Një grup të rinjsh serb kanë lhequr flamujt shqiptarë që kanë qenë të vendosur në Beograd, për shkak të një samiti të ndodhur atje, ditë më parë.
Mediat serbe raportojnë se personi që largoi flamujt është Nikolla Keljanoviq.
Sipas raportimeve, ai e ka pranuar fajin. Ata flamuj, vënë në pah mediat serbe, ishin vendosur për shkak të një samiti të mbajtur më 11 dhe 12 tetor dhe në Beograd, pas samitit, mbetën flamujt e shumë vendeve, përfshirë edhe flamujt e Shqipërisë.
Duke folur rreth Nikolla Keljanoviq, i cili ka pranuar se ka hequr flamujt shqiptarë në kryeqytetin serb, mediat serbe thonë se ai tashmë është i njohur për publikun për sjelljet e tij arrogante.
“Unë dhe shoku im po udhëtonim përgjatë ‘Bulevarit’ kur pashë flamujt e Shqipërisë, u ndalëm me qëllimin për t’i ulur. Kur u afruam, katër djem vrapuan drejt nesh dhe donin të na ndihmonin, kështu që ata u ngjitën dhe hoqën ato. Vazhduam tutje dhe hoqëm një duzinë flamujsh”, ka thënë Keljanoviq.
“Të jemi të qartë, unë nuk kam asgjë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, por ka nga ata që urrejnë, dhe përderisa ka nga ata që janë kundër serbëve dhe Serbisë, nuk dua ta shoh flamurin e tyre në Beograd. Samiti ka kaluar, tani mund të hiqet flamuri shqiptar dhe flamujt e tjerë”.
Ndërsa i pyetur se pse i bindi fëmijët e mitur të “ulnin” flamurin shqiptar dhe më pas i hipi në makinë si “shpërblim”, Nikolla u përgjigj: “Nuk i binda kurrë, siç thashë, ata erdhën për të ndihmuar. Doja t’i regjistroja për rrjetet sociale dhe prandaj dëgjohen kur u them ta bëjnë, sepse kam filluar të regjistroj”.
Lidhur me një veprim të tillë ka reaguar edhe Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
“Diskursi publik i bërë për ndarjen e ‘shqiptarit të ndershëm’ dhe atij të pandershëm në Serbi. Do të thotë: ndershmëri = besnikëri = i nënshtruar”, ka shkruar Mustafi në Twitter./Metro