Shpejtësia e lartë dhe terreni i lagur dyshohet paraprakisht se janë arsyet e aksidentit të rëndë që ndodhi këtë pasdite në Qafë-Muzinë.
Deri tani janë konfirmuar 5 viktima ndërsa 1 person thuhet se është dërguar me urgjencë në Spitalin e Gjirokastrës pasi është në gjendje të rëndë.
Ndërkohë mësohet se ka ende persona të bllokuar në furgonin e linjës Tiranë-Sarandë që ra në greminë.
Policia, ambulancat por dhe njerëz që ofrojnë ndihmën e tyre ndodhen në vendngjarje por nxjerrja e trupave është e vështirë për shkak të terrenit.
Furgoni fillimisht u përplas me një fuoristradë tip Jeep dhe më pas ra disa metra poshtë në greminë.