Pirja e alkoolit dhe ruajtja e një shëndeti të mirë, mund të jetë një balancë shumë e vështirë për t’u ruajtur nga shumë njerëz. Ndonëse disa studime kanë zbuluar se pirja në sasi të moderuara mund të jetë e mirë për shëndetin e njeriut, disa të tjera kanë zbuluar se çdo sasi alkooli mund të shkaktojë dëme.
Por tani një studim i ri zbulon se të paktën tek të moshuarit, një konsum i moderuar i pijeve alkoolike, mund t’i ndihmojë ata të jetojnë më gjatë, duke ulur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës. Studiuesit nga Universiteti Monash, thonë se konsumimi i moderuar i alkoolit, përmirësoi shanset për të shmangur sëmundjet kardiovaskulare, në mesin e më shumë se 18.000 të moshuarve në Shtetet e Bashkuara dhe Australi
Për më tepër, konsumuesit e moderuar të alkoolit, kishin një rrezik më të ulët të problemeve të zemrës, sesa individët e shëndetshëm që zgjodhën të mos pinin fare. Po sa është sasia e duhur e alkoolit, për të pasur një zemër të shëndetshme? Ekspertët bien përgjithësisht dakord se pirja në sasi të madhe dhe të tepruar, është ndër faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet dhe vdekjen e hershme nga të gjitha shkaqet.
Por lidhja midis sasive më të vogla të alkoolit dhe shëndetit ka qenë më e paqartë. Ndërkohë, sëmundjet kardiovaskulare janë vrasësi nr.1 në mbarë botën. Me rritjen e popullsisë së botës për shkak të jetëgjatësisë më të madhe, studiuesit vëzhguan se si të rriturit e moshuar, mund të jenë në gjendje që ta ruajnë cilësinë e jetës së tyre kur arrijnë në të 70-at e më tej.
Të gjithë pjesëmarrësit në studim ishin përgjithësisht individë të shëndetshëm dhe pa histori të problemeve të zemrës, demencës ose paaftësisë. Mbi 18.000 të moshuarit kishin një moshë mesatare 74 vjeç. Nëpërmjet vetë-vlerësimit të zakoneve të tyre të pirjes, studiuesit zbuluan se 18.6 për qind nuk pinin fare alkool gjatë një jave.
Sa për ata që pinë alkool, 37.3 për qind pinin 1-50 gram alkool (deri në 3 gota) në javë, 19.7 për qind pinin 51-100 gram alkool (3.5 deri në 7 gota) dhe 15.6 për qind konsumonin 101-150 gram (7 deri në 10 gota) çdo javë. Ndërkohë 8.9 për qind e pjesëmarrësve, raportuan se kishin pirë mbi 150 gramë alkool (ose më shumë se 10 gota) çdo javë.
Autorët e studimit e vëzhguan këtë grup njerëzish për gati 5 vjet, duke ekzaminuar se si zakonet e tyre të pirjes së alkoolit, lidheshin me rrezikun e çdo personi për ngjarje si vdekja nga sëmundja koronare e zemrës, sulmet jo-fatale në zemër, goditjet në tru dhe shtrimi në spital për shkak të dështimit të funksionimit të zemrës.
Rezultatet treguan se të moshuarit me nivele më të larta të konsumit të alkoolit në javë, ishin më mirë se ata që pinin pak ose aspak alkool. Gjithsesi autori kryesor i studimit dr. Johanes Neuman thotë se njerëzit duhet t’i marrin me rezerva këto gjetje.
Meqë të gjithë të moshuarit ishin përgjithësisht të shëndetshëm dhe aktivë në fillim të studimit, rezultatet mund të ndryshojnë midis të rriturve të tjerë të moshuar në popullatën mbarëbotërore. Neuman vë gjithashtu në dukje, se konsumi në sasi të mëdha i alkoolit, e rrit edhe rrezikun e sëmundjeve kronike, përfshirë rrezikun nga kanceri dhe sëmundjet e mëlçisë.
… [Trackback]
[…] Read More to that Topic: startnews.news/2021/12/04/studimi-konsumi-i-moderuar-i-alkoolit-i-ben-mire-zemres-se-njerezve-te-moshuar/ […]
Comments are closed.