Edy Reja dhe djemtë e tij, luajnë sot në mbrëmje aktin e dytë të sfidës përballë Anglisë, transfertën prestigjioze në Wembley. Nuk ia dolën dot në “Air Albania” të shënonin qoftë dhe një gol apo ti rrëmbenin një pikë, por do të provojnë ta bëjnë diçka të tillë në shtëpinë e tyre që shpikën futbollin. Mungesat e shumta dhe forma jo e mirë e disa titullarëve, mbi të gjitha e Armando Brojës, që vijon ta shqetësojë dëmtimi i pësuar në kavilje, nuk i japin shumë mundësi zgjedhje por nuk mungojnë surprizat as në këtë përballje.
Mungesa e Etrit Berishës në konferencën zyrtare për shtyp, është një sinjal se në portë nga minuta e parë mund ta nis Thomas Strakosha. Mungesa e Berat Gjimshitit kalon peshën tek Marash Kumbulla dhe pjesa tjetër e prapavijës e cila pritet të formohet nga Ismajli dhe Veseli ndërsa Hysaj dhe Trashi do të plotësojnë krahët. Keidi Bare dhe Klas Gjasula janë të paprekshëm në qendër të mesfushës ndërsa përpara tyre pritet të vendoset Nedim Bajrami, fantazisti i shumë kërkuar nga Edy Reja. Në konferencë për shtyp, tekniku italian u shpreh se Broja nuk është gati për ta nisur këtë sfidë si titullar, duke bërë që dyshja e sulmit të formohet nga Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi, të dy lojtarët po kalojnë një formë të shkëlqyer.