BallinaKultureMarsi i hidhur i Oriolit

Marsi i hidhur i Oriolit

Flori Slatina

Për dikë Marsi është muaj i bukur, muaji  pranverës, i luleve, i shpresës. Për dikë tjetër është mars i hidhur, mars i trishtë, i zi… I tillë është për Oriolin, i riu i apasionuar që i foli botës në mbi 40 gjuhë. Oriol Spaho ka katër vjet që nuk është më midis nesh. Ai u shua në marsin e vitit 2018, pas një sëmundjeje të pashërueshme.

Në përvjetorin e trishtë të largimit, poeti e shkrimtari Çelik Petriti i ka dedikuar një monografi. “Unë ekzistoj” titullohet monografia e promovuar dje në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit, në praninë e familjarëve, dashamirësve, lexuesve e gazetarëve. Libri u prit me interes nga të pranishmit, të cilët vlerësuan punën dhe përkushtimin e autorit për të nxjerrë në pah punën, kontributin, përkushtimin dhe vlerat e Oriol Spahos, poliglotit që u shua në lule të rinisë.

***

Oriol Spaho u lind në Korçë në vitin 1974. Pasi mbaroi studimet e larta në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, emigroi për 5 vjet në Greqi. Atje i lindi dëshira për të mësuar gjuhët e huaja. Krahas punës iu përvesh me një vullnet të jashtëzakonshëm mësimit të gjuhëve të huaja, duke i krahasuar ato me njëra-tjetrën e duke zbuluar mekanizimin se si mund t’i përpinte më mirë. Dhjetëra fletore, me qindra e mijëra faqe të shkruara me dorë, miliona fjalë në shumë gjuhë të huaja kanë dalë nga truri i tij. Pas 5 vjetësh erdhi në Tiranë dhe mbrojti zyrtarisht disa gjuhë të huaja, njëra pas tjetrës. Deri në vitin 2018, vit kur u nda nga jeta, ai shkroi, punoi e foli në mbi 40 gjuhë. Në zyrën e tij janë ende dorëshkrimet, fjalorët dhe dosjet e pafundme me materiale të përkthyera për të tretët. Një punë voluminoze që, fatkeqësisht ndikoi edhe në shëndetin e tij. Falë përgatitjes e nivelit të lartë intelektual, Orioli ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare shkencore, ku edhe është vlerësuar për nivelin e tij të lartë. Libri i Çelik Petritit, “Unë ekzistoj” është i dyti libër biografik për Oriol Spahon, pas librit të gazetarit Ilir Bushi, “Oriol Spaho, fenomeni që i foli botës në 40 gjuhë”.

***

Autori i librit, Çelik Petrit, ka ndërtuar një libër të thjeshtë poetik, një biografi të këndshme, të shkruar sipas kujtimeve e dokumenteve, përzier me përvojën e pasur dhe talentin e tij. I ndarë në disa kapituj, autori nuk ndërton një biografi klasike, hap pas hapi apo ngjarje pas ngjarje, por sjell portretin e tij në këndvështrime të ndryshme, nga jeta personale, familjare, tek pasioni dhe vullneti për të mësuar gjuhët e huaja. Pjesë e librit janë familjarët, miqtë e shokët e tij me kujtimet e fjalët që kanë thënë e lënë për të, dokumentet dhe fotografitë që flasin vetë.

Orioli ishte një djalë i jashtëzakonshëm, një fenomen një meteor që u shua, por që la pas shkëlqimin e vet.

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular