BallinaAktualitetIkën Ardi Veliu, polici i akuzuar për partizim të Policisë së Shtetit

Ikën Ardi Veliu, polici i akuzuar për partizim të Policisë së Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dha dorëheqjen nga ky post në një letër të publikuar nga kryeministri Edi Rama, në të cilën thotë se dëshiron të largohet “për t’iu përkushtuar më shumë familjes”. Rama e pranoi dorëheqjen duke lënë të kuptohet se ka në plan t’i japë punë në pozicione të tjera shtetërore.

“Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falënderoj nga zemra për kontributin e vyer,” deklaroi Rama.

“Në këtë moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’iu përkushtuar më shumë familjes,” deklaroi Veliu në letrën e dorëheqjes. Edhe Veliu iu përgjigj vlerësimit të Ramës duke deklaruar në letrën e tij: “Mezi pres të punojmë sërish sëbashku në të ardhmen”.

Veliu u emërua drejtor në shkurt të vitit 2018 ndërsa drejtimi i Policisë së Shtetit prej tij u shoqërua me akuza për instrumentalizim partiak të kësaj strukture. Veliu ishte gjithashtu drejtori që pa degradimin e marrëdhënieve mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit në përplasje të dhunshme.

Në vitin 2019, në mënyrë të paprecedentë, Policia e Shtetit bombardoi me gaz lotsjellës banorët e Bregut të Lumit në Tiranë në mbështetje të një operacioni për të shembur banesa, pa marrë parasysh se në banesa kishte fëmijë. Në nëntor 2019, nën gaz lotsjellës përfunduan banorët e Unazës së Re.

Ndërsa në maj të vitit 2020, Policia e Shtetit u akuzua se përdori dhunë të pajustifikuar kundër protestuesve gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar. Pak javë më vonë, Veliu u përball me kërkesa publike për dorëheqje pasi u pasi u regjistrua në parlament, duke sulmuar një nënë në përpjekje të dukshme për të justifikuar dhunën policore kundër një fëmije 14 vjeçar.

Veliu zbuloi se kishte gërmuar në median sociale të nënës së fëmijës së dhunuar nga policia për të gjetur se ajo ishte shfaqur në një video me pistoletë, duke lënë të nënkuptohet për atë që kritikët e quajtën, një përndjekje me biografi familjare si në kohën e komunizmit. Veliu deklaroi se ishte keqkuptuar.

Në dhjetor 2020, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i bënë thirrje atij të dënonte ndalimet policore dhe dhunën ndaj gazetarëve që po raportonin nga përplasjet e dhunshme mes të rinjve të zemëruar nga vrasja e një 25 vjeçari nga policia dhe forcave policore. Veliu heshti.

Kulmi i karrierës së Veliut me gjasa ishte ngjarja e 21 prillit 2021 në Elbasan, ku në një përplasje mes grupeve politike rivale u vra politikani lokal Pjerin Xhuvani. Veliu deklaroi se në vendngjarje nuk ishin gjetur prova për krime zgjedhore, në një kohë kur dokumenti i ekspertimit, sugjeroi ekzaktësisht të kundërtën. /Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular