BallinaKryesoreEksperti gjerman: Ballkani i Hapur, sfidë ndaj BE. Ambicia e Vuçiç, lideri...

Eksperti gjerman: Ballkani i Hapur, sfidë ndaj BE. Ambicia e Vuçiç, lideri rajonal

Toby Vogel, analist pranë Këshillit të Politikave Demokratizuese, një këshill me bazë në Berlin që ofron ekspertiza në fushën politike dhe ekonomike beson se për Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç, nisma “Ballkani i Hapur” është një truk publik me anë të të cilit synojnë të tregojnë fuqinë personale në rajon përballë impotencës së Bashkimit Europian për të vepruar.

“Prej kohësh Vuçiç po përpiqet që të diversifikohet dhe të fuqizojë marrëdhëniet në rajon, që të mos quhet kampion vetëm për serbët. Ambicia e tij është më e madhe. Ai e sheh veten si lider rajonal dhe sigurisht, duke qenë lider i serbëve e ndihmon, por mendoj se në rastin e parë që roli i tij si lider i serbëve do të përplaset me atë si lider rajonal, ai do të zgjedhë këtë të dytën”, thotë Vogel në një intervistë për Euronews.

Kjo shenjon një ndryshim të madh në strategjinë e Vuçiç, që e nisi karrierën politike si ultranacionalist i Partisë Radikale Serbe dhe më pas zbuti disa nga qëndrimet e tij, përfshirë edhe anëtarësimin me BE, kur formoi Partinë Progresive Serbe. Në vitet e fundit, Vuçiç luante një rol pro-EU në Bruksel, ndërsa në rajon ruante pikëpamjet e tij nacionaliste. Thotë se me kalimin e viteve është rritur e pjekur politikisht.

“Këtë e pamë me historinë e vaksinave, ku mesazhi i qartë që iu dha BE-së ishte: ‘ne mund të veprojmë aty ku BE ka dështuar. Po tregojmë solidaritetin tonë me vëllezërit në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje duke u dhënë vaksina, ose duke i lënë që të vijnë të vaksinohen në Serbi”, sjell si shembull Vogel.

Por, ndasitë janë të thella. Etno-nacionalizmi gjigant shqetëson ende Ballkanin Perëndimor. Ky e ka lënë Bosnjen që të jetë e dyzuar për Ballkanin e Hapur. Disa prej udhëheqësve në Malin e Zi gjithashtu, si Milo Gjukanoviç janë kundër, duke e cilësuar këtë nismë si nxitëse të nacionalizmit serb në rajon. Këto çështje nuk mund të zgjidhen vetëm me qasje ekonomike, beson Vogel.

“Kushdo që beson se ky është një projekt që ngrihet mbi mirëbesimin, besoj se po e nënvlerësojnë rrezikun e qasjes së bazuar vetëm te ekonomia. Bashkëpunimi ekonomik do të përpalset me realitetin politik herët a vonë. Komuniteti ndërkombëtar dhe BE në përgjithësi kanë një tendecë që t’i mëshojnë bashkëpunimit ekonomik kur përplasjet politike ashpërsohen dhe kjo asnjëherë nuk ka funknsionuar, sepse çështjet politike gjithmonë do të përzihen me ato ekonomike”, shton Vogel.

Vogel thotë se gjithsesi, se disa zyrtarë të BE-së janë të gatshëm që ta shohë nismën “Ballkani i Hapur” të realizohet, edhe si eksperiment, apo pse jo edhe si zëvendësim i anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor.

“Ka disa njerëz në institucionet e BE që janë të gatshëm ta pranojnë, jashtë kamerave dhe privatisht, se zgjerimi ka vdekur, anëtarësimi nuk do të ndodhë, përveç ndoshta Serbisë dhe Malit të Zi dhe unë mendoj se këta zëra po mendojnë për alternativat”, shton Vogel.

Megjithatë, Vogel thotë se “Ballkani i Hapur” nuk mund të jetë një çmim mjaftueshëm ngushëllues për të zëvendësuar anëtarësimin e BE.

“Kemi më shumë se 25 vite bisedimesh të lodhshme e të zvarritura për integrimin e rajonit, paqen, reformat, sundimin e ligjit dhe vlerat europiane. Mendoj se do të jetë e vështirë për zyrtarët e BE, që të thonë papritur se “tani ju keni zonën tuaj miniekonomike, ndaj misioni u përmbush”, deklaron Vogel.

Megjithatë, eksperti gjerman paralajmëron se kjo edhe mund të ndodhë si një përpjekje dëshpëruese e Bashkimit Europian për të marrë kredite, duke e ditur se është shkëputur nga rajoni në shumë mënyra”, shton ai.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular