BallinaKronike“Gamorra” shqiptare në Romë, beteja e përgjakshme mes 2 shokëve. Historia e...

“Gamorra” shqiptare në Romë, beteja e përgjakshme mes 2 shokëve. Historia e rivalitetit të dhunshëm mes Ermalit dhe Elvisit, për tregun e kokainës dhe hashashit

NIKOLETA KOVAÇI/ Ishte nëntori i 7 viteve më parë kur Policia e Vlorës, në të pakta operacione antidrogë do të arrestonte tre të rinj.

Ata ishin bërë gati të shisnin një ngarkesë droge prej 150 kg. Policia ndërhyri dhe i kapi në kushtet e flagrancës. Operacioni u zhvillua në Trevllazër ndërsa të arrestuarit ishin nga Llakatundi.

Në atë operacion doli në pah emri i një djali 24-vjeçar që quhej Ermal Arapaj, i cili nuk dihet se si mundi të lirohej dhe më pas t‘i qasej Italisë dhe kryesisht Romës. Sot, mediat italiane aktivitetin e tij dhe të një tjetër shqiptari në fushën e trafikut të drogës e quajnë “Gamorra shqiptare e Romës”.

Ata kanë vite që tentojnë të eliminojnë njëritjetrin në përpjekje për të sunduar në dy sheshe të mëdha të kryeqendrës italiane me qëllim fitimin e territorit ku shitet dhe shpërndahet lënda narkotike, kryesisht kokaina e ardhur nga Holanda dhe hashashi i shkuar nga Shqipëria!

OPERACIONI BLIC I POLICISË ITALIANE

Sipas të dhënave mediatike italiane u bë me dije se u desh një “maxi blitz” në mëngjesin e djeshëm midis Romës dhe “Castelli Romani”, për të parandaluar që beteja për menaxhimin e disa shesheve të trafikut të drogës të çonte në një kasaphanë mes rivalëve.

Hetuesit italianë përgjatë më shumë se katër viteve hetime kanë konstatuar luftë të ashpër mes dy grupeve italo-shqiptare, të drejtuara nga Ermal Arapaj, i njohur edhe me nofkën “Ufo” dhe nga shqiptari tjetër, Elvis Demçe! Sipas të dhënave të Policisë italiane në pranga kanë rënë 27 anëtarë të këtyre dy bandave që konsiderohen të përgjakshme.

Pasojë e kësaj lufte, përcakton prokuroria romane, është edhe ekzekutimi mafioz i Selavdit Shehajt, i njohuri si “Simoncino”, vrarë në zonën e plazhit në vitin 2020 dhe vrasjes së Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”-u, vrarë në mes të ditës në Romë. Sipas këtij hetimi, këta persona ishin pranë Elvis Demçes!

Të dhënat policore italiane tregojnë se operacioni i fundit u koordinua nga grupi i Antimafia-s dhe zyra e prokurorit të Romës. 27 personat që përfunduan në pranga dyshohen për “grup i strukturuar me qëllim trafikun e drogës me metodën mafioze, zhvatjes dhe mbajtjes së armëve të zjarrit në vend publik”.

KUSH JANË DY KAPOT SHQIPTARE

Hetimet kanë nisur herët. Datojnë 27 dhjetorin e 2017- s kur në Artena u gjet trupi i djegur i Cristian Di Lauro, i zhdukur ditën e Krishtlindjes. Vrasja ishte brutale dhe karabinierët e njësisë hetimore të Frascatit nisën një sërë hetimesh rreth një emri të përfolur në tregtinë e drogës në Romë. Bëhej fjalë për Ermal Arapajn. Gjatë hetimit për zbardhjen e vrasjes dhe më pas djegie

s së trupit të DiLauros, Policia ndeshi në një figurë komplekse që kishte ngritur një grup të strukturuar me tendenca të mirëfillta mafioze.

Ndërkohë, në gjurmët e shqiptarit tjetër Elvis Demçe i njëjti hetim u ndal në prillin e vitit 2020, kohë kur ai la qelinë dhe kaloi në arrest shtëpie. Sipas hetuesve, figura e Demçes ka një rëndësi të veçantë, pasi ai është i vendosur në periferinë lindore të Prenestinos.

Ai tashmë njihet se pjesë e rrethit të Piscitellit dhe konsiderohet person me “profil të lartë kriminal”. Hetuesit në dosjen e tyre kanë fiksuar faktin se Demçe karakterizohet nga dëshira për të arritur pasuri shpejt, nëpërmjet furnizimit me sasi të mëdha droge dhe rikuperimit e gjobave me anë të dhunës.

Mirëpo, në fakt hetuesit italianë bëjnë me dije se emri i tij doli që në vitin 2013 gjatë hetimeve për vrasjen e shtetasit italian Federico Di Meo!

GJOBAT

Më 27 korrik të vitit 2020, Prokuroria merr një informacion mbi një sasi të madhe droge që do të blihej nga ana e grupit të Demçes! Lënda narkotike u tha se u sekuestrua me 7 gusht dhe u gjend në një “Porsche Macan” me të cilin udhëtonin dy të rinj, emra të panjohur për hetimin.

Lënda narkotike ishte paketuar në bagazhin e mjetit luksoz dhe sipas të dhënave ishte rreth 90 kg. Të rinjtë udhëtonin pa asnjë problem mes përmes zonave të kontrolluara nga Policia. Pas arrestimit të të rinjve, emrat e të cilëve nuk i bën me dije Policia italiane, hetimi u përqendrua në aktivitetin e grupit të Demçes.

Sipas aktakuzës, “djemtë e tij” përdorën forcë frikësuese kundër rivalëve apo dhe blerësve të papaguar të mallit.

“Në një rast-thotë prokuroria italiane-në San Basilio ekipi i dhunshëm i Demçes ushtroi zhvatje me anë të dhunës ndaj dy vëllezërve në një nga sheshet ku lulëzojnë farmacitë në Romë, për të rikuperuar një kredi prej 100,000 eurosh, të ardhur nga një ‘lojë’ droge e papaguar”!

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular