BallinaKultureHavzi Nela, ëndrra për lirinë

Havzi Nela, ëndrra për lirinë

Nga Ahmet Prençi

Ftesën e poetit Rexhep Shahu për të marrë pjesë në përvjetorin e përkujtimin e një ngjarje makabre, atë të varjes në litar të poetit martir Havzi Nela në Kukës, e prita me një emocion shumë të veçantë. Kur mendon sot në vitin 2018, kur gjërat kanë ndryshuar me shpejtësi, është një detyrim madhor të kthejmë kokën në vitet e mënxyrës komuniste e të përjetojmë tmerrin e kalvarin e vuajtjeve të viktimave që nën terror mbolli diktatura në të katër anët e vendit. Ishte kohë kur intelektualët përndiqeshin, të mënçurit pëbuzeshin, poetët vareshin me këngën e lirisë në buzë pranvere. Ishte një kohë lugetërish, hienash, kuçedrash…
Poeti Havzi Nela është njëri nga dhjetra mijë të varur e të pushkatuar. Më e dhimshme është se pas burgut të Spaçit, poeti i ndjerë donte dhe një vit për të shpëtuar gjallë e për të dalë në liri në vitin 1990. Bishat e egërsuara duke dhënë shpirt bënë shembullin e fundit, makabritetin e pashembullt, varjen ne litar të një poeti në mes të qytetit. E gjykuan dhe e denuan me varje poetin Havzi Nela. Dënonin me varje ëndrrën për liri, ëndrërën për vargun e lirë, për demokraci e për të drejta elementare njerëzore. Ja prenë në mes, tamam aty ku fillon shpirti, tamam aty ku fillon belbëzimi, tamam aty ku tupani i lirisë bie fort e kumbueshëm. Më e dhimshme akoma është se gjyqtarët, prokurorët dhe pushtetarët partiakë të nomeklaturës në grahmat e fundit, që dhanë vendimin dhe verdiktin makabër nuk u ndëshkuan kurrë, as nga ligjet e shtetit, as nga e drejta e jetës, as nga Zoti! Gëzuan e gëzojnë edhe sot privilegje të atributeve që ju ka dhënë detyra në diktaturën komuniste. Disa morën poste të larta e disa u dekoruan dhe kjo përbën një turp në ditët e demokracisë.
Të gjitha vendet ish komuniste, të gjithë popujt e këtyre vendeve vuajtën pasojat e regjimit të kuq sovjetik. Historia e Havziut është unike, vuajti rreth dy dekada në burgun e Spaçit të tmerrshëm, qëndroi i interrnuar ne Arrën në një zonë nga më të thellat malore në Shqipëri, e në fund, një vit para rrëzimit të murit të Berlinit, para lirisë shqiptare, pikërisht në vitin 1988, i pritet jeta në mes në mënyrë makabre. U var në mes të qytetit të Kukësit dhe u varros diku nga ca njerës mizorë, në një përrua, në këmbë, vetrikalisht, pa kokë. A ka gjë më të tmerrshme të ekzekutosh kështu një mësues, një poet që lexon dhe shkruan, ndonëse i revoltuar dhe i pa pajtuar me izolimin diktatorial. Ai vetëm fjalë ka thënë. E para dhe e fundit për Havziun ishte fjala, ishte vargu, ishte ëndrra për liri e demokraci. Ky ishte dhe lajtmotivi i cilido prej nesh që në vitet ’90 u sulëm në rrebeshin e pandalshëm të përmbysjes së madhe. Mungonte fizikisht poeti Havzi në këtë tramundanë, mungonte fizikisht sepse shpirtërisht ai ishte dhe është në krye të turmës që kërkonte Liri e Demokraci, që e donte Shqipërinë si e gjithë Europën. Nuk kishte si ndodhte ndryshe me vargun dhe këngën e tij që kishte kohë që kishte lëshuar jehonën e një shpirti të lirë, të pandalshëm, si valët e lumit Drin, si ortiqet e Gjallicës e Pashtrikut, si shiu në vjeshtë e si vapa e korrikut… Ai s’kishte kryer asnjë krim, nuk kishte vrarë as prerë njeri, nuk kishte varë askënd që ti jepej një dënim i tillë. Xhelatët e masakruan poetin për të treguar fuqinë e tyre që askush në këtë vend të mos mendonte më kundër regjimit, askush të mos guxonte të shkruante poezi për lirinë, për hapësirën që të jep demokracia. Jo! Duhej vetëm ti nënshtroheshe diktaturës, të heshtje, të pajtoheshe dhe të doje atë regjim, vetëm kaq!
Ai regjim vari poetin por nuk mundi të ekzekutonte mendimin, aspiratat e deshirat e tij. Ja, sot poezitë e Havzi Nelës lexohen nga të gjithë brezat, kujtimi i tij jeton kudo, statuja e tij u vendos në mes të qytetit të Kukësit e shikimi i tij deperton tek të gjithë ne, matet me Gjallicën për nga forca dhe madhështia, duket sikur thotë: Ja ku jam! Përballë jush e bashkë me ju, si ju e me ju. Liria, mendimi e revolta e tij nuk u ekzekutuan dot, nuk u shuan, përkundrazi gjëmojnë më të forta thirrjet e tij që dalin nga ajo kohë e zymte, e errët, e trishtueshme..
***
E kur mësoj nga poeti e shkrimtari Rexhep Shahu se Bashkia Kukës e kryetari i saj Bashkim Shehu, po ndërtojnë shtëpinë e Havzi Nelës në fshatin e tij në Kollovoz, e po e kthejnë në një shtëpi muze, në një shtëpi ku do bëhet pelegrinazh i përvitshëm nga poetë e qytetarë në çdo përvjetor, zemra të ngazëllehet e ndjehesh vërtet borxhli e njëkohësisht krenar ndaj kontributorëve për të mbajtuar në këmbë vlerat e çmuara të kombit tonë. Havzi Nela ishte dhe mbetet symbol i qëndresës dhe krenarisë. Ai refuzoi, ai qëndroi, ai sakrifikoi, ai nuk u përkul kurrë për të mbetur i tillë në memorjen e brezave. Jeta e sakrifica e tij do bëjë krenar çdo lumjan dhe çdo shqiptar.
***
Në Gusht do udhëtoj për në fshatin Kollovoz, në fshatin e Havzi Nelës, do vizitoj shtëpinë e tij. Aty në këtë ditë do gjej shkrimtarë e poetë nga e gjith Shqipëria. Aty do lexohen poezitë e Havziut që u shkruan në skëterrën e gestapos komuniste, poezi si pika gjaku që rrjedhin kur shtrydh plagët vdekjeprurëse. Dhe Havzi Nela nga bota e përtejme do të jetë krejt i qetë në parajsën e tij. Ai vuajti më shumë se askush e sot lartësohet emri i tij i mbushur me lavdi, i nderuar nga ajka e shoqërisë shqiptare, nga poetët e gjithë vendit.
Unë ndjehem i privilegjuar që jam pjesë e njerzve të vendit tim për të hedhur këto pak radhë për poetin legjendë, për poetin brilant e për njeriun martir, Havzi Nela. Kuptohet që janë disa radhë modeste që unë shkruaj krahasuar me fjalët që do gdhendin për Havzi Nelën shkrimtarët e poetë bashkëkohorë e të mirnjohur që përfshin kjo përbledhje sinjifikative, kjo përmendore për njeriun e mirë, poetin e talentuar të ëndrravë, Havzi Nela…
Emri, kujtimi, krijimtaria dhe sakrifica sublime e tij do na bëjë gjithmonë të mendojmë thellë, të reflektojmë e të korrigjojmë memorjen tonë. Simbole të tilla kanë vendin e rëndësishëm jo vetëm në histori por dhe në rrugëtimin dhe aktivitetin e përditshëm të gjithsecilit që e dëshiron atëdheun tonë më të mirë, më të lirë, më të begatë e më të bukur, në altarin e shdritshëm të poezisë e të këngës, që nga belbëzimi i parë deri në ofshamën e fundit…
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular