Një sulm i dyshuar terrorist ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Izrael. Sipas informacioneve të fundit dy persona kanë hapur zjarr në drejtim të civilëve në rrugët e qytetit Hadera. Nga atentati dy persona kanë humbur jetën, disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, midis tyre edhe policë.
Nisur nga ajo që shkruan “Jerusalem Post”, policia neutralizoi dy personat e armatosur në vendin e ngjarjes në qytetin Hadera.
Forcat e policisë po vazhdojnë skanimin e zonës për të siguruar që asnjë civil të mos jetë lënduar nga të shtënat. Sulmi vjen pasi Izraeli po pret samitin e madh në Negev me ministrat e jashtëm nga Shtetet e Bashkuara, Bahreini, Maroku, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Sulmi vjen gjithashtu më pak se një javë pas sulmit terrorist në Beersheba , në të cilin katër izraelitë u vranë nga një beduin-izraelit i cili u vra nga një civil në vendngjarje. Grupet terroriste palestineze kanë bërë thirrje javët e fundit për shtimin e sulmeve ndaj izraelitëve përpara muajit të Ramazanit.