BallinaKryesorePolitika në funksion të vetvetes dhe një Operacion Radikal

Politika në funksion të vetvetes dhe një Operacion Radikal

spot_img
spot_img

Nga Erl Kodra

Për të kuptuar atë se çfarë po ndodhë në Partinë Demokratike, së pari duhet kuptuar shoqëria në tërësinë e saj – domethënë strukturën e saj socialo-politike, si dhe arsyet pse votuesi shqiptar voton njërin krah politik. Unë nuk kam të dhëna të kësaj natyre, sepse për fat të keq këto lloj studimesh mungojnë, por duket qartë se të dyja krahët politik kanë një bazë të konsoliduar militantësh, le ta quajmë “bazë të konsoliduar elektorale”, që asnjëherë, për asnjë arsye në botë nuk e ndryshojnë votën e tyre. Në këtë kuptim Partia Socialiste ka një elektorat më fanatik, që edhe pse jeton në kushte të mjera ekonomike, ata e votojnë PS-në nga fanatizmi, edhe pse e ata e dinë se do vazhdojnë të jetojnë të njëjtën mizerje, dhe se jeta e tyre do të jetë e njëjta, përgjithmonë.

Nga ana tjetër, elektorati bazë i PD-së është paksa më rebel, por gjithësesi, ata nuk e ndryshojnë votën, por e braktisin procesin, duke i dhënë kështu një avantazh të pamerituar krahut kundërshtar. Kjo ndodhë sepse, ndërkohë që votuesi i djathtë mund të mos shkojë të votojë për PD-në, edhe për shkaqe ideologjike, ekonomike dhe sociale (ndonjëherë edhe personale), votuesi i majtë nuk e braktisë partinë e tij, edhe sikur partia t’ia shkatërrojë pronën, jetën dhe pasurinë.

Në përgjithësi, mund të pohohet se elektorati shqiptar nuk voton nisur nga programet politiko-ekonomike të partive, por për arsye të tjera, siç janë militantizmi (që përbën pjesën më të madhe të trupës votuese) dhe klientelizmi. Dukshëm kjo është karakteristika më e përhapur mes votuesve të Partisë Socialiste, se sa të atyre të Partisë Demokratike.

Në këtë kuptim, votuesi shqiptar është krejt i pafajshëm: fundja faji nuk mund të jetë i shoqërisë, por i elitave politike dhe ekonomike, që e shfrytëzojnë deri në monstruozitet një popull tejet të varfër, madje edhe duke ia blerë votën përmes metodave jashtë politikës. Shembulli më domethënës në këtë drejtim është “fitorja” e mandatit të tretë të Edi Ramës përmes blerjes dhe shantazhit të vullnetit të votuesve të mjerë – të mjaftueshme për të bërë diferencën.

Megjithse nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, gjykoj se ishte e nevojshme për të shpjeguar dhe kuptuar grackën ku është mbërthyer votuesi shqiptar. Broçkullat me demokratizim dhe vullnet masash janë ushqimi i vetëm propagandistik që u ofrohet qytetarëve, por duke u fshehur gjithmonë kurthin që u kanë bërë gati, ku të varfërit do të vazhdojnë të jenë të varfër, ndërsa elitat politiko-ekonomike do të vazhdojnë të pasurohen përmes korrupsionit. Kjo është arsyeja e vetme pse ndryshimi i status quo-s është bërë i domosdoshëm, përndryshe, ne do të vazhdojmë të mbetemi pengje të kësaj klase politike edhe për disa dekada.

Partia Demokratike është mbërthyer në një luftë të pakuptimtë për pushtet të brendshëm, luftë kjo që do ta çojë ose drejt shkatërrimit të plotë, ose drejt izolimit politik dhe bunkerizimit me faktorin ndërkombëtar. Megjithatë, ekziston edhe mundësia tjetër, që kjo fazë e rrezikshme politike të tejkalohet, dhe se votuesve të djathtë t’u shpjegohet ndershmërisht e vërteta. Po cila është e vërteta?!

Së pari, Partia Demokratike nuk ekziston për interes të asnjë individi të caktuar, qoftë ky edhe lideri i saj historik, por në funksion të shoqërisë shqiptare. PD duhet të jetë një alternativë për të qeverisur vendin, jo një alternativë për të mbrojtur interesat e ish-funksionarëve të saj. Më ka çuditur dhe tronditur lehtësia me të cilën flasin dhe kërkojnë të imponohen ish-zyrtarë të lartë të PD-së (deri edhe ish-presidentë) kur përmendin “kontributet në Partinë Demokratike”, thua se duke qenë në ato pozicione të larta, ata kanë sakrifikuar nga pasuria dhe rinia e tyre. Në fakt ata nuk kanë sakrifikuar asgjë, por vetëm kanë përfituar prej PD-së. Sakrifica të tilla na rafshin për kokë të gjithëve (sic!).

Partia Demokratike nuk ka pse të ekzistojë nëse ajo funksionin si një shoqëri aksionere e vetëm disa “kontribuesëve”, por ajo duhet të ekzistojë si një etnitet kushtetues në funksion të mirëqenies dhe të mirëqeverisjes së vendit. “Kontribuesit” nuk japin asnjë provë të sakrificës së tyre, përveç faktit se ata kanë përfituar në maksimum nga benefitet e posteve të larta. Nuk ka ide më infantile se sa ajo e “kontribuesvëve në funksion të vetvetes”, por jo kontributit për zhvillimin e vendit përmes qeverisjes së mirë.

Ajo çfarë po ndodhë këto ditë në Partinë Demokratike, tejkalon kufinjtë e mosarsyes dhe çmendurisë. Të gjithë e dinë se rruga e nisur është rrugë pa krye, megjithatë nuk ndalen së shfrytëzuari deri në palcë emocionet e popullit të djathtë. Dhe këtë e bëjnë jo se ia duan të mirën e tyre, por se kjo është e vetmja mënyrë që ata të mbijetojnë. Shkurt, ata po e përdorin emocionet njerëzore në funksion të mbijetesës së tyre.

Operacioni radikal ku po e fusin PD-në është i rrezikshëm dhe qëllimkeq në vetvete. Ata e dinë mirë se rezultati do të jetë fatal, megjithatë, askush nuk shfaqë fije pendese. Kjo tregon se “kontribuesit” nuk e kanë dashur ndonjëherë PD-në, as votuesin e djathtë, por kanë dashur postet dhe interesat e tyre.

Kjo është e pandershme, cinike dhe e turpshme. Partia Demokratike i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ajo nuk ka pse të sakrifikohet në një operacion radikal – sa kohë që dihet se përfundimi do të jetë fatal – vdekje ose koma e gjatë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular