DA HAZIZOLLI/ Pensionistët që nuk kanë të ardhura të tjera veç pensionit janë të përjashtuar nga taksa e banesës. Qeveria ka lënë jashtë skemës së taksimit edhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Vlera e kësaj takse ka qenë e ulët, por me formulën e re të llogaritjes, taksa e banesës ka një peshë të lartë në shpenzime. Me ndryshimet e bëra kjo taksë është 0.05 për qind të vlerës së shtëpisë. Mesatarisht, qytetarët sot paguajnë 400 lekë shtesë në muaj përmes faturës së ujit. Kryetari i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, në një intervistë dhënë për gazetën sqaron ndryshimet e skemës, formulën që aplikohet për llogaritjen e taksës, si dhe kategoritë që janë të përjashtuara.
Metodologjia e re e llogaritjes së taksës së banesës ka hyrë në fuqi prej 2018-ës, por është implementuar me vonesë nga bashkitë. Në çfarë pike ndodhemi aktualisht?
Po, në vitin 2018 u realizua një reformim i taksimit të pasurisë së paluajtshme, duke kaluar nga taksim bazuar në sipërfaqe, në taksim bazuar në vlerë. Ky ishte një hap i mirë dhe i duhur në fakt, por edhe bashkëkohor. Por koha tregoi se nuk ishte dhe aq përfaqësues. Kjo solli që edhe me progresin e mirë këto vite sërish nuk u arritën pritshmëritë për sa i përket nivelit të rritjes së të ardhurave nga metodologjia e re në të 61 bashkitë e vendit. Duhet thënë se kjo taksë siguron një portofol të mirë financiar në buxhetin e bashkive nëse mblidhet sa duhet. Gjatë zbatimit të kësaj metodologjie dolën disa probleme, që dëshmuan se kishte nevojë për ndryshim të VKM-së 132/ 2018 me qëllim që të bëheshin përmirësimet e duhura në metodologji. Ndaj, aktualisht kemi një VKM të re që hyn në fuqi tani me vitin 2022. Çfarë të rejash sjell kjo VKM? Ky vendim që hyn në fuqi prej janarit të këtij viti përcakton rregulla dhe proceduara të nevojshme që të zbatohen me lehtësi nga bashkitë, qartësi mbi kuptimin e termave me qëllim që të shmangen keqkuptimet dhe abuzimet në zbatim të metodologjisë. Po ashtu, detajon hierarkinë e informacionit për t’u përdorur në përcaktimin e sipërfaqes në rastet kur ajo nuk dihet nga burime të tjera paraprakisht, rregulla për përcaktimin e njësive pronësore dhe nënkategoritë e ndryshme të pronave, si dhe referenca për ndërtesa që përdoren, që shfrytëzohen për banim në zona të ndryshme dhe bashki të ndryshme. Por ajo që nuk ndryshon është shkalla e taksimit. Ajo mbetet 0.05% e vlerës së pronës që përdoret për banim. Pra, sipërfaqja x çmimin për metër2 x 0.05, – kështu llogaritet taksa për ndërtesa për banim. Ndërsa kanë vlerë dhe koeficientet për kategoritë dhe nënkategoritë e tjera.
A ka ende bashki të cilat aplikojnë tarifë fikse?
Ka pasur një progres, por jo në nivelet që priteshin nga kjo taksë. Bashkitë janë përpjekur të zbatojnë metodologjinë e re, edhe pse me mangësi në disa aspekte, p.sh. rregullat dhe procedurat jo të qarta, që edhe çojnë në taksim jo të drejtë, rregulla mbi prezumimin e sipërfaqes, kur mungojnë të dhëna, mungesa e Kadastrës fiskale, mungesa kapaciteteve nga ana e bashkive, mungesa e përdorimit të teknologjisë, mungesa e bazës së të dhënave për përdoruesin apo pronarin etj.
Nuk ka ende një raport, por cilat janë pritshmëritë për vitin që lamë pas, kjo sa i takon nivelit të të ardhurave të arkëtuara?
Nuk ka një për vitin 2021 akoma. Por edhe me progresin dhe nivelin e rritjes së të ardhurave nga kjo taksë në 61 bashkitë e vendit, sërish kërkohet që të zgjerohet baza e taksueshme. Kjo kërkon shumë punë nga institucionet qendrore për të populluar me të dhëna mbi ndërtesat çdo bashki.
Në kryeqytet gati dy vite më parë nisi një fushatë ndërgjegjësimi duke iu bërë thirrje qytetarëve që të vetëdeklarojnë të dhënat mbi banesën. Si llogaritet taksa për ata që nuk kanë aplikuar?
Ajo ishte një fushatë e mirë, ajo duhet të vazhdojë edhe tani, që çdo subjekt fizik apo juridik, privat apo publike, të njihet me ndryshmet e reja nga VKM-ja e re që fillon zbatimin këtë vit. Për efekt të llogaritjes së taksës për ndërtesën/njësi pronësore, baza e taksës shumëzohet me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj, sipas kategorive të ndërtesave, si më poshtë: a) 0.05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim; por ajo që nuk ndryshon është shkalla e taksimit, ajo mbetet 0.05% e vlerës se pronës që përdoret për banim, pra sipërfaqja x çmimin për metër katror x 0.05. Kështu llogaritet taksa për ndërtesa për banim. Pra, formula është kjo: vlera e ndërtesës (sipas çmimit referues) x shkalla e taksës (0.05%) = taksa vjetore për t’u paguar. Shembull nga Bashkia Tiranë. Një banor që ka një ndërtesë 100m2 në NjA1 në zonën 1 (zona “Ali Demi”), llogaritja e taksës së ndërtesës bëhet me këtë formulë. Çmimi referues për m2 në këtë zonë llogaritet 97,700 lekë. Vlera e ndërtesës 100m2 është l 9.770.000. Kjo do të shumëzohet me shkallën e taksës që është 0.05%. Rezultati që del është 4.885 lekë vlera vjetore për t’u paguar në bashki në bazë mujore në shumën 407.08 lekë.
Kush përjashtohet nga kjo taksë?
Janë dy kategori: ajo sociale dhe subjekte të tjera si më poshtë. Sipas ligjit 106/ 2017 të ndryshuar, neni 22, përcakton rastet e përjashtimit nga taksa mbi ndërtesat: ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension special, në fshat dhe qytet, kur familja përbëhet vetëm nga kryefamiljari, ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Janë të përjashtuar dhe pronat e shtetit dhe bashkive, objektet e kultit, banesat sociale, ato të kulteve dhe fetare, hotelet me 4-5 yje.