BallinaKryesoreProcesi i Berlinit si antipod i minischengenit

Procesi i Berlinit si antipod i minischengenit

Nga Red Varaku

Pas çdo dështimi të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, në horizont shfaqet menjëherë si fantazëm kërcënuese, projekti i minijugosllavisë që njihet ndryshe me termin minischengen.
Një iniciativë e përbashkët e tre prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut që nisi në Novi Sad për një terren të përbashkët që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, por që ka një problem themelor, sepse injoron tërësisht Procesin e Berlinit dhe nuk respekton standartet europiane dhe për pasojë mund të rrezikojë integritetin e rajonit dhe rrjedhimisht vetë Europës.
Ndryshe nga Procesi i Berlinit , i cili është një projekt iniciuar nga vetë Merkel, një projekt i standartizuar dhe i mbikqyrur rreptë nga BE, që nuk lejon ndërhyrjen e ekonomive të rrezikshme dhe të pacertifikuara, minischengen kërkon të krijojë një hapësirë ekonomike dhe politike qe bazohet në parimin e paritetit ose barazlargimit, që bashkëpunon me Rusinë, Kinën, Turqinë dhe të tjerë në kundershtim me detyrimet e percaktuara nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Këto ekonomi “të treta” kërkojnë të krijojnë një ekspansion në rajon nëpërmjet projektit të minischengenit që udhëhiqet nga Aleksandër Vuçiç dhe kësisoj të rikthehen si aktore të rëndësishme të fateve të këtij rajoni.
Rasti tipik më ilustrues i asaj që ky projekt përfaqëson është vetë ekonomia e Serbisë, për të cilën integrimi europian nuk përbën prioritet . Ekonomia serbe është vërtet një ekonomi në ekspansion, por është e vënë tërësisht në shërbim të shteteve me raporte problematike me demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Pra, Serbia duke qenë se është një ekonomi që po zhvillohet për shkak të investimeve të palëve të treta, kërkon që ta shtrijë ekspansionin e saj dhe të zgjerohet përmes shfrytëzimit të hapësirës së territorit të Ballkanit Perëndimor, por jashtë mekanizmave të kontrollit të Procesit të Berlinit , i cili e detyron që një pjesë të këtyre investimeve të mos i pranojë, sepse mund të cënojnë integritetin e rajonit.
Për këtë ofron dhe mbështetjen politike, aleatët e sa tradicionalë, njohjet, përvojën dhe infrastrukturën e saj. Kësisoj, me shembullin e saj ia ka dalë të joshë dhe bindë dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut që të bëhen pjesë e këtij projekti dhe këta të fundit kanë rënë dakort të shesin interesat e tyre kombëtare në këmbim të jetëgjatësisë në pushtet, sepse dihet që i vetmi shtet që përfiton nga kjo, duke pasur dhe një ekonomi shumë herë më të fortë se ekonomitë e tjera në rajon, është vetëm Serbia .
Rasti i investimit në Portin e Durrësit i sheikut arab Muhamed Alabbar, mik personal i Aleksandër Vuçiç , një investim që kërcënon interesat strategjike të BE, është rasti ilustrues më tipik i mënyrës se si do të funksionojë kjo ekonomi. Jo rastësisht ky investim alarmoi Këshillin e Europës ,i cili i kërkoi menjëherë shpjegime palës shqiptare, sepse është një investim që kërcënon interesat gjeostrategjike të Bashkimit Europian.
Ky investim mund të realizohet vetëm nëse Shqipëria shpërfill dhe braktis proceset e integrimit, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Komuniteteve Europiane dhe Shteteve të tyre Anëtare nga njëra anë, dhe Shqipërisë nga ana tjetër, nënshkruar më Luksemburg më 12 qershor 2006 apo injoron Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, nga qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u dakortësua në nëntor të vitit të kaluar.
Nga pikëpamja politike ky projekt është një riprodhimi identik i ish-Jugosllavisë që synon sërish kolonizimin serb të rajonit. Kësisoj ky projekt minon hapur demokracinë dhe sundimin e ligjit, sepse përmes influencës së “të tretëve” mban në pushtet udhëheqës autokratë që i shërbejnë me devotshmëri projektit të Serbisë së Madhe dhe as që duan t’ia dinë për interesat e popujve që përfaqësojnë.
Njëkohësisht, ky projekt është defacto shkëputje nga projekti për integrim i vendeve të rajonit, sepse refuzon të marrë në konsideratë mekanizmat kontrollues që ofron BE duke u shndërruar kështu në një ‘ghetto’ në kufijtë e Europës, ku sundohet përmes dhunës nga autokratët e korruptuar.
Përmes asaj që njihet ndryshe si “tricky diplomacy” Rusia, Kina, Turqia dhe të tjerë kërkojnë ta kthejnë këtë rajon në një zonë të tyre të influencës, që më pas ta përdorin si si kërcënim për destabilitet, jo vetëm për rajonin por për vetë BE duke rifaktorizuar rolin e tyre në skakierën botërore.
Pra, minischengen nuk është vetëm një projekt ekonomik. Ai është një projekt politik që tenton të operojë i pavarur, jashtë mekanizmave shtrëngues të mbikqyrjes Europiane, që do të prodhojë një ekonomi të pacertifikuar që rrezikon të cënojë interesat gjeopolitike jo vetëm të BE , por dhe vetë shqiptarëve, sepse ky projekt injoron Kosovën si realitet politik, injoron gjakun e derdhur për liri të martirëve që dhanë jetën për Kosovën dhe rikthen Beogradin si kryeqytet të Ballkanit Perëndimor duke e kthyer rajonin në koloni serbe dhe duke i kthyer shqiptarët në vasalë dhe skllevër të interesave sllave.
Ky projekt cënon rëndë sigurinë e Bashkimit Europian, ndërsa kapitullimi dhe dorëzimi i kryeministrit shqiptar përballë presidentit serb Aleksandër Vuçiç nuk është vetëm fatal për fatin e Kosovës, por me vendimin për të marrë pjesë në një projekt anti-europian, që injoron Procesin e Berlinit dhe që orientohet drejt lindjes, është fatal për fatin dhe të ardhmen e vetë kombit shqiptar.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular