Ish-deputeti Spartak Braho deklaron se PS-ja nuk mund t’i fitojë zgjedhjet në Durrës duke vendosur si kryetar shtabi Vangjush Dakon.
Duke folur për emisionin “Frontline” në “News 24” Braho u shpreh se Rama ka lënë mënjanë shumë ish-deputetë socialistë dhe vetë ai i ka tërhequr vërejtje për bashkëpunimin e tij me Dakon.
“Rama na ka harruar. Rilindja nuk ngjiti. PS ishte parti e madhe dhe e ardhur nga Partia e Punës dhe erdhi duke u modernizuar, duke u çliruar nga dogmat komuniste dhe kaloi në një parti social-demokrate. Ka nevojë të reformohet. Kryeministri është një drejtues ekzekutiv shumë i zoti, edhe shumë punëtor, por është defektoz në zgjedhjen e njerëzve që ka angazhuar.
Nuk fitohen zgjedhjet duke vënë kryetar shtabi Vangjush Dakon. Është ‘non grata’. Dje ishte me strukturat e PS-së ai. Një njeri që e ka bërë Durrësin çarap. Është kreu i ‘Cosa Nostra’-s, jo në thonjëza, por reale në Durrës. Motra e tij shefe llogarie në bashki, vëllezërit e tij ndërtojnë pallate, hotele në toka shtetërore. Do votoj për PS-në jo për Vangjush Dakon. Ka shkatërruar partinë. Prishi partinë. Ndërtoi struktura apo njerëz që kishin të bënin me kupolën familjare, shoqërinë, thirri malavitën i bëri ortakë, një pjesë janë ortak, i përdori edhe në zgjedhje, derisa një ditë e mbushi kupën u shpall non grata. I thashë z.Rama çfarë do ti me këtë. S’ka PS në Durrës, kjo më djeg”, tha Braho.