BallinaPolitikeDy kërcënimet e amerikanëve dhe telefonata që çuan në përjashtimin e Berishës...

Dy kërcënimet e amerikanëve dhe telefonata që çuan në përjashtimin e Berishës nga PD

MARIGLEN KUME/ Pa kaluar plotësisht një muaj nga humbja e zgjedhjeve parlamentare për herë të tretë radhazi dhe kur PD-ja kishte nisur betejën për të ashtuquajturën “masakër zgjedhore”, selia blu mori një tjetër goditje të rëndë. Lideri historik i saj, Sali Berisha, u shpall person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

PD-ja, e cila para zgjedhjeve parlamentare i bëri presion KQZ-së për të përjashtuar kreun e PSD-së, Tom Doshi, nga gara për shkak se ishte shpallur “non grata” më 19 maj, u gjend përball presionit se në grupin e saj kishte një person të shpallur “non grata”.

Çështja nisi të nxehej më tepër kur ish-Kryeministri Berisha vendosi që të padis në një gjykatë në Francë Sekretarin e Shtetit amerikan, Antony Blinken, për shpifje.

Ndërkohë, në publik Berisha insistoi se akuzat ndaj tij ishin ngritur mbi bazën e raporteve që sipas tij, financoheshin nga George Soros dhe si rrjedhojë sipas Berishës, ishin të rreme. Ndërkohë, në publik Berisha dhe Basha kërkuan që të behej transparencë dhe nga partnerët e SHBA-së të kishin fakte dhe prova mbi akuzat për korrupsion dhe ndikim në sistemin e drejtësisë.

Në selinë blu deklaratat në lidhje me ketë çështje ishin thuajse zero. Ndërkohë më 30 qershor, në kuadër të një vizite në Ballkan ndihmëssekretari i Përkohshëm për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker, zbarkoi në selinë blu së bashku me kryediplomaten Kim, e cila prej kohësh nuk kishte shkuar në selinë blu.

Siç zbulohet tashmë nga vetë kryedemokrati Basha në fjalën që mbajti të enjten para Grupit Parlamentar, kërkesa e tij paska qenë e prerë dhe e panegociueshme: të përjashtohej Berisha nga Grupi Parlamentar i PD-së. Kërkesa e tij që mesa duket ka qenë e mbështetur edhe në prova që i janë vendosur Bashës përpara kanë qenë arsyeja pse Reeker nuk pranonte negociata me PD-në për këtë çështje.

“Në këto dy muaj e gjysmë, unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në SHBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjidhëm dot problemin. Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë. Na është bërë i qartë vendimi i DASHit për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij”, tha Basha para Grupit Parlamentar të enjten.

PRESIONI I DYTË

Një muaj pas vizitës së Reekerit në zyrën e Bashës, zbarkoi kryediplomatja Kim, e cila pasi i kujtoi Bashës qëndrimin e Reekerit, shtoi presionin edhe në publik duke thanë se do ishte tragjike nëse PD-ja do zgjidhte të shkuarën dhe jo të ardhmen.

“Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia ‘do të hante bar’ për hir të interesave personale të një njeriu”, deklaroi Kim më 30 korrik, ndërsa i la afat Bashës një muaj për të marrë vendimin.

Ndërkohë, vetëm 12 orë para se të niste seanca e parë parlamentare, kreu i PD-së telefonoi Berishën për t’i thënë vendimin se do e përjashtonte, edhe pse ish-lideri historik, themelues i PD-së ishte kundër. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular