimal për gjithçka private të ndarë dhe të respektuar po aq sa edhe ajo publike, mbetet jo vetëm tipari kryesor i një shteti modern, por edhe çështje e zhvillimit social të tij, e barasvlershme me një nga tiparet e civilizimit që e karakterizon. Duke e konsideruar problemin në fjalë si cilësi, pra, të civilizimit dhe që në kushtet e vendit tonë, mungesa e tij materializohet nga larmia e ndërtimeve të paligjshme me shumicë në hapësira publike, automatikisht të vjen ndërmend fakti se problemi në fjalë mbetet i lashtë po aq sa dhe zhvillimi i shoqërisë.
Konstatimi i mësipërm po ashtu dëshmon se aktualisht në vendet e konsoliduara perëndimore, uzurpimin e territoreve e shohin si një nga fenomenet me shqetësime minimale deri në mosekzistencën fare të tij, sepse e kundërta as që merret me mend, pra, që shteti të uzurpojë hapësirat private për qëllimet e tij. E gjitha kjo edhe për faktin se në vende të tilla, problemi i uzurpimit të hapësirave publike për qëllime private nuk ka qenë për asnjë rast debat politik premtimesh për legalizim dhe më pas shkatërrim të tyre, as qëndrim për disa duke i favorizuar me legalizim e të tjerë duke i dënuar me shkatërrim, por thjesht ligjor. Bëhet fjalë për diçka që nuk e duron dot kompromisin politik sepse jemi në themelet e së drejtës së pronës.
Dhe për të arritur në zhdukjen e fenomenit të mësipërm kaq negativ, vendeve të zhvilluara iu është dashur në maksimum, jo vetëm funksionim i ligjit, por edhe përgjegjshmëri individuale e popullsisë. Po ashtu, shtetit i është dashur të rrisë cilësinë e qeverisjes së tij në nivel lokal për të krijuar hapësirat dhe lehtësirat maksimale në zgjidhjen e problemeve të ndërtimeve si për strehim dhe për shërbime, gjithmonë në përputhje me ligjin, me respektin e publikes dhe privates, në mënyrë të barabartë.
Me fjalë të tjera, organet kompetente përgjegjëse për ndërtime, të mos ua nxijnë jetën ndërtuesve apo individëve që kanë nevoja urgjente për strehim, jo vetëm me bakshishe të majme, por edhe në terma kohorë të papranueshme. Po ashtu, nga shteti të mos ndjekë një politikë fiskale jo të arsyeshme në këtë fushë dhe të mos e konsiderojë atë si një burim i majmë të ardhurash në kurriz të nevojës për strehim. Pra, nëse ndëshkimi për shkeljet në këtë fushë rritet, rëndohet dhe nga ana tjetër kërkesa për të zgjidhur problemet do të hasë në shërbime shtetërore të korruptuara, klienteliste, me taksa vështirësisht të përballueshme, sigurisht dronët hyjnë goxha në punë. Pra, paligjshmëria luftohet në radhë të parë nëpërmjet mirëqeverisjes dhe jo nëpërmjet dronëve.
Me ato që thotë ministri Çuçi, vendi ynë do të jetë më moderni për sa u përket dronëve, por më i pacivilizuari për sa u përket ndërtimeve pa leje. Zgjidhja nuk është e ekuilibruar. Modern nuk e bën një vend teknologjia e importuar dhe e mirëmbajtuar nga livruesi, por niveli social i shoqërisë, përgjegjshmëria e individit në raport me komunitetin e për rrjedhim me ligjin, gjithmonë të nxitura nga edukimi dhe mirëqeverisja. Komunitetin e përgjegjshëm nuk e krijon të jetuarit së bashku në qytetet e fshatra, për tërheqja që qeverisja duhet t’i bëjë periodikisht mendimit qytetar në çështje shtetërore. Qeveria aktuale, prej vitesh, sillet herë si plaku i vitit të ri dhe herë si xhandar përballë një popullsie herë të përkëdhelur për vota e herë të ndëshkuar për vese.
Nëse qeverisja do të jetë e orientuar drejt ndëshkimit dhe jo drejt krijimit të kushteve që eliminojnë paligjshmërinë, dronët kushtojnë dhe paratë publike do të harxhohen për ndëshkim e jo për parandalim duke shënuar gjithashtu edhe një shkëputje nga ajo pjesë e administratës shtetërore që ka për detyrë kontrollin e territorit. Ndërtimi pa leje do të eliminohet nga frika e dronit dhe jo nga përgjegjshmëria qytetare për të shenjtëruar pronën private dhe atë publike njëlloj. Droni duhet të përdoret vetëm për rastet përjashtimore dhe jo për të na bërë të lumtur se tani qiejt e Shqipërisë do të na garantojnë civilizimin e duhur për të mos ndërtuar pa leje.
Ministri Çuçi tha se do të pajisë së shpejti vendin tonë me dronë inteligjentë për të kontrolluar territorin dhe për t’i dhënë fund paligjshmërisë së ndërtimeve. Ministri tha se nëpërmjet këtyre dronëve do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht nga mbiemri apo fuqisë që ke apo për kë voton. Pothuaj kështu tha dhe paraardhësi i tij, Tahiri, kur bleu kamerat që do të mbante çdo polic për të garantuar transparencën dhe sot u zhdukën pa gjurmë. Edhe radarët e bregdetit janë teknologji e lartë, por ato nuk parandaluan tonelatat e kanabisit kur, sipas medias, dikush i fikte. Zgjidhja nuk janë vetëm teknologjia, por kush e përdor atë. Ndaj dhe duket se me këta dronë po i bëjmë nder ndonjë firme turke, njëlloj si asaj të kamerave të trupit për policët.