BallinaKronikeMotra e Silvana Gushit tregon telefonatën e fundit: Sikur e ndjenin…

Motra e Silvana Gushit tregon telefonatën e fundit: Sikur e ndjenin…

Aksidenti tragjik në vendin e quajtur “Kripa” në Vlorë të premten e shkuar la pas katër të vdekur nga familja Gushi me origjinë nga Patosi.

Eduart Gushi, Silvana Gushi dhe dy vajzat e tyre po ktheheshin nga Greqia kur një automjet luksoz goditi nga mbrapa makinën e tyre, duke u shkaktuar vdekjen. Në pranga për aksidentin ka përfunduar Igli Madani. Tri ditë pas ngjarjes, të afërmit e Silvana Gushit rrëfejnë mes lotësh momentet para dhe pas gjëmës në familjen e tyre. Fatbardha Qose, nëna e 33- vjeçares kërkon vetëm drejtësi. Ndërsa rrëfen telefonatën e fundit me të bijën, ajo tha e priste pas një viti të ktheheshin për të kaluar pushimet.

“Ku ka ngushëllim për nënën, se i kanë ikur 4 lule. Më mbylli derën e vajzës. Ç’po bëhet me këtë popull, u vra rinia, i vrau i vrau rrugaçi, i vrau ai që ka para, unë nuk kam para”, tha ajo për “News 24”.

Ajo shtoi se po e priste të bijën, dhëndrin dhe dy vajzat e tyre për të ngrënë mëngjesin, ndërsa rreth orës 08:30 minuta ndodhi përplasja fatale në autostradën Fier-Vlorë

Familjarët

“Më iku vajza në moshë të rinisë. Dhëndrin e kisha si djalë. Të vihet drejtësia në vend, ku është shteti. Unë nuk kam lekë, ai që ma ka bërë këtë do jetë biznesmen. Vetë e di si i kam rritur. Shteti të marrë masa, i bëj apel të gjitha nënave: Këtë që përjetova unë mos e përjetojë asnjë nënë në botë. Të jenë nëna të gëzuara, ai baba e ajo nënë që ka rritur atë djalë, të më vinte të më thoshte një fjalë te dera. Të më ngushëllonte, janë njerëz pa shpirt, nuk janë njerëz. Më helmuan kockën, më mbyllën derën e vajzës. Janë katër varre”, shprehet e moshuara mes lotësh.

Ajo tregoi më tej se vajzën e vogël e kishte rritur vetë, pasi më herët vajza me familjen kishin qëndruar në Shqipëri. Gruaja tha se kishte marrë katër plumba nga ngjarja, duke shtuar se Silvana ishte vajza e madhe e saj.

“Silvana ime, ishte vajza ime e madhe, ishte vajza më e mirë. Të gjithë vëllezërit dhe motrat, i gjithë fisi thoshin si vajza jote nuk ka. Po vajza ime po ha dhe. Mbesat i kisha të shkëlqyera dhe dhëndrin e kisha shumë të mirë, ma mbante vajzën. Ishin familje e rregullt, me shkollë.

E madhja ka lindur në Greqi, kurse Eva ka lindur këtu, e kam rritur nëna deri 6 vjeç. Ishin në Greqi, nuk bënë dot dokumentet dhe erdhën u kthyen. Para 2 vitesh ikën prapë, se kishin vajzën e sëmurë. Më mbylli derën e vajzës”, tha e dëshpëruar nëna.

Babai i Silvana Gushit, tha se do të kërkojë deri në fund drejtësi për ngjarjen, ndërsa falënderon të gjithë ata që u sensibilizuan.

“Jam i helmuari i atyre të katërtave. Jam babai i Silvanës. Kërkoj me gjithë forcën dhe sa të jetë fryma, edhe nëse nuk përgjigjet drejtësia shqiptare, do e shkrij jetën dhe të më kthehet gjaku që humba 4 persona. I bëj apel Gjykatës, avokatëve, ata që kanë shpirtin human dhe kanë pak njërzillëk, të venë dorë dhe të japin atë që kërkoj sot. Faleminderit të gjithëve atyre, që janë sensibilizuar. Me keqardhje më jepnin ngushëllimet e përzemërta. Këta fëmijë, për ata që kanë shpirtin e mirë, të pastër, dashurinë e fëmijës”, deklaroi Sotiraq Qose.

Motra e Silvana Gushit: Si e mora vesh lajmin e kobshëm

Motra e Silvana Gushit, e cila humbi jetën në aksidentin tragjik, tha se në spital pas aksidentit të rëndë nuk i dhanë asnjë informacion. Suela Qose deklaron për “News 24”, se mori vesh lajmin e rëndë.

“Nuk gjej fjalë të flasë dhe të mbyllë plagët e familjes sonë. Hera e fundit që folëm në darkë deri në orën 1 të natës. Hera e parë që flisnim deri në 1 të natës. Sikur e ndjenin, po qeshnin e këndonin. Në mëngjes po i prisnim. Në 9 pa çerek, marr telefonin dhe shikoj lajmet për aksidentin. Kur shkoj atje nuk më tregonte njeri, dëgjova që ishin 4 të vdekur”, shprehet ajo.

Njësoj si prindërit e saj, edhe ajo kërkon drejtësi për ngjarjen.

“Janë dy mbesat e mia që i rrita vetë. Kërkoj të drejtën për motrën e vetme që kishim, për kunatin që i thosha vëlla, për këto dy çupat e mia, se nuk i kisha mbesa. Kërkoj nga shteti të vërë dorë. Babai duhet të ishte ngritur, dhe sikur ta kishim vrarë, duhet të kishte ardhur. Duam drejtësi vetëm. I lutem të gjithë shtetit të ngrihet në këmbë, të gjithë njerëzve të mirë. Të ngrihen të kërkojnë të drejtën e tre çupave tona dhe çunit tonë. Nuk bëhet puna me lekë dhe me vrasje, ai të dënohet. Ne kërkojmë këtë të drejtë”, shtoi ajo./Panorama/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular