Nga Bujar Leskaj
Në 18 janar 1935 lindi Pjetër Arbnori, intelektuali shkrimtari, përkthyesi; Mandela shqiptar i Ballkanit, qëndrestari antikomunist.
Pjetër Arbnori i përkiste një plejade politikanësh të rrallë, të cilët nuk bënë kurrë kompromis me të keqen.
Idealet dhe bindjet e tij demokratike nuk i tradhtoi kurrë pavarësisht vuajtjeve, persekutimit e viteve të burgut në Burrel.
Si bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër dhe si kryetar Kuvendi ai ka lënë gjurmë, sidomos me qëndrimin e tij të urtë, dinjitoz e me integritet.
Pjetër Arbnori ka shkruar disa vepra e ka përkthyer shumë të tjera, shumicën e tyre gjatë viteve të burgut. Por ashtu si shumë intelektualëve të tjerë iu përvetësua padrejtësisht shumica e autorësisë së përkthimeve.
Arbnori ka shkruar disa vepra, si: “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit”, “Letër nga burgu”, etj.
Nderim për Të dhe detyrim për ne të ndjekim, vlerësojmë dhe të mësojmë nga jeta, vepra, integriteti e mendimi i tij!