BallinaKryesoreZbardhet debati me dyer të mbyllura në grupin e PD! Basha: Llumi...

Zbardhet debati me dyer të mbyllura në grupin e PD! Basha: Llumi i tranzicionit do të iki një herë e mirë

MARINGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kërkuar deputetëve të tij që të mbështesin protestën e ditës së nesërme që është lajmëruar nga shoqëria civile për rritjen e çmimeve.

Ndonëse tema më e nxehtë e ditëve të fundit në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura e grupit parlamentar kjo temë u hap vetëm pas pyetjes së ngritur nga deputetja e Dibrës, Dhurata Çupi

Burime nga brenda mbledhjes së PD-së bënë me dije për gazetën “Panorama” se pasi ishin ezauruar tematikat e prioriteteve në komisione dhe porosia e Bashës për deputetët për të takuar sa më shumë qytetarë, ishte deputetja Çupi, e cila pyeti kreun e selisë blu se çfarë qëndrimi do mbante selia blu në lidhje me protestën që kanë lajmëruar shoqëria civile ditën e mërkurë në orë 17:00.

Ndërkohë, qëndrimi i kreut të selisë blu ka qenë i qartë, duke i thënë se nëse është një iniciativë e qytetarëve ajo duhet të mbështetet në çdo mënyrë dhe me çdo formë. Ndërkohë, sa i përket rritjes së çmimeve Basha në mbledhje ka akuzuar qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e situatës. Debate në mbledhjen e grupit ka pasur edhe sa i përket planit me 7 pika që propozoi Basha.

Sipas deputetit të Shkodrës, Helidon Bushati, propozimet duhet të jenë më konkrete dhe më të përqendruara. Ndërsa nga ana tjetër, Gjekmarkaj kërkoi që të mos ndryshojnë tezat që prezantohen në publik.

DEBATI ME DYER TE MBYLLURA

Lulzim Basha: Shefat e komisioneve të PD-së duhet të dorëzojnë deri ditën e enjte strategjinë që do të ndjekin në Komisionet Parlamentare. Strategjia duhet të përmbajë edhe pikat që do të kenë prioritet aktivitetin e Komisionit Parlamentar. Komisionet duhet të kenë politikëbërjen e tyre. Duhet të shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe të gjejnë konsensus. Në çdo mbledhje të ketë një vendimmarrje. Ndërkohë, komisionet që nuk kanë sjellë strategjinë, ta bëjnë atë deri ditën e enjte.

Alfred Rushaj: Konferenca e Kryetarëve vendosi që mbledhjet e komisioneve parlamentare të zhvillohen me prezencë fizike. Online mund të jenë vetëm mbledhjet që nuk kanë ndonjë rëndësi të lartë dhe kur gjendet konsensusi i të gjitha palëve. Në të kundërt çdo gjë bëhet me prezencë fizike.

Helidon Bushati: I pashë ato 7 pikat. Unë mendoj se rëndohemi po thamë ato 7 pika. Duhet të përqendrohemi më shumë te dy-tri pika. Ne duhet të sqarojmë këtë. Duhet të fitojmë besueshmëri te qytetarët. Nga këto 7 pikat duhet të jemi më konkret në atë që themi. Dakord me këto pikat, por ne duhet të jemi më konkret. Karburanti, mendoj se s’ka nevojë t’i themi që duhet të ulet me 240 lekë, sepse taksën 70 e kemi pas thënë vetë. Kur themi 240 lekë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk ndodh, sepse është shumë. Por, ne duhet të themi një shifër që mund të jetë reale dhe që vërtet mund të bëhet. Jo thjeshtë të bëjmë retorikë politike.

Lulzim Basha: Të shtata ato pikat që kemi prezantuar kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe duhet të aplikohen paketë në mënyrë që të arrihet rezultati i kërkuar. Nuk mund të merren tek e tek, sepse nuk funksionojnë. Partia Demokratike e ka përllogaritur një plan të tillë dhe funksionon nëse aplikohet.

Agron Gjekmarkaj: Përderisa kemi nxjerrë këtë planin me 7 pika, unë mendoj se ne duhet të fokusohemi aty dhe të mos nxjerrim teza të tjera. Nuk duhet të bëhemi konfuz ku një herë propozojmë diçka dhe ajo pëson ndryshime rrugës. Duhet të fokusohemi tek një mesazh dhe të insistojmë. Kemi edhe propozimin për TVSH 6% për shportën e ushqimeve bazë.

Albana Vokshi: Kryetar, nesër (Sot) diskutohet marrëveshja e qeverisë me “Pfizer”-in për dozat e tjera të vaksinimit. Do diskutohet në Komisionin e Shëndetësisë dhe në Komisionin e Ligjeve. Do kemi ne një vendim të unifikuar se çfarë qëndrimi do mbajmë në komisione?

Lulzim Basha: Kjo çështje duhet të diskutohet mes jush në fillim mes anëtarëve të komisioneve parlamentare dhe më pas në Kryesinë e Grupit Parlamentar të vini me një propozim konkret. Megjithatë, duhet ta bisedojmë në Kryesinë e Grupit Parlamentar.

Dashnor Sula: Ne duhet të jemi të besueshëm te qytetarët. Duhet të jemi sa më konkret në denoncimet që bëjmë. Tani të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka korrupsion, të gjithë e dimë se ka abuzime të mëdha. Por, që të jemi vërtet të besueshëm te qytetarët ne duhet të jemi konkret në denoncimet që bëjmë. Duhet të analizojmë çdo sektor, duhet të verifikojmë kush janë abuzuesit dhe të dalim e t’i denoncojmë me fakte dhe emra. Të mos mjaftohemi vetëm me termin oligarkë dhe të përgjithësojmë gjërat, por duhet të verifikojmë, të gjejmë kush janë abuzuesit e t’i denoncojmë me fakte dhe emra.

Luçiano Boçi: Unë e kam thënë gjithmonë që duhet të bëjmë një ndarje mes arsyes dhe emocionit. Njerëzit janë me arsye e me ne, por neve s’i kemi kapur dot me emocion. Ne duhet të gjejmë si të arrijmë në zemrat e tyre. Duhet të gjejmë mënyrën e komunikimit sesi të komunikojmë me qytetarët që t’i bëjmë të kuptojnë se jemi duke mbrojtur interesin e tyre.

Lulzim Basha: Çështja e rritjes së çmimeve është mëse e prekshme te njerëzit, sepse ndikon direkt ne xhepat e tyre. Neve duhet të intensifikojmë edhe më shumë takimet me qytetarët, duhet t’i takojmë ata kudo që të jenë. Në jetën e përditshme, në punë, te berberi, ku blejnë bukë, në shtëpitë e tyre. Kudo.

Dhurata Çupi: Kryetar, unë duhet të bëj një pyetje, mbase më lind edhe si detyrim si deputete e qarkut më të varfër të Shqipërisë(Dibër). Shoqëria civile ka lajmëruar protesta. Ne si parti, çfarë qëndrimi duhet të mbajmë, duhet të bashkohemi me ta për të protestuar kundër këtyre padrejtësive?

Lulzim Basha: Ne duhet të shtojmë takimet me qytetarët. Ne duhet të pyesim qytetarët se çfarë problemesh kanë. Duhet të marrim shqetësimet e tyre dhe të jemi në mbështetje të tyre. Nëse qytetarët mbështesin protestat, atëherë edhe neve duhet t’i mbështesim ata me të gjitha mundësitë dhe mënyrat që kemi. Ne duhet të bëhemi zëri i shqiptarëve. Ne duhet të çojmë shqetësimet e tyre aty ku ata nuk mbërrijnë dot.

Në Shqipëri ka korrupsion të madh. Por, politika shqiptare do të pastrohet. Llumi i tranzicionit do të iki një herë e mirë, ndaj ka filluar t’u dridhen këmbët dhe kanë filluar të nervozohen. Duhet të iki një herë e mirë. Këtë e kanë kuptuar, ndaj janë të nervozuar dhe reagojnë nga të gjitha palët.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular