Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden njoftoi të premten emërimet për disa poste në qeverinë amerikane, përfshirë personin që nëse miratohet në Senat, do të jetë ambasadori i ardhshëm i Kosovës.
Bëhet fjalë për diplomatin e karrierës në Departamentin e Shtetit, Jeffrey M. Hovenier, i cili aktualisht shërben si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë.
Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.
Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.
Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Zoti Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në stafin e të Dërguarit Special të OKB për statusin
Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.
Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, zoti Hovenier do të zëvendësonte ambasadorin aktual Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrënsi ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.
Ambasadori e uroi zotin Hovenier në Twitter për emërimin.
Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore./ VOA