Ish-kreu i PS në Vaun e Dejës, aktualisht delegat i socialistëve, Nikolin Huba, i cili u plagos ditën e sotme në Shkodër, është dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë.
54-vjeçari menjëherë sapo ka dalë nga salla e operacionit është marrë në pyetje, por ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe se nuk e di kush janë autorët apo përse e kanë plagosur.
“Sapo kam dalë nga kafja dy persona me motor me skafandë në kokë janë afruar dhe më kanë qëlluar. Nuk më kanë thënë asnjë fjalë. Une nuk e di se kush janë, sepse nuk kam asnjë konflikt me askënd. Vetëm qëlluan dhe ikën, nuk kam asnjë ide përse më qëlluan”, ka thënë Huba
Megjithatë, policia vendore e Shkodrës pistën kryesore ka atë të drogës. Kohët e fundit ka pasur disa aksione në zonën e Vau të Dejës, ku janë asgjësuar rrënjë kanabisi dhe janë arrestuar disa persona të ndryshëm. Pista kryesore e policisë është se kultivuesit kanë dyshuar se Huba mund të ketë dhënë informacion për efektivët, duke i dhënë një mesazh përmes kësaj plagosjeje.
Megjithatë, kjo është një pistë fillestare që ka policia, ende e pabazuar në prova, por që është pista kryesore për të cilën dyshohet se ka ardhur kjo plagosje. Policia po heton edhe pista të tjera për ta zbardhur të plotë ngjarjen.