BallinaAktualitetDhurata Çupi: Dhuna brenda familjes lind mbi premisa që në thelb kanë...

Dhurata Çupi: Dhuna brenda familjes lind mbi premisa që në thelb kanë varfërinë, duhet të rehabilitojmë shoqërinë tonë

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka mbajtur fjalën e saj në Tryezën e dytë mbi Bashkëpunimin kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore.

Ajo ka deklaruar se dhuna ndaj grave është një fenomen që na trishton çdo ditë, ku gra e vajza dhunohen në të gjitha format nga bashkëshortët, partnerët, baballarët apo edhe të afërm të njohur e të panjohur.

Sipas deputetes dhuna brenda familjes lind mbi premisa që në thelb kanë: varfërinë, mungesën e dashurisë, mungesën e shkollimit, stresin social dhe atë mediatik, dështimin personal dhe atë financiar etj.

Fjala e deputetes Dhurata Çupi

Ju falenderoj per ftesën dhe mundësinë e nje diskutimi dhe kontributi sado të vlefshëm sa I takon dhunës dhe  vlerës së jetese,  kjo pasi në thelb, vetëm ai që nuk njeh vlerën e jetës bëhet pjesë e dhunës në të tëra format e saj.

Nuk mund të ndahet dhuna nga liria, edukimi dhe kultura. Gjithkush që  nuk i vlerëson këto të tria i nënshtrohet dhunës dhe akteve barbare.

Është e padiskutueshme, dhe këtë na e tregojnë statistikat se roli i edukimit, zhvillimit dhe kulturës është një faktor tepër i rëndësishëm në uljen apo rritjen e dhunës si brenda familjes, ashtu dhe jashtë saj.

Dhuna me bazë gjinore, apo ajo,  brenda familjes lind mbi premisa që në thelb kanë: varfërinë, mungesën e dashurisë, mungesën e shkollimit, stresin social dhe atë mediatik, dështimin personal dhe atë financiar etj.

Për fat të keq dhuna ndaj grave është një fenomen që na trishton cdo ditë,  teksa dëgjojmë kronikat televizive me ngjarje të tilla të rënda, ku gra e vajza dhunohen në të gjitha format nga bashkëshortët, partnerët, baballarët apo edhe të afërm të njohur e të panjohur.

Ngritja e zërit për këtë shqetësim në rritje duhet të jetë prioritet thelbësor në politikat për mbrojtjen e gruas, si shtyllë e familjes dhe e shoqërisë.

Politikat e hartimit të ligjeve për barazinë gjinore dhe për denoncimin e dhunës nuk duhet të jenë  vetëm ligje të mira por duhet që këto ligje te jenë të zbatueshme dhe efektive,  aty ku duhet , tek ato gra që kërkojnë mbështetjen e strukturave të shtetit.

Rastet janë të shumta se si gratë kërkojnë mbrojtje nga shteti e se si po ashtu shteti për mes atij policit të lagjes i nënqesh në fatin e  tyre.

Ligji dhe forcimi i zbatimit të tij duhet të jetë prioritet i prioriteteve për ta bërë këtë shqetësim të ndjeshëm në mënyrë që të shmanget ky fenomen.

Prandaj  duhet së me parë që kjo cështje përvecse të jetë ligjore të jetë  mendësi që krijohet nga vetë strukturat që depërtojnë në cdo qelizë , u garantojn siguri grave e vajzave të predispozuara për tu dhunuar.

Nëse kjo mendësi lufton stereotipet gjinorë, duke i parë gratë të barabarta atëherë do të jemi drejt rrugës së duhur për tja dalë në këtë betejë që vazhdon.

Kjo fazë në fakt duhet të fillojë që nga shkolla në hapat e parë të arsimimit të fëmijëve.

Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-50 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës (dhunë nga partneri intim, dhunë në lidhje dashurie, dhunë nga jopartneri, ngacmimi seksual dhe/ose përndjekja), gjatë jetës së tyre,

Pra, para moshës 18 vjeç…e çfarë tregon kjo…? Kjo na tregon se çelësi i suksesit është edukimi, familja e shëndoshë, dashuria prindërore dhe sigurimi i premisave që fëmija të rritet në një ambient që nuk e stimulon dhunën në cilëndo formë të saj.

Në vitin  2007, kur hyri në fuqi ligji i parë për luftën ndaj fenomenit të dhunës në familje, e gjatë gjithë këtyre viteve është përmirësuar më tej  legjislacioni në këtë fushë.

Sic e thashë më lart,  mbetet me rëndësi të vecantë që institucionet të veprojnë me përgjegjshmëri të plotë në këtë beteje, duke filluar nga polici i thjeshtë i lagjes deri tek gjykatësit e prokurorët që marrin në shqyrtim dosje të tilla që kanë  në themel hetimin dhe gjykimin e çështjeve të dhunës në familje, dhe  të dhunës seksuale ndaj grave.

Sot flitet shumë për dhunën me bazë gjinore dhe flitet shumë pak për parandalimin e dhunës. Kjo për faktin se në vendin tonë bëhet shumë pak prej institucioneve ligjvënëse dhe atyre ligjzbatuese për parandalimin. Duket sikur ne jemi të fokusuar vetëm tek ajo çfarë ndodh…e në fakt kështu është!

Nëse flasim sot për sot, atëherë s’na ngel veç të merremi me agresorin dhe viktimën.

Por nëse flasim për të nesërmen, duhet të flasim për shumë më tepër se kaq.

Duhet të flasim për rritjen e divorceve, për shkatërrimin e familjes, për keqedukimin, për emigrimin, për shpërndarjen e drogërave pranë shkollave e çdo gjëje tjetër që është shkaku primar për të ushqyer dhunën në rrugë, në familje, në televizione, në rrete sociale, në shkollë, politikë e kudo.

E nisa me lirinë dhe do ta mbyll  po me lirinë. Përse në sistemin e vuajtjes se denimeve një vlerë të jashtëzakonshme dhe të veçantë merr rehabilitimi?

Sepse i dënuari kupton vlerën e lirisë…sepse i denuari kupton se kryerja e një akti të dënueshëm ndëshkohet dhe ai nuk duhet të kryej më akte të tilla.

Por, përpara se të mbërrijmë këtu, ne duhet të rehabilitojmë shoqërinë tonë, fëmijet që vuajnë nga bullizmi, rininë që bëhet pre e drogës dhe grupeve të dhunshme, familjen e cila për shkak të ekonomisë së dobët kalon strese pafund…duhet tu sigurojmë ambient e mjedis të qetë fëmijëve që rritem me një prind…ashtu siç duhet të bëjmë më shumë për të alkoolizuarit, përdoruesit e drogërave dhe të varurit prej tyre.

Nëse nuk shkulim varfërinë, e cila prej vitesh shënon vetëm rritje…atëherë nuk kemi bërë asgjë kundër dhunës. Dhe në këtë luftë me vrasjen e dhunën duhet të jemi të gjithë bashkë dhe jo vetëm në dukje dhe për dukje.

Faleminderit

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular