BallinaKryesoreRamën e shqetëson Albini, jo histeria ndaj Bregoviçit

Ramën e shqetëson Albini, jo histeria ndaj Bregoviçit

spot_img
spot_img

Nga Armand Shkullaku

Përpjekja e Edi Ramës dhe e altoparlantëve të tij, për ta paraqitur veten dhe këngëtarin Goran Bregoviç si viktima të “histerisë fashiste” apo të “zjarrnxitësve mendjefikur”, që me tekst e nëntekst të qartë frymëzoheshin ngë Vetëvendosje dhe Albin Kurti, rezultoi edhe këtë herë e dështuar.

Kryeministri ka dy ditë që në mënyrë krejt të panevojshme e risjell këtë temë, duke e paraqitur veten si një liberal mendjehapur, që i duhet të luftojë me histerinë fashiste apo trupat paramilitare të facebook-ut. Qëllimi i tij është të mbajë gjallë një debat që synon të paraqesë si ekstremistë e radikalë kontrëpartin e tij në Prishtinë. Refuzimi i Minishengenit, raporti jo klanor por parimor i Prishtinës me Tiranën, pavarësia dhe autoriteti i Albin Kurtit, u tentua të përzihen në turbo folkun e Goranit për të treguar se ata andej kufirit refuzojnë edhe artin, edhe ballkanin e hapur, edhe bashkëpunimin, madje siç deklaroi vetë Rama disa ditë më parë, edhe dialogun me Serbinë që po e përdorin për politikë të brendshme.

Duke rimarrë rastin Bregoviç edhe pasi koncerti përfundoi, Rama kërkoi të theksojë kontrastin mes një artisti të pafajshëm dhe “histerisë fashiste, zjarrit të politikës qorre, e cila krijon armiq, etj…”. Edi Rama shkruan:

“Muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake, u kthye në një kriminel serb… pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerave. Paçka se Bregoviç nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi…”.

Nëse ky do të ishte vërtet parimi mbi të cilin Edi Rama gjykon, vepron dhe merr vendime, pra që i kushton rëndësi të kaluarës për të mos lënduar plagët e saj, që e vlerëson atë në raport me të ardhmen, sigurisht që ka plotësisht të drejtë t’i dalë për zot qasjes së tij në raport me Bregoviçin.

Por lexoni këtë paragraf të shkruar po nga Edi Rama: “E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik”.

Ky admirim i kryeministrit tonë artist me renome ndërkombëtare, i dedikohet një futbollisti, të talentuar, që quhet Sinisha Mihajlloviç. Ndoshta prindërit e këtij mund të mos e dijë nga i ka, por deklaratat e serbit të Cervena Zvezdës janë të njohura botërisht. Për të, Arkani ishte një hero (në foto në linkun poshtë) dhe Kosova është Serbi. Çfarë mund t’u thotë në këtë rast kryeministri shqiptar, zjarrnxitësve mendjefikur? Pse ky admirim për një lojtar normal futbolli, telefonin e të cilit ia paska dhënë “miku i përbashkët Sasha”?

Edi Rama, nuk ka një qëndrim të tijin si për atë që ka ndodhur në Kosovë ashtu edhe për të ardhmen e dy pjesëve të kombit shqiptar. Ai thjesht tenton të përdorë çdo situatë në fuksion të pushtetit të tij në Tiranë. Ai është i vetmi lider këndej kufirit që ka prodhuar marrëdhëniet më të tensionuara mes dy vendeve si dhe me gjithë drejtuesit politikë të Kosovës, Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin (kur kundërshtoi procesin e Novi Sadit), Isa Mustafën e Albin Kurtin. Rama ka dashur gjithnjë të drejtojë lojën rajonale duke e sjellë krizën Beograd- Prishtinë, si një krizë shqiptaro- serbe, të cilën, pas një shekulli, vetëm ai mund ta zgjidhë bashkë me Aleksandër Vuçiçin, ndërsa Kosova duhet thjesht ta çertifikojë.

Nismat gjysëm të fshehta si ajo e ndryshimit të kufijve apo ato të hapura si Novi Sadi (Open Balkan), nuk janë gjë tjetër veçse tentativa të njohura të liderëve autoritarë për të fituar mbështetje ndërkombëtare si faktorë me ndikim në një rajon të pastabilizuar. Garancitë e ofruara në emër të stabilitetit, janë liçensa për të mbuluar dështimet në shtetet e tyre, të kapura nga mafia dhe korruspioni, ku opozita, media, zgjedhjet, shoqëria civile, kontrollohen nga pushteti.

Në këtë skemë të stërvjetëruar në Ballkan, Edi Ramës i ka hyrë në mes Albin Kurti. Për fatin e tij të keq, kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë të bëjë pazare rajonale për interesa personale. Ai mund të kundërshtojë edhe SHBA, kur beson se është në dëm të vendit të tij. Mund ta bëjë sepse është ende i pashantazhueshëm. Ai mund të dialogojë, negociojë, bashkëpunojë në bazë të disa parimeve të cilat i ka shpallur dhe tek të cilat beson. Për këtë mund të jetë më i besueshëm dhe më i pranueshëm kur të trokasë ora për një zgjidhje përfundimtare për Kosovën dhe për këtë mund t’i bëjë të duken si sharlatanë ata që vinë vërdallë nëpër Ballkan duke shpalosur planet e radhës.

Kjo gjë e shqetëson sot Edi Ramën, prandaj dhe zhurmën ndaj Bregoviçivit tentoi ta mbajë gjallë si një “histeri fashiste” që buronte nga matanë kufirit. Duke sulmuar Kurtin, duke mbështetur underground parti opozitare me VV, duke provokuar me sulme të hapura (si rasti i open balkan) apo të tërthorta si ky i fundit me Bregën, Rama kërkon të krijojë një tension me Prishtinën duke treguar me gisht si fajtor Albin Kurtin. Në fakt kuptohet nga larg se kush është në hall.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular