BallinaOP ED100 vjet GAO-institucioni lider në botë

100 vjet GAO-institucioni lider në botë

BUJAR LESKAJ

Sot, më 1 korrik 2021, në Kapitolin Amerikan po zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme ceremoniale, për të kremtuar 100-Vjetorin e Zyrës së Llogaridhënies Qeveritare (GAO), një nga institucionet themelore të shtetit më demokratik në botë. Po përse festa e GAO-s përfaqëson një eveniment për të gjithë komunitetin botëror të institucioneve më të larta të auditimit publik?

Përse kjo ngjarje është e rëndësishme dhe për audituesit publikë shqiptarë dhe opinionit tonë publik? Së pari, sepse GAO është institucioni i auditimit suprem publik më i zhvilluar në botë. Moto e saj është “Të bësh diferencën për Kongresin dhe kombin (To make the difference for the Congress and the nation)”. Tri vlerat-visar (Trekëndëshi i Artë) në themel të punës së këtij institucioni janë llogaridhënia-integriteti-besueshmëria (accountability-integrity-credibility). GAO luan një rol unik dhe të jashtëzakonshëm, duke qenë institucioni “watchdog” i Kongresit Amerikan dhe i qytetarëve amerikanë.

Së dyti, institucioni suprem (SAI) amerikan i auditimit është lider i padiskutueshëm i INTOSAI-t, organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit. Këshillën e GAO-s e kërkojnë të gjithë dhe nga GAO mësojnë të gjitha SAI-t anëtare të Organizatës. Eksperienca, vizioni dhe largpamësia e SAI-t amerikan janë në themel të tri strategjive të INTOSAI-t: 2006-2010, 2011- 2016 dhe 2017-2022. Kontributi dhe ndikimi i GAO-s në përmirësimin dhe përditësimin e standardeve ISSAI dhe në zhvillimet strategjike të INTOSAI-t e vendosin atë në sytë e të gjithëve si SAI-n nr. 1 në botë.

Së treti, pavarësia është e shenjtë për SAIn amerikan. Angazhimi institucional për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të organizatës, përforcuar nga personalitetet në krye të GAO-s që prej krijimit të saj në vitin 1921, ka rezultuar thelbësor për kulturën organizative të institucionit. Stafi i GAO-s, instinktivisht dhe fuqimisht i reziston çdo përpjekjeje të perceptuar që të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm në drejtimin apo përmbajtjen e punës së saj, madje edhe në rrezikun e tjetërsimit të punës nga Senatorë apo Anëtarë influentë të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.

Së katërti dhe së fundmi, GAO ka përfaqësuar një ndër partnerët më të rëndësishëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit në rrugëtimin e tij të modernizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm 2012-2019. Programi katërmujor “International Fellowship” i GAO-s u ka dhënë mundësinë audituesve të KLSH-së të njihen me përvojën amerikane të auditimit, me mënyrën e organizimit të punës audituese dhe standardet që aplikon GAO, duke ngjizur dije dhe eksperiencë të vlefshme për modernizimin e trupës audituese të institucionit shqiptar të auditimit publik suprem.

Në vitin 1974, Kongresi zgjeroi rolin dhe sferën e aktivitetit të GAO-s dhe i dha asaj përgjegjësi më të mëdha në procesin e buxhetimit federal. Gjatë 30 viteve të fundit, GAO ka punuar të përmirësojë llogaridhënien qeveritare, duke njoftuar politikëbërësit dhe publikun për problematikat në të gjithë qeverinë, si atë federale dhe lokale.

Në vitin 2004, me Ligjin “Akti i Reformës së Kapitalit Njerëzor të GAO-s”, emri i institucionit ndryshoi nga “Zyra e Kontabilitetit Qeveritar (në anglisht Government Accounting Office)”, në “Zyra e Llogaridhënies Qeveritare (në anglisht Government Accountability Office)”, duke reflektuar më gjerë dhe më mirë misionin e institucionit suprem të auditimit.

Listat e GAO-s për risqet e larta dhe për mbivendosjet apo fragmentimin e punës së qeverisë federale janë raporte profesionale, të cilat përbëjnë shembuj për cilindo institucion auditimi. Nëpërmjet tyre, institucioni ushtron ndër presionet pozitive më të fuqishme në botë për korrigjim dhe përmirësim të punës së qeverisë. Me dhjetëra sektorë, institucione dhe shërbime publike me vlerë deri në dhjetëra e qindra miliarda dollarë që u shërbejnë me dhjetëra milionë qytetarëve, janë përmirësuar, duke dalë nga listat e GAOs.

Që nga viti 2011, GAO ka përgatitur dhe publikuar 10 raporte vjetore që identifikojnë fushat e dublikimit, mbivendosjes dhe fragmentimit të fondeve dhe administrimit shtetëror të shpenzimeve dhe të ardhurave në SHBA. Në raportin e saj të vitit 2020, ka gjetur se IRS (administrata tatimore amerikane) mund të kursente miliarda dollarë, duke përmirësuar përpjekjet e saj për të parandaluar mashtrimet e rimbursimit të vjedhjeve të identitetit.

Raportet vjetore të GAO-s kanë ndihmuar për të përmirësuar operacionet e qeverisë federale, duke rekomanduar veprime për agjencitë dhe duke i kursyer qeverisë qindra miliarda dollarë. Gjatë dekadës së kaluar, raportet e GAO-s kanë ndihmuar qeverinë federale të kursejë mbi 429 miliardë dollarë.

Institucioni jep kontributin e tij si lider në auditim, nëpërmjet standardeve që zbaton, të quajtura “Libri i Verdhë”, të bazuara mbi rregullat e etikës dhe integritetit, ku janë reflektuar praktikat më të mira të marra nga standardet ISSAI. Këto standarde përditësohen në mënyrë periodike. GAO kontribuon në përsosjen e standardeve të kontrollit të brendshëm në administratën publike amerikane, duke botuar dhe përditësuar standardet e quajtura “Libri Jeshil(Green Book)

Në vitin fiskal 2020, instituti prodhoi 586 raporte për Kongresin dhe dha 59 dëshmi në komisionet dhe nënkomisionet e të dyja Dhomave të tij, megjithëse gjysmën e atij viti punonjësit e institucionit e kaluan në izolim gati të plotë nga Covid-19. Marrëdhënia e GAO-s me Kongresin Amerikan përfaqëson një model dhe inspirim për të gjitha institucionet e larta të auditimit (SAI-t) në botë. Po në vitin 2020, GAO i kurseu Buxhetit Federal amerikan 77.6 miliardë dollarë, ose një kthim prej 114 dollarë për çdo 1 dollar të investuar në të.

GAO përfaqëson një SAI lider të INTOSAI-t, organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit, për kontributin historik që ka dhënë dhe për vlerat e sotme që mbart dhe shpërndan në të gjithë komunitetin e auditimit të jashtëm suprem publik. Ajo përbën një model për të gjitha institucionet supreme të auditimit në botë, për pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe integritetin, vlera këto të përmbajtura në standardet ISSAI të INTOSAI-t.

Z. Gene L. Dodaro, Kryekontrollori i Tetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një menaxhim me eksperiencë, krijueshmëri, profesionalizëm dhe integritet, e ka ngritur institucionin që drejton, Zyrën e Llogaridhënies së Qeverisë (GAO-n), në apogje të respektit dhe vlerësimit të Kongresit dhe qytetarit amerikan.

Po këtë vit, ai kremton 48 vjet kontribut të tijin personal në GAO. Ndërsa në vitin 2008, kur ai u bë Kryekontrollor në Detyrë, GAO i kursente Buxhetit Federal 42.6 miliardë dollarë ose 68 dollarë për çdo dollar të investuar në të, në fund të vitit 2019, GAO u kurseu qytetarëve amerikanë 214.7 miliardë dollarë ose 338 dollarë për çdo dollar të investuar në GAO. Nën drejtimin e Dodaros, GAO i ka siguruar Kongresit mbikëqyrje të thellë, të gjerë dhe profesionale të programeve federale, një pasqyrë besnike në mënyrat për të përmirësuar qeverinë dhe largpamësi ndaj risqeve dhe tendencave afatgjata të zhvillimit të shoqërisë dhe ekonomisë amerikane. Dhe në vitin më të vështirë për punën e GAOs që nga Lufta e Dytë Botërore, në vitin fiskal 2020, GAO i Dodaros prodhoi 586 raporte për Kongresin dhe dha 59 dëshmi në komisionet dhe nënkomisionet e të dyja Dhomave të tij, megjithëse gjysmën e atij viti, punonjësit e institucionit e kaluan në izolim gati të plotë nga Covid-19. Po në vitin 2020, GAO i kurseu Buxhetit Federal amerikan 77.6 miliardë dollarë, ose një kthim prej 114 dollarë për çdo 1 dollar të investuar në të.

Nën drejtimin dhe mbikëqyrjen direkte të Dodaro-s, raportet e GAO-s kanë prekur një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë sigurinë e ushqimit, luftimin e terrorizmit, sigurinë në internet, përgatitjet e regjistrimit të popullatës, huat studentore, cilësinë e shtëpive për te moshuarit, mashtrimin në rimbursimin e taksave, shitjet e armëve të zjarrit në internet, inteligjencën artificiale, ndihmat ndaj katastrofave, uji i pijshëm, operacionet postare, siguria kufitare, programet kryesore të armëve, kujdesi shëndetësor dhe sfidat fiskale, me të cilat përballet qeveria federale, e deri te programet e ndihmës emergjente për shkak të pandemisë së COVID-19. GAO ka ngritur një ekip për të kryer vlerësime të teknologjisë, auditime të performancës dhe punë të tjera të specializuara për të ndihmuar Kongresin të mbikëqyrë investimet e konsiderueshme federale në shkencë dhe teknologji, si për të përmirësuar inovacionin dhe konkurrencën amerikane.

Gene L. Dodaro përfaqëson një ndër mendjet më largpamëse në administratën publike të vendit të tij, duke ndihmuar, me raportet dhe parashikimet e GAO-s, Qeverinë Federale që të kuptojë më mirë dhe të përgatitet për (1) kërcënimet ndaj borxhit publik dhe sigurisë ekonomike të qytetarit amerikan, nga shpenzimet 3.1 triliardë dollarë të dy paketave të shpëtimit të qeverisë federale amerikane, nga pandemia e COVID-19; (2) kërcënimet ndaj sigurisë,

(3) sfidat urgjente të qëndrueshmërisë fiskale; (4) rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe rritjen e rikthyer si tendencë të vendeve të punës, (5) dinamikën në ndryshim të ndërvarësisë globale, (6) përparimet në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, (7) ndikimin në rritje të rrjeteve virtuale dhe virtualizimit;(8) rolin në ndryshim të auditimit në qeveri dhe qeverisje, si dhe (9) ndryshimet demografike dhe sociale, me të cilat përballen të rinjtë dhe të moshuarit.

Z. Dodaro është Kryekontrollori i vetëm në historinë e GAO-s që vjen nga një eksperiencë pune 35-vjeçare totalisht brenda institucionit. Ai karrierën e tij si auditues e ka nisur në GAO që në vitin 1973, duke ngjitur gradualisht shkallët e hierarkisë, në sajë të një kontributi dhe pune plot talent, aftësi e përkushtim. Dodaro me eksperiencën e tij 48- vjeçare qëndron si garancia më madhore në realizimin e misionit të GAO-s.

Në nivel ndërkombëtar, Kryekontrollori Dodaro, krahas kontributit parësor në përgatitjen dhe zbatimin e Planit Strategjik 2011-2016 të INTOSAI-t, ishte në boshtin e përgatitjeve të Planit të ri Strategjik të Zhvillimit 2017-2022, të miratuar në Kongresin INCOSAI XXII të INTOSAI-t në dhjetor 2016 në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, si Kryetar i Grupit të Punës për hartimin e tij. Kryekontrollori i SHBA-ve ka ndihmuar INTOSAI-n në sigurimin e një zhvillimi dhe koordinimi efektiv midis vendosjes së standardeve, zhvillimit të kapaciteteve dhe shkëmbimit të njohurive për të mbështetur SAI-t anëtare dhe për të përmirësuar performancën dhe efektivitetin e tyre, duke e shndërruar gradualisht INTOSAI-n në 14 vitet e fundit në një strukturë strategjike dhe të zhdërvjellët, të gatshme dhe të aftë t’u përgjigjet oportuniteteve dhe rreziqeve ndërkombëtare të shfaqura. Dodaro ka nxitur dhe lehtësuar me efektivitet mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe rritjen e profesionalizmit midis organizatave rajonale të INTOSAI-t.

Tani, më 1 korrik 2021, në këtë datë dhe vit jubilar për GAO-n, jo vetëm audituesit, por të gjithë qytetarët shqiptarë, vlerësojnë parimet, kulturën e punës dhe idealet e Zyrës Amerikane të Llogaridhënies së Qeverisë, kësaj organizate lider në eksperiencë, transparencë, integritet, llogaridhënie dhe kontribut për auditimin publik në mbarë botën.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular